LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë për rrugë më të mirë

Protestojnë për rrugë më të mirë

Rruga “Arsim Bega” në Ferizaj, e cila shtrihet për rreth shtratit të lumit Nerodime në pjesën perëndimore të qytetit, për shkak të dëmtimit nga reshjet aktualisht është e pakalueshme për këmbësoret dhe automjetet.

Si rezultat, banorët e kësaj rruge, të hënën kanë protestuar para komunës duke kërkuar nga kjo e fundit që të intervenoi në sanimin e gjendjes së krijuar.

Ata kanë kërkuar që së paku komuna të intervenoj me zhavorr dhe kështu të kontribuoj në përmirësimin e qarkullimit në këtë rrugë.


Zyrtarët komunalë pas takimit që kanë pasur me banorët e kësaj rruge kanë premtuar se brenda javës gjendja në këtë rrugë do të përmirësohet ngase tashmë është marr vendim që aty të intervenohet me zhavorr.

Agush Bega, banorë i kësaj rruge thotë se problemi më i madh është me qarkullimin e fëmijëve ngase ata për të udhëtuar deri në shkollë duhet me lëvizë nëpër një mur prej 20 centimetra që është i vendosur përreth lumit.

“Ne po duhet të kujdesemi çdo ditë derisa ata ta kalojnë atë pjesë, ngase në të kundërtën ky lum si të vërshon kerrin mund ta merr e jo fëmijën. Ne po kërkojmë nga komuna që së paku aty t’i hedhin 5-6 kamion zhavorr. Kemi kontaktuar me zyrtarët komunalë, ata thonë se rruga ka mu rregullu sipas një projekti por ne kemi nevojë për intervenim urgjent”, ka thënë Bega.

Për më tepër bëhet e ditur se në atë pjesë në fazën e realizmit ndodhet projekti i rregullimit të shtratit të lumit Nerodime.

Banorët fajtor e lënë kompaninë fituese të këtij projekti që nuk po kujdeset për ta kthyer gjendjen e rrugës në normalitet.

Kjo rrugë me një gjatësi prej afërsisht 400 metra sipas zyrtarëve do të jetë pjesë e një projekti tjetër që nënkupton që pas kanalizimit, aty të vendoset kanalizimi atmosferik dhe të asfaltohet në tërë gjatësinë e saj. /KP/