LAJMI I FUNDIT:

Fiskalizimi nuk është sukses i 100-ditëshit

Fiskalizimi nuk është sukses i 100-ditëshit

Fiskalizimi i naftëtarëve por edhe i bizneseve tjera është ndaluar pothuajse plotësisht. Udhëzimi i ri Administrativ i nënshkruar javë më parë nga ministri i Financave, Avdullah Hoti ende nuk po gjen zbatim, edhe pse ishte premtuar se fiskalizimi do të ecë me hapa të shpejtë.

Ministria e Financave nuk është përgjigjur në pyetjet e GazetësExpress pse po ndodh një situatë e tillë, deri sa Administrata Tatimore e Kosovës, ka kthyer një përgjigje të shkurtë ku thotë se “ATK është e përkushtuar në zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Arka Fiskale dhe jemi në proces të përgatitjes së planit të veprimit për implementimit të këtij udhëzimi, në momentin që të finalizohen këto proceduara do të ju njoftojmë”.

Megjithatë shumica e pompave të naftës funksionojnë pa arka të veçanta fiskale të cilat janë të obliguara t’i instalojnë që në vitin 2012. Evazioni fiskal është shumë i madh marrë parasysh qarkullimin që kanë këto kompani.


Fiskalizimin e naftarëve e pati ndërprerë kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, një zyrtar i LDK-së, i cili pati kundërshtuar fuqishëm këtë proces.

Megjithatë më vonë u kuptua se vet Berjani dhe një grup nga Shoqata e Naftëtarëve po synojnë të fusin në treg një kompani për shitjen e sistemeve fiskale. Në këtë kompani ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Teknologjisë Informative në ATK.

Edhe pse janë pyetur disa herë rreth kësaj çështje, zyrtarë të ATK-së nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje. Në anën tjetër janë edhe rreth 25 mijë biznese aktive që nuk janë fiskalizuar të cilat e përbëjnë gjysmën e numrit të përgjithshëm të biznesve aktive në Kosovë.

Dje në paraqitjen e 100 ditëshit të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa e përmendi edhe udhëzimin e ri administrativ për arka fiskale.

Por edhe disa javë pasi ka hyrë në fuqi ky udhëzim nuk ka treguar efekte pasi i njëjti përvec se nuk parasheh afate kohore të fiskalizimit të bizneseve, e shtyen kohën e kontrollit periodik nga 12 në 24 muaj, duke vënë në rrezik funksionimin e pajisjeve fiskale dhe rrjedhimisht edhe mundësinë e evazionit fiskal. /Telegrafi/