LAJMI I FUNDIT:

Mbushja e buxhetit nga Dogana e pasigurt

Mbushja e buxhetit nga Dogana e pasigurt

Mbushja e buxhetit të Kosovës bazohet në Dogana dhe kjo është bazë shumë e pasigurt, ka thënë në një prononcim për Radio Kosovën, eksperti për politika tatimore i Bashkimit Evropian, Martin Hutsebaut. Ai sugjeron të bëhen ndryshime në politikën tatimore.

Sipas tij, rreth 75% e buxhetit të Kosovës mbushet nga tatimet indirekte siç është TVSH-ja apo taksat doganore dhe kjo gjë nuk është e mirë për Kosovën. “Nëse tatimet bazohen në dogana, pra në importe, është shumë bazë jo e sigurt. Sepse pikësëpari, importet mund të ndryshojnë, mund të rriten apo të ulen. Poashtu nëse në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare tregtare, doganat hiqen, atëherë në mënyrë automatike të ardhurat reduktohen”, tha Hutsebaut.

Në Evropë, vetëm 1/3 e buxhetit mbushet nga tatimet indirekte, tha ai. Në lidhje me taksat direkte, eksperti i BE-së thotë se normat tatimore në Kosovë nuk janë të drejta, posaçërisht ndaj atyre me të ardhura të ulëta duke propozuar reformë fiskale. “Taksimi progresiv absolutisht është i nevojshëm për të pasur një shtet modern funksional. Ai që merë të ardhura më të larta, duhet të kontribuojë më shumë se sa ai që pranon të ardhura më të ulëta. Kjo është ajo drejtësi elementare sociale“, thekson eksperti për politika tatimore i BE-së, Martin Hutsebaut.


Ai thotë se vendet që pretendojnë të jenë shoqëri moderne, nevojitet të kenë shërbim mirë të zhvilluar shëndetësorë, si dhe sistem publik pensional, që në Kosovë nuk ekzistojnë. “Po ashtu shtesat e fëmijëve, duhet të përkrahni në një shtet ku keni shumë të rinj e fëmijë. Një taksist me të cilin erdha nga aeroporti, më tha se i ka 5 fëmijë, e pyeta se a merë përkrahje për edukimin, shpenzimet apo nevojat e tjera të fëmijëve, më tha jo asgjë. Pra, duhet po ashtu të zhvillohet kjo shtyllë e sigurimeve sociale”, potencoi eksperti Hutsebaut.

Për ti bërë të gjitha këto, në një shtet jo të zhvilluar sikur Kosova, eksperti i BE-së sugjeron. “Para së gjithash duhet të ketë një qeveri e besueshme. Në mënyrë që njerëzit ti besojnë qeverisë dhe të jenë të sigurt se paratë e tyre përdoren në mënyrë efikase e korrekte dhe të gjithë paguajnë taksat. Pastaj në mënyrë automatike do të rriten të hyrat, por duhet natyrisht kontrolli. Duhet pra legjislacioni i mirë, ministritë funksionale dhe të pa-korruptuara, dhe ju nevojitet transparenca, kontrolli, sepse të gjithëve iu duhet kontrolli në mënyrë që njerëzit të jenë të sigurt se çdo gjë është korrekte”, thotë ai. /Telegrafi/