LAJMI I FUNDIT:

Shfrytëzojeni poçin efiçien për kursim të rrymës

Shfrytëzojeni poçin efiçien për kursim të rrymës

Në Prishtinë sot me një aktivitet është shënuar dita botërore e efiçencës së energjisë, ku u kërkua nga të gjithë qytetarët e Kosovës të kursejnë energji elektrike, pasi që në këtë mënyrë edhe do të krijohen vende të reja të punës.

Aktiviteti është organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Agjensionin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, projektin e UNDP-së “Përkrahje për Zhvillim me Emetim të Ulët” dhe GIZ.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Kosova duhet t’i marrë masat e duhura për efiçiencë të energjisë. Ai i fton të gjithë qytetarët që të përdorin poç efiçientë pasi që janë shumë me ekonomik.


“Kemi të bëjmë me masa aq të thjeshta si ndërrimi i një poçi elektrik në shtëpi i cili do ta reduktonte jo vetëm faturën e energjisë, por do ta reduktonte edhe kërkesën që e kemi në termocentrale e deri tek masa që kanë të bëjnë me izolime nëpër ndërtesa të ndryshme të cilët po ashtu e kanë shfrytëzimin e energjisë elektrike deri në 30-40% më shumë sesa do të kishin po të kishin izolimin e mirë. Një poç efecient sot kushton më shtrenjtë se një poç normal por me faturën e rrymës të cilën do ta paguani besoni që brenda tre muajve do të kthehet investimi, ndërsa, për muajt e tjerë dhe për vitet e tjera në vijim do të paguani dukshëm më pak faturën e energjisë elektrike”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Bedri Dragusha, kryeshef i Agjencionit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, i ftoj të gjithë qytetarët që të kursejnë sa më shumë energji elektrike edhe duke mos i lënë ndezë poçet në ato vende ku nuk i shfrytëzojnë.

“Kosova është në hap me rajonin në këtë fushë sa i përket projekteve të ndryshme. Për momentin siç jeni edhe ju në dijeni në muajin e kaluar ministria e financave ka nënshkruar një marrëveshje financimi me bankën botërore ku do të zbatohen masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike të nivelit qendror dhe lokal. Ne si agjenci do të vazhdojmë në përkrahje të komunave, në hartimin e planeve për efiçiencë të energjisë, siç e kemi bërë me 16 komuna deri më tani, kështu që do të vazhdojmë edhe me komuna të tjera me promovim të efiçiencës së energjisë dhe zbatim të masave konkrete”, tha Dragusha.

Andrew Russell, përfaqësues i Përhershëm i UNDP, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të kursejnë energji elektrike, pasi që në këtë mënyrë edhe do të krijohen vende të reja të punës. “Çdo euro që e shpenzoni në energji janë të holla të cilat nuk mund t’i shpenzoni në diçka tjetër. Çdo ditë në botë ka emetim të gazrave në atmosferë që do të thotë po e shkatërrojnë botën jo vetëm për ne por edhe për gjeneratat që do të vijnë, si pasoj nga kjo do të kemi më shumë lagështi në ajër, do të kemi më shumë vërshime dhe kushtet jetësore do të vështirësohen”, tha Russell.

Po ashtu, me rastin e ditës botërore të Efiçiencës së Energjisë Elektrike, qytetarëve u janë shpërndarë poça efiçientë falas. /Telegrafi/