LAJMI I FUNDIT:

Dallavere në tenderin 6.3-milionësh të KEK-ut

Dallavere në tenderin 6.3-milionësh të KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e ka pranuar se në tenderin 6.3-milionësh për furnizim me mazut ka bërë shkelje ligjore kur e ka rekomanduar “Petrol Company” për kontratë, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo kompani ka ofertuar për furnizim me mazut nga Bullgaria pa e kalkuluar fare doganën prej 10 për qind, që ngarkohen vendet e BE-së.

Pas pranimit të fajit, kjo korporatë e ka anuluar vendimin për dhënien e kontratës “Petroll Company”, ani se të njëjtën më parë e konsideronin në përputhje me Ligjin e prokurimit publik.


Madje, pas publikimit të shkrimit për akuzat e kompanisë “Ex-Fis” për mashtrim në tenderin për furnizim me mazut, KEK-u e kishte kundërshtuar shkrimin duke thënë se do t’i “sfidojë këto të pavërteta përmes të gjitha rrugëve që ia lejon ligji”.

Eksperti shqyrtues i “Gjykatës së tenderëve” i kishte vërtetuar pretendimet e kompanisë “Ex Fis”. Pranimi i konstatimeve të ekspertit shqyrtues nga ana e KEK-ut e ka shmangur seancën kryesore që duhej të mbahej sipas procedurave ligjore në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Vlera e tenderit për furnizim për mazut është 6.3 milionë euro, kurse vlera kontestuese e këtij tenderi është mbi 630 mijë euro. /Telegrafi/