LAJMI I FUNDIT:

Të dobësohemi me zgjuarsi

Të dobësohemi me zgjuarsi

Dieta funksionon më mirë kur ndjekim edhe disa këshilla të vogla, për të mos gabuar gjatë këtij procesi.

Të mbash dietë nuk është e thjeshtë dhe këtë e dinë të gjithë, sidomos ata që të hënave apo në fillim të muajit kanë vendosur të rregullojnë regjimin e ushqimit dhe pas disa ditësh kanë hequr dorë.

Megjithëse të shumta janë reklamat që premtojnë mrekulli pa asnjë sakrificë, është e kotë të gënjejmë veten, transmeton Telegrafi. Për të humbur kilet e tepërta, duhet të bëhet ndonjë sakrificë dhe të heqim dorë nga ushqimi apo ëmbëlsira e preferuar.

Atëherë si t’ia arrijmë qëllimit kur gjendemi përballë mijë tundimesh që shqetësojnë atë që po mban dietë?


Ja një listë me këshilla për të gjithë ata që kanë vendosur të nisin një dietë.

1. Fillimi i mbarë gjysma e punës. Është e kotë të nisësh dietën në një ditë jo të mirë apo në një periudhë stresi. Të ndjekësh një regjim apo një dietë kërkon shumë energji, për këtë arsye është shumë e rëndësishme të nisësh dietën në një moment pozitiv.

2. 7 kg në 7 ditë. Përcaktojini vetes një objektiv të arritshëm. Një dietë shumë e fortë, përveçse nuk është e ekuilibruar nga pikëpamja e ushqimit, por do të nxisë të biesh më shpejt pre e tundimeve.

3. Mos u izolo! Një nga armiqtë kryesorë të dietës është ideja fikse që keni mbi ushqimin. Gjatë kësaj periudhe takohuni me miqtë, programoni një mbrëmje për të vajtur në kinema apo në teatër, për të larguar mendjen si dhe për t´u argëtuar.

4. Pazari. Jeni në treg dhe sytë ju mbeten te një sërë produktesh që për ju janë të ndaluara? Ekspertët e dietave ju këshillojnë që sa herë shihni ndonjë produkt të ndaluar ta lidhni me ndonjë gjë jo të pëlqyeshme për ju, dhe në këtë mënyrë do të arrini të mos tundoheni. Dhe një sugjerim tjetër, asnjëherë mos bëni pazar me stomakun bosh.

5. Syri bën punën e tij. E keni dëgjuar shprehjen “të ngopet syri”. Është e rëndësishme që gjithmonë para se të hani vaktet ta përgatisni tavolinën më së miri, me fantazi, dhe po të jetë e mundur edhe me ndonjë vazo të bukur me lule. Vendosni të gjitha gjërat që keni përgatitur dhe më pas uluni për të ngrënë. Do të vini re që kështu nuk do të keni aq shumë uri.

6. Keni kujdes me ritmin e ngrënies. Mos nxitoni, por përtypni ngadalë çdo kafshatë. Kjo është mënyra më e mirë për t´u ndjerë të ngopur dhe për të mos tentuar të marrim edhe një pjatë të dytë.

7. Pastroni dhëmbët dhe duart. Pasi keni ngrënë për të mos tentuar të hani ëmbëlsirë lani dhëmbët si dhe lyeni duart me një krem hidratues aromatik. Kjo do t´ju ndihmojë të mos ndieni aromat e desertit apo ushqimeve të tjera.

8. Kënaquni me blerje. Jeni në një periudhë kur keni vendosur të hiqni dorë nga shumë gjëra? Për të plotësuar mungesën e ushqimit kënaquni me blerje dhe pazarin. Shkoni në një parfumeri për të blerë një deodorant të ri, apo blini diçka që ju nxit edhe më shumë për të ndryshuar.

