LAJMI I FUNDIT:

HTC e zyrtarizon One M9 me Snapdragon 810!

HTC e zyrtarizon One M9 me Snapdragon 810!

Pas disa muajsh të publikimeve të shumta jozyrtare dhe spekulimeve të shumta për modelin më të ri të telefonit të HTC, kompania tajvaneze HTC ka zbuluar më në fund pajisjen e tyre të fundit mobile, përkatësisht modelin HTC One M9 i cili u zbulua dje në Kongresin Botëror Mobil 2015 në Barcelonë.

HTC One M9 vjen me një dizajn të ngjashëm metalik si edhe paraardhësit e tij, por ka mjaft ndryshime të dukshme në pjesën e brendshme të telefonit.

HTC One M9 ofron ekranin me diagonalen prej 5-inç me rezolucionin prej 1920 x 1080 pikselëve, që është pak e habitshme pasi shumica e telefonave të fundit të avancuar janë të pajisur me një ekran QHD, madje edhe modelet më të fundit të Samsung, Galaxy S6 dhe S6 Edge.

Por, ka disa ndryshime të dukshme në pjesën e brendshme të telefonit. Modeli i ri – HTC One M9 është mundësuar nga procesori i fuqishëm Qualcomm Snapdragon 810 me 3GB RAM dhe 32GB memorie të brendshme për ruajtjen e të dhënave.
Gjithashtu, One M9 ka edhe portin për microSD për zgjerimin e hapësirës së brendshme që mbështet deri në 128GB memorie.
Siç edhe sugjerohej, HTC braktisi kamerat e dyfishta, dhe në HTC One M9 ka sjell kamerën e pasme me 20MP në f/2.2 dhe mundësinë e incizimit të videove në 4K, bashkë me kamerën e përparme UltraPixel.


Karakteristikat tjera të rëndësishme janë edhe lidhjet për Bluetooth 4.1, Wi-Fi 802.11 a/b/g/n/ac, bateria me 2,840 mAh, dëgjueset BoomSound dhe Android 5.0 Lollipop me Sense 7 UI.

Ende nuk është thënë asgjë për çmimin e këtij modeli, mirëpo telefoni i HTC-së pritet të paraqitet në treg gjatë këtij muaji. (Telegrafi)