LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka 257 mijë hektarë me ara

Kosova ka 257 mijë hektarë me ara

Regjistrimi i bujqësisë është kryer në 34 komuna të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në katër komuna në Veri të Kosovës (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut) regjistrimi nuk ka mundur të kryhet, për shkak se këto komuna refuzuan të marrin pjesë.

Sipas rezultateve paraprake të regjistrimit të bujqësisë të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se Kosova ka 129,220 ekonomi bujqësore, sipërfaqe e përgjithshme e tokës së shfrytëzuar për prodhim bujqësor është 257,639 hektarë. Kosova ka 253,234 krerë gjedhe, 169,927 dele, 29,085 dhi, 2,695,344 shpezë.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi theksoi se qëllimi i këtij regjistrimi ishte që të mblidhen statistika të detajuara për strukturën e ekonomive bujqësore në Kosovë. Sipas tij, një informacion i tillë është vendimtar për zhvillimin e politikave bujqësore në Kosovë.


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala theksoi se realizimi i këtij projekti siguron të dhëna që i kanë munguar Kosovës për kohë të gjatë dhe do t’i mundësojë Kosovë përgatitjen e projekteve zhvillimore sipas standardeve evropiane, ku do të identifikohen nevojat për investime zhvillimore në të ardhmen.

Zëvendës shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE), Libor Chlad, ka thënë se komunat në Veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në regjistrim dhe se BE-ja do të punojë me ta që ky regjistrim të kryhet në të gjithë territorin e Kosovës.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi se ministria që drejton ai është përfituesi kryesor i rezultateve që dalin nga regjistrimi i bujqësisë. “Publikimi i rezultateve të sotme edhe pse është i pjesshëm, është punë profesionale që është bërë nga ASK-ja. Ajo që na bënë të ndjehemi mirë, kemi një proces që është bërë sipas parametrave ndërkombëtar, që ka një besueshmëri të madhe dhe që na mundëson që të kemi një rezultat shumë të saktë, e që do të na ndihmojë që të kemi një efikasitet shumë të madh në programin e zhvillimit të bujqësisë”, tha ministri Krasniqi.

Të dhënat paraprake të regjistrimit të bujqësisë janë të prezantuara në nivel të Kosovës dhe nivel rajonal, ndërsa të dhënat më të detajuara në nivel komune do të prezantohen në rezultatet përfundimtare në muajin shtator të viti 2015.

Regjistrimi i bujqësisë në Kosovë është mbajtur nga 1 nëntori deri më 20 nëntor të vitit 2014. /Telegrafi/