LAJMI I FUNDIT:

Taksat e doganës minimizojnë mundësitë e blerjeve online

Taksat e doganës minimizojnë mundësitë e blerjeve online

Dogana e Kosovës këtë vit e ka vështirësuar edhe më tepër mundësinë e qytetarëve që të bëjnë blerje online nga shtetet e tjera për nevoja personale.

Ky institucion ka ashpërsuar politikat doganore për blerësit e tillë duke ua “përgjysmuar” mundësinë e blerjeve krahasuar me vitin që shkoi kur për herë të parë kishte vendosur limite për dërgesat e jashtme.

Përderisa vjet ishte praktikuar pagesa e taksës doganore dhe TVSH-së për blerjet mbi 45 euro, këtë vit qytetarët po paguajnë këto taksa për çdo produkt që kalon vlerën e 22 eurove, shkruan sot Koha Ditore.


Një hap të tillë organizatat që merren me të drejtat e konsumatorit e shohin si rëndues dhe tendencë për t’i izoluar edhe më tepër qytetarët e Kosovës, të cilët kanë pak mundësi të lidhen me botën e jashtme, duke e pasur të pamundur qarkullimin pa viza.

Ankesat e para për këtë ndryshim, tanimë janë deponuar në Postën e Kosovës në të cilën bëhet zhdoganimi dhe shpërndarja e dërgesave online.

Bekim Greiçevci, zëdhënës në Postën e Kosovës, ka njoftuar se me vendim të Doganës së Kosovës limiti i vlerës së mallit të blerë online për zhdoganim është mbi 22 euro që nga 22 janari i këtij viti. /Telegrafi/