LAJMI I FUNDIT:

​5500 euro dëme krijuan përmbytjet vetëm në Tërrne të Ferizajt

​5500 euro dëme krijuan përmbytjet vetëm në Tërrne të Ferizajt

Vlera e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet në fshatin Tërrn të Ferizajt kap shifrën e 5500 eurove, kanë bërë të ditur zyrtarë të komisionit komuna për vlerësimin e dëmit.

Sipas tyre në këtë shifër nuk janë përfshirë edhe dëmet e shkaktuara në sipërfaqet e mbjella me kultura vjeshtore.

Koordinatori i komisionit për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, Xhemajl Reçica, ka thënë për KosovaPress se komisioni e ka vlerësuar në teren gjendjen e shkaktuar në ekonomitë familjare dhe në amvisni.


“Në bazë të raportit vlerësues katër fermerëve u janë shkaktuar dëme në vlerë prej 3500 eurove. Dëmet kanë qenë të natyrave të ndryshme, si në blegtori, bletari e ushqim të kafshëve”, ka thënë Reçica.

Për më tepër bëhet e ditur se dëme ka pasur edhe në amvisëritë familjare dhe se vlera e dëmit shkon diku në 2000 euro.

“Në dy familje komisioni ka vlerësuar se janë shkaktuar dëme në teknikë të bardhë dhe orendi shtëpiake”, ka nënvizuar kryetari i Komisionit për vlerësim Xhemajl Reçica.

Ndryshe, në këtë vlerësim nuk janë përfshirë edhe dëmet e shkaktuara në sipërfaqet e mbjella me kultura vjeshtore të cilat zënë një sipërfaqe prej 100 hektarësh. Kordinatori Reçica, ka thënë se vlerësimi i gjendjes do të bëhet pas largimit të ujit nga këto sipërfaqe.

“Nga kjo sipërfaqe, 30% e saj është e mbjellë me grurë, ndërsa pjesa tjetër janë livadhe. Pavarësisht kësaj komuna është e vendosur që pas vlerësimit të dëmit t’i kompensoi edhe këta fermerë”, ka thënë Xhemajl Reçica.

Fshati Tërrn pothuajse çdo herë atakohet nga ujerat e reshjeve bile edhe gjatë verës. Komuna e Ferizajt për këtë situatë e fajëson komunën e Lipjanit, e cila nuk i ka kushtuara kujdes pastrimit të shtratit të lumit Sitnica, sidomos në grykën ku derdhen ujërat e ujëmbledhësit, i cili i përshkon disa fshatra të komunës së Ferizajt.

Shumë herë është folur për një projekt të përbashkët ndërkomunal por që asnjëherë nuk është jetësuar.

Së fundi komuna e Ferizajt i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës, që të merret me këtë problem i cili është më rënduesi për banorët e kësaj zone. /Telegrafi/