9. Lamtumirë peshore. Të fiksoheni pas peshores nuk ju ndihmon aspak për t´u dobësuar, madje ju fut në një gjendje ankthi. Është mirë që të merreni me ushtrime fizike, pasi në këtë mënyrë dhjamërat zëvendësohen me muskuj. Fillimisht pesha nuk do të ndryshojë, por mos u shqetësoni. Më shumë shihuni në pasqyrë se sa të peshoheni, dhe do të vëreni dallimin.

10. Familjarët. Ata që na shtyjnë më shumë drejt tundimit janë familjarët. Ata nuk janë në dietë ndaj kanë mundësinë të gatuajnë dhe të konsumojnë çdo gjë. Kur familjarët gatuajnë dhe hanë, ju merruni me diçka tjetër, si lexoni, shihni ndonjë film apo bëni shëtitje.

11. Shija e kufizimeve. Është e vërtetë se për t´u dobësuar duhet të angazhoheni plotësisht. Por, nëse ndonjë herë ju ftojnë në ndonjë festë, martesë, apo për një darkë në restorant, ju mos e kufizoni veten. Por, sigurisht pa abuzuar si duke ngrënë shumë, ashtu edhe duke porositur ndonjë sallatë.

10 këshilla për një dietë të thjeshtë

1. Pakësoni ushqimin ngadalë, por vazhdueshëm
Tregoni kujdes, pasi sasia dhe cilësia e ushqimit mund të mos mjaftojë, ndaj duhet ndjekur një strategji graduale. Fillimisht nisni me aktivitetin fizik, më pas bëni një ditar për ushqimin dhe pastaj nis pakësimi i yndyrnave.

2. Aktiviteti fizik duhet të jetë i rregullt
Organizoni veprimtarinë tuaj fizike në mënyrë të rregullt. Shëtitjet, ngjitjen dhe zbritjen e shkallëve, zëvendësoni stacionin e fundit të autobusit me ecjen në këmbë, evitoni të udhëtoni me makinë apo autobus për të shkuar në vendet pranë vendndodhjes suaj.

3. Matni ushqimet me një lugë
Vajin, salcën apo sheqernat llogaritini të jenë një lugë për vakt. Mundohuni të mos konsumoni ushqimet e gatshme që nuk dini përbërjen.

4. Hani një vakt të mirë
Në ditë duhet të konsumoni 4 deri në 5 vakte të vogla, por me kalori. Hani mëngjes për të mos u ndjerë të uritur në mbrëmje. Kjo është një këshillë që duhet ta mbani gjithmonë parasysh. Nëse në mbrëmje jeni të uritur dhe hani shumë më vonë do të përballeni me shtimin në peshë.

5. Përtypuni ngadalë dhe me kafshata të vogla
Për të tretur më mirë duhet ta përtypni ushqimin ngadalë dhe kafshatat të jenë të vogla. Tregohuni të duruar gjatë ngrënies.

6. Mos hiqni dorë nga buka, makaronat apo patatet
Asnjëherë mos mendoni se kilogramët e tepërt vijnë nga ngrënia e bukës, patateve, makaronave apo brumërave të tjera. Karbohidratet në sasi të kontrolluara nuk janë të dëmshme, ndërkohë që ato që gjenden te perimet janë shumë të kripura dhe të dëmshme. Ndaj, nëse tregoni kujdes në konsumimin e këtyre produkteve, mos i eliminoni nga menyja juaj.

7. Konsumoni fruta dhe perime
Duhet të konsumoni mesatarisht 3-4 fruta në ditë. Dhe në menynë e ditës nuk duhet të mungojnë 3 porcione të mira me perime.

8. Hani peshk
Të paktën dy herë në javë duhet të konsumoni peshk të gatuar me perime apo sipas dëshirës.

9. Mos pini pije alkoolike
Pijet alkoolike duhet të evitohen, pasi pakësojnë eliminimin e yndyrave.

10. Objektivi duhet të jetë i kapshëm
Gjatë dietës mos e kini mendjen te peshorja apo pakësimi i kileve të tepërta. Kontrollojeni peshën apo linjën tuaj me rrobat e përditshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori