LAJMI I FUNDIT:

Zhvatja në emër të reklamave

Zhvatja në emër të reklamave

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), për tetë muaj me radhë ka paguar faturat për të siguruar hapësirat reklamuese nëpër Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

70 mijë euro janë paguar brenda tetë muajve për “shfrytëzimin” e këtyre hapësirave reklamuese. Pagesa e këtyre faturave dhe nënshkrimi i kontratës është bërë nga udhëheqësit e kësaj kompanie.

Por, për tetë muaj PTK-ja nuk ka shpalosur në këto hapësira asnjë pankartë të sajën me qëllim të promovimit të ndonjë produkti të saj. E për keqpërdorimin e rreth 70 mijë eurove PTK-ja ka marrë vetëm disa masa disiplinore për disa të punësuar.


Ndërkohë që rasti nuk është dërguar në polici apo prokurori për të hetuar nëse shkelje të tilla përbëjnë shkelje penale.

Burimet e gazetës kanë bërë të ditur se kontrata fillimisht është nënshkruar në kohën kur kryeshef i PTK-së ishte Ejup Qerimi. Por, pagesat kanë vazhduar edhe në kohën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit Mehdi Latifaj.

Ky i fundit dhe Valon Zhuniqi, drejtor i Valës, kanë vazhduar t’i paguajnë këto hapësira reklamuese edhe pse në to nuk ishte vendosur asnjë reklamë e PTK-së. /Telegrafi/