LAJMI I FUNDIT:

I kërkon divorcin, bashkëshorti tenton t’i presë kokën me thikë

I kërkon divorcin, bashkëshorti tenton t’i presë kokën me thikë

Dhuna ndaj grave nuk ndodh vetëm në zonat rurale dhe tek familjet me nivel të ulët social-kulturor, por edhe në qendër të civilizimit. Një 38-vjeçar nga Durrësi, nuk e ka pranuar dot idenë e divorcit nga gruaja e tij 31- vjeçare me profesion mjeke, me të cilën kishte një fëmijë disa muajsh. Për këtë arsye, ai ka shkuar në zyrën e saj mesditën e djeshme dhe ka tentuar t'i presë kokën me thikë.

Vetëm ndërhyrja e koleges ka mundur ta shpëtojë mjeken Anila Domi nga vdekja. Sipas policisë lokale, Altin Tepshi, 38 vjeç, ka goditur me thikë tre herë bashkëshorten e tij, ndërsa ka qenë në zyrën e saj të punës, në Drejtorinë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor, raporton BalkanWeb.

Mësohet se mjekja i kishte kërkuar bashkëshortit disa ditë më parë, divorcin dhe kujdestarinë e fëmijës, pasi kishin konflikte të vazhdueshme. Nga burimet policore mësohet se bashkëshorti ka qenë dje në zyrën e mjekes, në katin e dytë, në lagjen 6, ku gjendej edhe një tjetër kolege e Domit.


Pasi janë grindur për disa minuta, bashkëshorti Altin Tepshi, me thikë në dorë e ka pyetur nëse donte të divorcohej. Por pas përgjigjes së prerë të 31-vjeçares, e cila i ka thënë se nuk do të vazhdonte më, bashkëshorti e ka qëlluar disa herë në qafë dhe ka tentuar t’i presë kokën.

Në këtë kohë ka ndërhyrë kolegia, e cila e ka tërhequr 31-vjeçaren nga duart e bashkëshortit dhunues dhe ka lajmëruar policinë. 38 vjeçari, pas veprimit është larguar me shpejtësi, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.

Sipas bluzave të bardha të Durrësit, mjekja Anila Domi fatmirësisht nuk ka rrezik për jetën, pasi goditjet nuk kanë prekur venat kryesore. Mësohet se 31-vjeçarja, ishte kthyer në punë prej pak javësh, pasi kishte kryer lejen e lindjes.

Sipas policisë, mjekja kishte disa ditë që qëndronte në familjen e prindërve të saj, në lagjen 18 në Durrës, pasi ishte larguar nga banesa bashkëshortore. /Telegrafi/