LAJMI I FUNDIT:

I ftohti i pazakontë në Lindjen e Mesme

I ftohti i pazakontë në Lindjen e Mesme

Dimri më i ftohtë i dekadës në Lindjen e Mesme i ka kushtuar disa personave, ndërsa Izraeli, Palestina dhe Jordania janë zbardhur nga dëborë, në shumicën e territorit të tyre.

Përgjatë rajonit, shumica e shkollave janë mbyllur, ndërsa me dhjetëra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Reshje të dendura dëborë në Jerusalem gjatë së enjtes krijuan probleme të mëdha me transportin.


Temperaturat nën zero kanë goditur veçanërisht me qindra-mijëra refugjatë sirianë, të sistemuar në çadra në kampe të ndryshme në Jordani, Turqi dhe Liban, transmeton TCH.

Të paktën dy persona u konfirmuan të vdekur në Liban si rrjedhojë e kushteve atmosferike, përfshirë një fëmijë i rrëmbyer nga një rrjedhë e fuqishme lumi.

Katër të tjerë humbën jetën në Bregun Perëndimor, në Palestinë, si pasojë e përmbytjeve, ndërsa pesë turistë francezë u plagosën në Egjipt, kur autobusi me të cilin udhëtonin u përmbys për shkak të ngricës.

Ndërprerje të energjisë elektrike kanë ndodhur në Izrael, Liban dhe Jordani. Në këtë të fundit, Mbreti Abdullah II urdhëroi ushtrinë që të asistojë zonat më të prekura dhe të kontribuojë në lirimin e rrugëve. /Telegrafi/