LAJMI I FUNDIT:

Komunave u hiqen kompetenca për ndërmarrjet publike

Komunave u hiqen kompetenca për ndërmarrjet publike

Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Ndërsa, me propozimin e komisionit punues është hequr pika 11.2, e cila kishte ngjallur polemika rreth ndikimit të komunave për ndërmarrjeve publike.

Për heqjen e këtij amandamenti kishte një koncensus të plotë nga pozita dhe opozita, mirëpo për votimin në Kuvend të projektligjit në tërësie ende nuk kanë vendosur nëse do ta votojnë ose jo.


Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri Muhamet Mustafa tha se pas analizave që kanë bërë kanë ardhur në përfundim se ajo pikë nuk duhet të qëndroj fare në projektligj, prandaj edhe grupi punues ka rekomanduar heqjen e asaj pike.

“Normal, që ne e kemi analizuar dhe ka pasur një konsensus se ajo pjesë e ligjit duhet të rikonsiderohet gjatë analizës ne kemi parë se paragrafi i parë i pikës 11.3 mund t’i përfshijë edhe iniciativat nga komunat për të tërhequr asete të caktuara në ndërmarrje të caktuara dhe për t’i përdor për qëllime publike. Kështu që meqenëse parimisht paragrafi i parë zgjedh problemin edhe të paragrafit të dytë, paragrafi i dytë nuk ka qenë i nevojshëm dhe e kemi fshirë”, tha Mustafa.

Me heqjen e kësaj pike është pajtuar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të cilën pikë e ka quajtur problematike. “Po, natyrisht përkrahja e ligjit në tërësi varet edhe prej amendamenteve tjera. Ai amendament që është hequr, është shumë mirë, sepse ka qenë një prej amendamenteve me problematike në këtë ligj”, theksoi Ymeri.

Kreu i VV-së, paraqiti edhe dy amendamente, ku njëri ka të bëjë me ligjin bazik, dhe tjetri me projektligjin e propozuar nga Qeveria për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike.

Amendamenti i parë ka të bëjë me ligjin bazik, ku është propozuar ndryshimi i nenit 9.2 të ligjit bazik ku flitet për privatizimit të aksioneve pjesërisht ose tërësisht të ndërmarrjeve publike, e cila bëhet me shumicë të votave,që të bëhet me dy të tretat e votave të deputete, për siç tha Ymeri për ta cilësuar votën e deputetëve në Kuvend, kur flasin për privatizimin e ndërmarrjeve publike. Ky amendament mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit.

Ndërsa, amendamenti tjetër që ka të bëjë me projektligjin e propozuar nga Qeveria, saktësisht në nenin 37 a, në të cilin përflitet për Trepçën specifikisht, të ndryshohet, por që nuk mori përkrahjen e anëtarëve të Komisionit.

Por, kryetari i Komisionit Mustafa tha se Trepça do të rregullohet me ligj të veçantë dhe strategji, ku do t’i paraprij një studim i fizibilitetit.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala pati një kërkesë për të futur një amendament i cili parasheh që të ketë kuotë për gjininë femërore edhe në bordet e ndërmarrjeve publike.
/Telegrafi/