LAJMI I FUNDIT:

Serbia siguron daljen në det: Projekti i autostradës Durrës-Nish nënshkruhet në qershor

Serbia siguron daljen në det: Projekti i autostradës Durrës-Nish nënshkruhet në qershor

Protokolli për realizimin e projektit të autostradës Durrës-Nish do të nënshkruhet brenda 15 ditësh. Nënshkrimi i këtij protokolli pritet të bëhet rreth 15 qershorit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Deklarata është bërë nga ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, gjatë një interviste për gazetën serbe “Kurir”.

Ajo shprehet se projekti i autostradës Nish-Merdare-Prishtinë-Tiranë-Durrës do të kushtojë rreth një miliard euro.


“Distanca totale është rreth 385 kilometra dhe lidh Korridorin 10 nga Nishi në Serbi, mbi portin e Durrësit me Prishtinën. Kjo është lidhja kryesore në mes të Korridorit 10 dhe 8 (Maqedonisë dhe Bullgarisë), dhe kryqëzohet me rrugën Shkup-Prishtinë, si dhe rrugën Sarajevë-Podgoricë-Vlorë. Vlera e parashikuar e investimit është një miliard euro”, thotë ministrja Mihajloviq, transmeton Shekulli.

Ndërkohë, ajo theksoi se projektet do t’i prezantohen në gusht Vjenës.

“Serbia dhe Shqipëria prej gjashtë muajsh janë duke punuar rreth kësaj dhe jemi duke i përgatitur projektet të cilat dy kryeministrat do t’i prezantojnë në Vjenë gjatë muajit gusht”, ka thënë Mihajloviq. “Kjo autostradë do të jetë e rëndësishme sepse lidh rajonin, sidomos për Serbinë, e cila do të sigurojë dalje në det nëpërmjet Shqipërisë. Stabiliteti politik është kusht për realizimin e këtij projekti”.

Ministrja serbe përgëzoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për pritjen e ofruar në Shqipëri gjatë vizitës dyditore.

“Rama ishte një mikpritës i shkëlqyer. Fjalët dhe sjelljet e demonstruara treguan angazhimin për bashkëpunim të plotë dhe përmirësimin e marrëdhënieve. Bisedimet ishin intensive”, tha ministrja, duke pohuar se do të jetë dhe ajo pjesë e turistëve të bregdetit shqiptar.