LAJMI I FUNDIT:

Energjia në Europë, shumë projekte dhe pak punë

Tragjedia dhe farsa kanë qenë shumë shpesh karakteristikat kryesore të përpjekjeve të Bashkimit Europian për të përmirësuar sigurinë energjetike. Varësia nga Rusia, e cila furnizon një të tretën e importit europian të gazit, duket se po bëhet problem gjithnjë e më shqetësues. Moska po shfrytëzon energjinë për të përçarë dhe sunduar fqinjët e vet perëndimorë. Kompani të rëndësishme energjetike nga Gjermania dhe Austria kanë ëndërruar për marrëdhënie të mira me gjigantin e gazit "Gazprom". Mungesa e dallimit mes politikës dhe fitimit është mishëruar te Gerhard Shrëder, ish-kancelar i Gjermanisë, i cili që nga viti 2005 ka qenë fytyra e projektit të Rrymës së Veriut, një gazsjellës që mendohet se do të ecë nën detin Baltik, për të shmangur Poloninë. Së bashku me projektin simotër Rryma e Jugut, ky gazsjellës është konceptuar t‘u japë fund lajmeve të zakonshme për grindje mes Ukrainës dhe Rusisë. Edhe konsumatorët europianë do të përfitojnë nga kjo, por vendet e reja anëtare po alarmohen nga ideja e kthimit me forcë të Rusisë në Europë.

Kjo është panorama e projekteve. Por në realitet "Gazprom" ka humbur një pjesë të konsiderueshme të tregut europian, për shkak se është një kompani shumë e keqmenaxhuar, ka investuar shumë pak gjatë viteve të fundit etj. Gjithsesi, tani diskutimi kryesor është një projekt masiv me emrin "Nabucco". Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, ka marrë përsipër ta këshillojë këtë projekt. Javën e shkuar në Ankara, disa vende furnizuese dhe ato të Ballkanit ku ky tubacion do të kalojë, nënshkruan më në fund marrëveshjen për ndërtimin e tij. Marrëveshja ishte pasojë e 200 milionë eurove të shpenzuara sakaq nga Bashkimi Europian, plus ndryshimeve të rëndësishme politike. Thuhet se Turqia e pati bllokuar ndërtimin e tij. Por kur Bashkimi Europian miratoi në heshtje një projekt konkurrent që shmang Turqinë, edhe Ankaraja më në fund ndryshoi mendje.

"Nabucco" do të mund të transportojë 30 miliardë metër kub gaz në vit. Por kjo tani për tani është vetëm një e pesta e asaj që Rusia furnizon. Dhe për më tepër, ky projekt nuk mund të përfundojë para vitit 2015. Për më tepër, burimet e gazit që do ta furnizojnë atë mbeten të paqarta. Azerbajxhani nuk ka gaz të mjaftueshëm. Irani mund të jetë një zgjidhje e logjikshme, por sot për sot pengohet për arsye politike. Një furnitor premtues i ri është rajoni kurd i Irakut. Në maj, një konsorcium i mbështetur nga Perëndimi prezantoi një projekt për të investuar 8 miliardë dollarë për nxjerrjen e gazit atje dhe shitjen e këtij gazi për "Nabucco"-n. Edhe Bagdadi zyrtar e miratoi këtë projekt. Por vendi më premtues duket se është Turkmenistani, një diktaturë e Azisë Qendrore, që besohet se jeton mbi rezervën më të madhe të gazit në botë. Presidenti i këtij vendi, Gurbanguly Berdymukhammedov, deklaroi pak ditë më parë se ai "ka tepricë gazi dhe mund ta shesë atë te të huajt, përfshirë ‘Nabucco‘-n".


Megjithatë, kjo do të kërkojë një gazsjellës tjetër nën detin Kaspik dhe kjo ide është thuajse e pamundur, për shkak se mund të kundërshtohet nga Rusia dhe Irani, të cilat janë gjithsesi të gatshme të ofrojnë një linjë tokësore po për këtë gazsjellës. Për më tepër, Rusia është fuqia e vetme serioze në Kaspik dhe ajo ka dëshmuar se ka ndër mend ta përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur interesat e veta.

Amerikanët ndërkohë po lobojnë në Turkmenistan për "Nabucco"-n. Mbështetja e Uashingtonit ka qenë vendimtar edhe për ndërtimin e naftësjellësit Baku-Tbilisi-Ceyhan, i cili kalon nga Azerbajxhani në bregdetin e Turqisë në Egje dhe që fillimisht ishte konsideruar një ëndërr. Tani mbështetësit e "Nabucco"-s shpresojnë të përsërisin të njëjtën hile. Në rajon ka edhe shumë projekte të tjera më modeste. /shqip/