LAJMI I FUNDIT:

Forcohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë

Forcohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë

Është shprehur edhe sot përkrahja e shtetit të Gjermanisë për Kosovën. Shtet ky që deri më tani në Kosovë vetëm për zhvillimin ekonomik ka investuar një shumë prej më shumë se 420 milion euro.

Se përkrahja e këtij shteti do të vazhdojë edhe më tutje e kanë thënë sot edhe një delegacion i Qeverisë gjermane, i cili vizitoi ministrin e Financave Avdullah Hoti.

Hoti, sipas një komunikate për media ka pritur në takim Dirk Schattschneider, Shef i Divizionit të Evropës Jug-Lindore dhe Kaukaz BMZ, Henriette Kotter, Sekretarja e parë, Simona Wunsch BMZ, Gravenkoter KfW si dhe James Macbeth GIZ.


Hoti ka falënderuar këtë delegacion duke theksuar se Gjermania ka qenë një përkrahëse e fuqishme e Republikës së Kosovës në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.

Ndërsa, përfaqësuesi i delegacionit gjerman Dirk Schattschneider, Shef i Divizionit të Evropës Jug-Lindore dhe Kaukaz falënderoi Ministrin Hoti për mirëpritjen dhe u shpreh se shteti gjerman ka qenë dhe do të jetë çdo herë përkrah Kosovës, për ta ndihmuar me projekte konkrete ku përfitues janë qytetarët e Kosovës.

Ai gjithashtu është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve të deritanishme.

Ndërsa, sa i përket zotimeve të vitit 2014 u dakorduan se është e nevojshme që të ketë një marrëveshje kornizë të nënshkruar dhe të formohet një ekip i përbashkët ndërqeveritar për negocim. /Telegrafi/