LAJMI I FUNDIT:

Libri shqip për bashkatdhetarët në Athinë

Libri shqip për bashkatdhetarët në Athinë

Shtëpia Botuese Toena do të ofrojë botimet e saj për shqiptarët që jetojnë në Athinë dhe Pire të Greqisë gjatë edicionit të 10-të të Festivalit Multikulturor të Athinës, një aktivitet tradicional që organizohet nga Klubi i UNESCO-s dhe Ishujve nga 7 deri më 22 qershor.

Shqipëria merr pjesë për herë të tretë në këtë Festival, përfaqësuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, e cila paraqitet me botimet e saj dhe një përzgjedhje nga shtëpitë e tjera botuese, sipas një njoftimi për shtyp të kësaj shtëpie botuese.

Edhe në vitet e kaluara libri shqip ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh lexuesish emigrantë që jetojnë në Athinë dhe zonat përreth. Librat historikë, letërsia për fëmijë, botimet enciklopedike, hartat e guidat e ndryshme, por edhe letërsia artistike bashkëkohore dhe e traditës kanë qenë nga librat më të kërkuara nga emigrantët vitet e kaluara.

Ndërkohë sipas njoftimit, në stendën shqiptare do të ekspozohen dhe shiten edhe objekte dhe punime të ndryshme artistike shqiptare, me motive tradicionale e kombëtare shqiptare.


Një nga mbrëmjet i është kushtuar edhe muzikës tradicionale shqiptare, programuar të organizohet të enjten, 12 qershor. Në përbërje të programit të grupit shqiptar do të ketë këngë polifonike nga grupet e njohur “Lot kurbeti” dhe“Vëllazërimi”. /start/