LAJMI I FUNDIT:

AKP-ja kërkon përgjysmimin e pagave në “Grand”

AKP-ja kërkon përgjysmimin e pagave në “Grand”

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ika kushtëzuar punëtorët e hotelit “Grand” që të pranojnë përgjysmimin e pagave dhe kontratë tremujore nëse duan edhe më tutje të punojnë.

Përveç kësaj, një delegacion i AKP-së ka kërkuar që Sindikata e “Grandit” të shuhet dhe që kryetari i saj, Mustafë Ahmeti, të largohet nga objektet e kësaj ndërmarrjeje. Këto kërkesa janë bërë në një takim që zyrtarët e AKP-së kanë pasur të mërkurën me punëtorët e “Grandit”. Ata nuk i kanë paraqitur të gjitha qëndrimet e AKP-së, pasi kanë refuzuar të flasin në prani të Sindikatës dhe të medieve, shkruan sot Koha Ditore.

George Otterbein, kryesues i Autoritetit të Likuidimit, ka kërkuar që sallën ta lirojnë mediet dhe Sindikata, kërkesë që është refuzuar nga punëtorët. Ai ka thënë se të gjithë punëtorëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe se në të ardhmen ata do të vazhdojnë punën si ofrues të shërbimeve. Madje ata kanë thënë se kjo ofertë për punësim si ofrues të shërbimeve është mundësuar vetëm pas përpjekjeve të menaxhmentit të AKP-së, në mënyrë që të mos krijohen raste sociale.


Ai së bashku me zyrtarë të tjerë të AKP-së pastaj kanë vazhduar aktivitetin në një zyrë të “Grandit”, ku i kanë ftuar punëtorët veç e veç për t’i njoftuar me kushtet e reja. Por, punëtorët kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë së bashku me Sindikatën dhe asnjë nuk u është përgjigjur thirrjeve të zyrtarëve të AKP-së.

Ky institucion ka njoftuar më parë se për shkak se “Grandi” ka hyrë në proces të likuidimit më datën 2 shkurt, të gjithë punëtorëve u është ndërprerë kontrata. AKP-ja ka njoftuar se do të mbes vetëm një numër i punëtorëve që do të jetë i nevojshëm për vazhdimin e operimit të hotelit “Grand.

Mustafë Ahmeti, kryetar i Shoqatës Sindikale të hotelit “Grand” ka thënë se mediet e sindikatat nuk i kanë penguar zyrtarët e AKP-së të zhvillojnë takimin informues. “Ata po kanë drojën se Sindikata po i mëson punëtorët se si t’i mbrojnë interesat e tyre. Pra, ata kanë për qëllim shkeljen e dinjitetit të punëtorëve. Na kanë thënë se punëtorët duhet të pranojnë një kontratë 3- mujore me gjysmë page, si dhe kanë kërkuar largimin tim nga objekti”, ka thënë ai. “Por, punëtorët unanimisht kanë thënë se Sindikata të vazhdojë edhe më tutje”.

Para punëtorëve ai ka thënë se do t’i mbështesë ata deri në realizimin e kërkesave të tyre realiste dhe nuk i pranojnë kushtet e AKP-së.

“Ne po kërkojmë që të na lejojnë të punojmë të gjithëve pa dallime. Ne nuk po ju kërkojmë mjete atyre, por ne kërkojmë që pagat tona të na lihen neve për t’i siguruar, pra të bëjmë me vetëfinancim dhe jo të prejudikojmë paraprakisht që vetëm gjysmë page me e marrë. Vitin e kaluar kemi marrë paga të dinjitetshme falë operimit tonë”, ka thënë Ahmeti. “Tash e kanë blloku ‘Grandin’, pasi që dy muaj AKP-ja i ka bllokuar të gjitha rezervimet që i kemi pasur për fjetje dhe në salla.”

Ai ka thënë se kontratat e punëtorëve duhet të jenë deri në privatizimin e “Grandit” e jo vetëm 3-mujore.
“Ne dëshirojmë të punojmë deri në privatizim, e jo prapë pas 3 muajve të përballemi me problemet e njëjta”, ka thënë Ahmeti.

Azem Jusufi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, ka thënë se çdo kompani është e obliguar ta ketë sindikatën e vet, prandaj edhe në “Grand” nuk mund të bëhet përjashtim. “Dëshironi ju apo jo, ekziston një ligj i Kosovës që na mundëson neve me pas sindikatë”, ka thënë Jusufi.

Sindikata e punëtorëve të “Grandit” e ka nënshkruar një peticion, të cilin do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës. Në këtë peticion janë të cekura kërkesat e punëtorëve për mbetjen në punë. /Telegrafi/