LAJMI I FUNDIT:

Yjet e muzikës? I prekim pas 10 vjetësh

Yjet e muzikës? I prekim pas 10 vjetësh

Nuk ka asnjë lloj paragjykimi, është thjesht interesi i vendasve që i mban larg. Ata ndoshta nuk kanë dëgjuar asgjë për Shqipërinë, ndoshta e kanë një ide të vakët prej Kosovës. Po fundja jo detyrimisht duhet të dinë ndonjë gjë. Shqipëria nuk përbën për ta treg, ndaj dhe në hartën e tyre të turneve nuk është fare e përfshirë.

Vetëm pak ditë më parë, më 3 gusht, një nga emrat më në zë të muzikës amerikane, Lenny Kravitz, dha koncert në Ohër, në Maqedoni, ku prezantoi albumin e fundit, “It is time for a love revolution”, një përmbledhje e krijimeve të tij më të mira. Turi i Kravitz-it përfshin gjithë Evropën, duke renditur edhe Stambollin, Athinën e Budvën. Por sigurisht jo Shqipërinë.

Shumë adhurues të muzikës së tij vrapuan drejt qytetit të vogël, ku siç tregojnë, ishte krijuar një atmosferë e mrekullueshme. (Mësohet të kenë shkuar nga Tirana rreth 200 persona). Por nuk është rasti i vetëm…

Në korrik të 2007-ës, të mëdhenjtë “Rolling stones” dhanë koncert në Malin e Zi, në Budva. Shumë shqiptarë shkuan për të parë nga afër legjendarët. Të tjera grupe e këngëtarë me famë botërore kanë kaluar shumë afër Shqipërisë, pa e prekur atë, mes të cilëve edhe “Metalica”, që kanë shumë adhurues në vendin tonë. Madje këto ditë, në zonën e ish-Bllokut është vendosur një banderolë e madhe, ku lajmërohet një koncert i Madonnës në Budva, më 25 shtator, për të cilin biletat variojnë nga 42-90 euro.


Blendi Bombaj, përfaqësues i “Living room show”, që ka sjellë në Tiranë për të parën herë emra muzikantësh që kanë bërë histori, thotë pa u menduar gjatë, se është pikërisht interesi i publikut ai që mungon.

“Nëse do të marrim shembullin e koncertit të Lenny Kravitz në Ohër, po ju them se atje kanë qenë më shumë se 15 mijë spektatorë, ndërsa maksimumi që ne mund të arrijmë është 2.5-3 mijë vetë. Me këtë numër biletash të shitura, nuk mund të paguajmë as biletën e Kravitz”, thotë Bombaj, teksa shton se interesi i publikut shqiptar, nuk e justifikon koston e një koncerti.

“Këtu mund të vijë kushdo, por do të duhet të kalojnë dhe 10 vjet, që në Shqipëri të zhvillohet një koncert i tillë”, vazhdon Bombaj.

Kështu që është normale pse në Tiranë vijnë grupe që e kanë pasur shkëlqimin e tyre në vitet ’70-’80 dhe kujtohen vetëm nga 40-50- vjeçarët e sotëm.

“Ky është fillimi për Shqipërinë dhe ne po mundohemi me hapa të vegjël, të sjellim këtu artistë që mund t’i përballojmë financiarisht”.

Kështu, mbi këtë filozofi kanë dhënë koncerte grupe e këngëtarë si “Europe”, “Deep Purple”, Zucchero, Dolores O’Riordan, “Vaya Con Dios”, James Blunt, “Blues Brothers”, “Def Leppard”, etj. Të tjerë këngëtarë e grupe, kryesisht nga ata të “shpluhurosurit” në kohë, kanë ardhur për të kënduar 2 apo 3 këngë në skenat e festivaleve, apo spektakleve të ndryshme të zhvilluara në Pallatin e Kongreseve.

Tashmë në Tiranë janë ngritur disa “agjenci” që tentojnë të sjellin grupe e këngëtarë të huaj, me shpresën që edhe kryeqyteti shqiptar të futet në kalendarët e aktiviteteve të menaxherëve të muzikantëve të njohur.

Por duket se do të duhet të kalojnë edhe 10 vite të tjera, që në Shqipëri të vijnë emra të tillë si “Rolling Stones”, “Metalica”, apo Madonna, që gjithsesi deri atëherë do të jenë shumë të plakur (Mick Jagger i ka mbushur të gjashtëdhjetat) e do të tingëllojnë si sot, “Europe” apo “Def Leppard”. Ndaj dhe të interesuarit do të presin sërish biletat e do të shkojnë në vendet fqinje. /Shekulli/

Bilancet e koncerteve

Publiku max. në Tiranë: 3 mijë spektatorë

Publiku tek fqinjët (Maqedoni, Mal i Zi): mbi 15 mijë vetë

Bileta në Tiranë: 1-3 mijë lekë të reja

Bileta tek fqinjët: 40-90 euro

Një këngëtar i mirë kushton: 200-500 mijë euro