LAJMI I FUNDIT:

“Koha e kometës” në ekranin e madh të Tetovës

“Koha e kometës” në ekranin e madh të Tetovës

Premiera e filmit "Koha e kometës" do të projektohet të mërkurën në mbrëmje në Tetovë.

Pas një turi premierash që startuan me projektimin e parë të filmit në Festivalin Veror të Durrësit, të martën në kinemanë ABC në Prishtinë, si edhe në kinemanë "Millenium" në Tiranë, filmi shfaqet edhe në ekranin e madh të Pallatit të Kulturës në Tetovë.

Në festivalin e Durrësit "Koha e kometës", arriti të merrte trofeun "fitues i filmit më të mirë kombëtar". I cilësuar si një film i shumëpritur dhe me kosto të lartë të realizimit, "Koha e Kometës" vjen me regji dhe skenar nga Fatmir Koçi, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë "Viti i mbrapshtë", prodhim i LARA Enterprises. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1914, kur Princ Vidi shpallet mbret i Shqipërisë.

Ngjarja fillon me luftë e përfundon me një histori dashurie. Xhirimet e filmit kanë nisur në Shkup, në Konakun e Havzi Pashait, në fshatin Bardovcë, si edhe në Shqipëri. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Blerim Destani, Masiela Lusha, Thomas Heinze, Luan Jaha, Gentian Zenelaj, Xhevdet Jashari, Adem Karaga e të tjerë. /Koha/