LAJMI I FUNDIT:

Organizoni kohën

Organizoni kohën

Femrat të cilat kanë karrierë serioze, mbajnë shtëpinë, kujdesen për fëmijët, organizojnë takime me miqtë, familjen dhe të njohurit, për shkak të angazhimeve të mëdha sociale e kanë humbur atë që është më e rëndësishme- kohën të cilën duhet t’ia kushtojnë vetes.

Mungesa e kohës së lirë për çlodhje bëhet problem kronik për shumicën e femrave moderne të punësuara. Megjithatë, pavarësisht obligimeve të shumta me një organizim të mirë mund të siguroni kohë për vete.

Mbani llogari për atë që keni bërë dhe kur e keni bërë
Ashtu siç është me rëndës të mbani evidencë për atë ku dhe si i shpenzoni paratë e juaja, ngjashëm është edhe me kohën. Merrni tri ditë pune të javës dhe shkruani çka keni punuar dhe sa gjatë. Sigurisht që do të vëreni se shumë kohë keni humbur në kërkimet e panevojshme në internet, në shoping ose gjatë qëndrimit para televizorit. Mos harroni se vetëm 15 minuta të humbura çdo ditë, në fund të javës shndërrohen në disa orë të humbura.


Mos u ngarkoni me shumë informata
Jetojmë në një kohë kur vazhdimisht jemi të bombarduar me informata të reja. Vetëm mendoni se sa kohë shpenzoni duke menduar se si të jeni në hap me modën. Sa shumë lexoni, shikoni dhe dëgjoni lloj lloj të rejash, dhe sa kohë humbni duke përcjellë ngjarjet e të famshmëve. Pyetja është se sa janë të nevojshme për jetën tuaj këto informata. Në epokën e internetit gjithçka që ju nevojitet mund ta gjeni për një moment në internet dhe nuk keni arsye të humbni kohë të merreni me gjëra të cilat nuk keni nevojë t’i dini. Shkarkohuni dhe do të kenë më tepër kohë për gjëra tjera.

Mos dilni në shoping nga mërzia

Duke shikuar nëpër vitrina, duke ecur nëpër qendra tregtare ose nëpër qytet, vetëm për të para se çka ka dalë e re në treg, është njëra nga mënyrat më të shpeshta të humbjes së kohës te femrat. E dimë se është një formë terapie për secilën femër, mirëpo kur i shikoni gjësendet të cilat i keni blerë vetëm për të pasur diçka të re sirtarin tuaj, do të kuptoni se krejt çka keni bërë është një humbje e madhe e kohës dhe parave. Shkoni nëpër dyqane atëherë kur vërtet ju nevojitet diçka.

Shpërndajeni energjinë
Të gjithë e dinë se në cilën pjesë të ditës kanë më shumë energji për punë. Shfrytëzojeni këtë kohë për t’i kryer obligimet më të rëndësishme. Për shumicën e njerëzve mëngjesi është koha kur kanë më shumë energji. Orët e pasdites, kur jeni të lodhur, shfrytëzojini për punë më të lehta, siç është përgatitja e darkës ose bisedat telefonike.

Kujdesin për veten dhe trupin e leni për mëngjes

Shumica e femrave presin mbrëmjen, kur të gjithë shkojnë të flenë dhe kur shtëpia është e qetë, të qetësohen, të kujdesen për vete dhe të ushtrojnë. Mirëpo, kjo vetëm sa do ta vazhdojë ditën tuaj të lodhshme dhe do t’u mbajë të zgjuar. Provoni që kohën për kujdes dhe rregullim ta bartni në mëngjes, kur po ashtu shtëpia është e qetë dhe nuk u pengon askush. Do ta shihni se do ta keni një ditë më të mirë dhe krejt kjo do të ndikojë në pamjen tuaj të lumtur dhe të buzëqeshur.

Ditën fillojeni të vendosura
Mëngjesi është koha e përsosur jo vetëm të kujdeseni për veten, por edhe t’i planifikoni punët e rëndësishme. Zgjidhni gjërat e rëndësishme të cilat i keni patjetër t’i kryeni dhe mundohuni t’i realizoni ato deri pasdite. Ky planifikim ju jep më tepër liri pasdite, kur u mbetet më tepër kohë për gjërat private.

Vizitoni tjerët në bazë të orarit tuaj
Nëse mëngjesi është pjesa më produktive e ditës suaj, atëherë mos aranzhoni vizita te mjeku ose stomatologu gjatë kësaj kohe. Shumicën e këtyre obligimeve i leni për pasdite. Shumica e njerëzve zakonisht i nënshtrohet vullnetit të miqve për t’u takuar, gjë e cila jo vetëm se e zvogëlon produktivitetin e tyre, por edhe ua merr kohën.

Kohën “ndajeni në grupe”
Shumica e njerëzve në mënyrë të gabuar e shfrytëzon kohën, kështu që fillon me një punë, të cilën pastaj e ndërpret për obligime tjera. Kur i merrni mbi vetë shumë përgjegjësi, atëherë provoni t’i gruponi punët e ngjashme dhe t’i kryeni ato së bashku.