LAJMI I FUNDIT:

Çka mendon Buqja për Durrësin

Çka mendon Buqja për Durrësin

Njëra ndër anëtaret e jurisë së Festivalit Veror të Filmit në Durrës është edhe regjisorja Burbuqe Berisha. Ndoshta Berishës nuk i takon shumë të komentojë për filmat që janë shfaqur dhe janë në konkurrencë të këtij festivali, mirëpo ajo mendon se kualiteti i filmave është shumë i lartë.

“Unë sinqerisht them dhe po gëzohem që po fillon një festival i tillë serioz në trojet shqiptare që mund të ketë një jetëgjatësi dhe një seriozitet të madh”, tha ajo për Express. Mirëpo si në festivalin e filmit në Sarajeve ashtu edhe në Durrës po vërehet një mungesë e filmit nga Kosova derisa vendet tjera prodhonin me dhjetëra filma e dokumentarë.

Berisha mendon se problemi kryesor është tek politika kulturore që e ka Kosova për filmin. Ajo mendon se problemi është tek buxheti i vogël për filmin, mirëpo edhe Berisha duhet ta dijë se në Kosovë ka pasur filma me buxhet të madh të cilët nuk i kanë arsyetuar as për së afërmi mjetet që i kanë marrë.

“Me buxhete qesharake ne nuk mundemi të prodhojmë filma e as manifestime filmike”, ka shtuar ajo për Express. Berisha tregon se në qytetin e Durrësit po qëndrojë një fluks i madh i punëtorëve të filmit por a do të kurorëzohet me ndonjë prodhim filmik, kjo sipas Berishës nuk dihet.