LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet ligj për zjarrfikësit

Kërkohet ligj për zjarrfikësit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë ka vlerësuar se gjendja e Zjarrfikësve në Kosovë është e vështirë dhe se për këtë kategori të shërbyesve civil duhet pasur një ligj të veçantë me anë të së cilit do të rregullohej gjendja e tyre.

Mirëpo para kësaj ky komision në mbledhjen e tij të rregullt vendosi që të mbaj një takim me Sindikatën e Zjarrfikëseve i cili do të zhvillohet të premten në orën 11:00, dhe pas 40 minutash takim me kryeshefin e Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave Fadil Kodra.

Kryetari i këtij komisioni Daut Haradinaj kërkoi së pari të bëhet dërgim i një letre drejtuar të gjitha mekanizmave të përfshirë në këtë çështje, gjë e cila më pas u anulua për shkak se u vendos të mbahet takim së pari me sindikatën e Zjarrfikësve për të parë nga afër dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre.


“Ata shprehin shqetësim se një pjesë, një kategori e zjarrfikësve nëpër komuna kanë koeficientin 4.3 që nënkupton një koeficient jashtëzakonisht i ultë, që nuk janë të pajisura me uniforma tash e 12 vite, që nuk janë të avancum në grada, që nuk ka sistem hierarkie apo komande, që në disa regjione ta marrin shembull në Prishtinë që është Brigada e Reagimit të Zjarrfikësve e kur përfshin Obiliqin, Fushë Kosovë, Lipjan është një sistem i mirëfilltë i organizuar”, tha Haradinaj.

Ndërsa Rexhep Selimi, si anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se hartimi i një ligji të veçantë për këtë kategori do të ishte fillimi i zgjidhjes së këtij problemi. “Ndër më kryesoret kish me qenë një iniciativë për Ligj të veçantë për zjarrfikësit, andaj njëra nga kërkesat për aq sa dëgjova unë, kërkesa për më pas ligj të veçantë për zjarrfikësit unë do ta kisha mbështet, njëri prej problemeve kryesore i zgjedhur nëse ne si komision mund ta bëjë, kemi të drejtë në një iniciativë parlamentare që ta hartojmë ligjin e veçantë për zjarrfikësit si fillimi i zgjidhjes të këtij problemi”, ka thënë Selimi.

Ndërsa Zafir Berisha, nga Nisma ka thënë se vet fakti që në Prizren që nga viti 1972 nuk ka ndryshuar numri i punëtorëve të këtij sektori e deri në ditët e sotme, tregon për gjendjen në të cilën janë zjarrfikësit dhe për atë se duhet intervenuar në gjetjen e një zgjidhje. “Ndoshta në konsultë dhe me vet sindikatën e zjarrfikësve me mujt me pas një ligj të veçantë për zjarrfikësit pasi që zjarrfikësit lidhen drejtpërdrejtë me sigurinë e vendin”, ka thënë Berisha.

Në fund të takimit u vendos që pasi të takohen me sindikatën e zjarrfikësve, të cilët siç tha kryetari i këtij komisioni kanë dallime dhe përçarje mes vete, të vendosin për hapat që do të merren për këtë çështje.

Ndërsa u vlerësua të ketë qenë e suksesshme puna tre mujore e këtij komisioni nga kryetari dhe anëtarët e tij , duke theksuar se gjatë kësaj periudhe është miratuar ligji për Pjesëmarrje në Konflikte Jashtë vendit, se në këtë komision është bërë dëgjim publik i dy ministrave, atij të Brendshëm dhe të FSK-së, të ish-komandantit të FKS-së dhe të drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/