LAJMI I FUNDIT:

Hazir Reka ka hapur ekspozitën

Hazir Reka ka hapur ekspozitën

Një ndër fotografet më të njohur të Kosovës, Hazir Reka, ka hapur ekspozitën "n’Dritë", në fshatin e lindjes së tij, në Neredimë të Epërme të Ferizajt.

“Jam i nderuar që marr pjesë në këtë ekspozitë të bashkëqytetarit tonë, i cili motivet e lindura në shpatijet e Sharrit i ka shndërruar në një bjeshkë të madhe dhe të pasur të vlerave kulturoro-artistike dhe historike nëpërmes objektivit të fotoaparatit të tij”, ka thënë kryetari i komunës se Ferizajt, Bajrush Xhemajli.

Kurse punën e Rekës e ka vlerësuar lart edhe gazetari dhe analisti Halil Matoshi.

“I shihni këto portrete – plot drojë, frikë e lemëri, të ndukura janë nga galeritë hyjnore, dhe të fiksuara në sipërfaqe – si eksponatet e fundit që mund të shpëtohen nga një galeri që sapo e kanë mbërthyer flakët! Reka i ka zbutur paksa edhe flakët e luftës që të ruajë sa më shumë eksponate… fytyra groteske por plot dhembshuri e mjerim. E shikoni një fëmijë me lot ndër sy – janë sytë e trishtë të Kosovës – që xixëllijnë verbueshëm si vetëtima. Reka e zbutë atë dritë goditëse të vetëtimës, e frenon dhe na e bën tamam sa mos me na i vra sytë…”, ka thënë Matoshi për ekspozitën e Rekës.


Kurse Reka ka thënë se kjo ekspozitë i dedikohet vendlindjes se tij dhe familjarëve që e përkrahen atë pothuajse gjatë gjithë jetës se tij.