LAJMI I FUNDIT:

Apple dhe Samsung marrin 95% të profitit

Apple dhe Samsung marrin 95% të profitit

Apple dhe Samsung së bashku kanë realizuar më se 95% të profitit të prodhuesve të telefonave të mençur gjatë çerekut të fundit të vitit.

Sipas rezultateve të analizës së bërë nga Michael Walkley nga kompania Canaccord Genuity, vetë Apple duke iu falënderuar shitjes shumë të mirë të iPhone 4S realizoi 80% të profitit të prodhuesve, që është rritje e madhe në krahasim me 56% të çerekut të tretë. Nga ana tjetër kompania mbante në posedim vetëm 8.1% të mbarë tregut të telefonave mobil.

Njëkohësisht posedimi i Samsungut në profitin e të gjithë prodhuesve ra nga 26 në 15%, por kompania rriti posedimin e vet në mesin e blerësve të telefonave të mençur të bazuar në Android nga 25 në 39%.

Në tërësi Apple gjatë çerekut të fundit shiti 37 milion iPhone, që i solli të hyra prej 13 miliard dollarë. Samsung nuk publikoi sa telefona mobil ka shitur, por sipas vlerësimeve të analistëve bëhet fjalë për rreth 35 milion copë.


Në mesin e prodhuesve të tjerë HTC realizoi 3% të mbarë profitit t të prodhuesve, i pasuar nga Nokia dhe RIM me 2% të posedimit. Motorola dhe LG ishin përafërsisht në zero gjatë çerekut të kaluar, derisa Sony Ericsson përfundoi me humbje prej 2%.

Walkley nuk pret gjatë këtij viti ndryshime të dukshme të këtyre marrëdhënieve duke pasur parasysh se RIM, Nokia, HTC dhe Sony Ericsson janë në mes të tranzicioinit të produkteve, e Motorola Mobility është e përqendruar në bashkimin me Google. /Telegrafi/