LAJMI I FUNDIT:

Së shpejti riaktivizohet Këshilli për Zhvillim Ekonomik

Së shpejti riaktivizohet Këshilli për Zhvillim Ekonomik

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, takoi drejtuesit e shoqatave të biznesit, me të cilët bashkëbisedoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë e Industrisë dhe komunitetit të biznesit.

Ministrja Bajrami me bashkëpunëtorë, i njoftuan përfaqësuesit e bizneseve për progresin në negociatat për arritjen e marrëveshjeve për shërbimet në kuadër të CEFTA-së, për statusin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim si dhe të marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Turqinë.

Po ashtu, ministrja Bajrami i informoi pjesëmarrësit edhe me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit privat.


Ajo, vuri në pah rëndësinë e bashkëveprimit institucional, shkëmbimin e informatave dhe marrjen e rekomandimeve dhe kërkesave nga bizneset. Në kuadër të angazhimeve për të përmirësuar dialogun publiko-privat, ministrja Bajrami i informoi drejtuesit e shoqatave të biznesit edhe për përgatitjet për riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Drejtuesit e shoqatave të bizneseve shprehën gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndër-institucional dhe për të mbështetur përpjekjet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të krijuar një ambient të favorshëm për bizneset. /Telegrafi/