LAJMI I FUNDIT:

34 milionë euro borxhe ndaj PTK-së

34 milionë euro borxhe ndaj PTK-së

Mbi 34 milionë euro është borxhi i konsumatorëve ndaj Telekomit të Kosovës, i evidentuar sipas sistemit të faturimit të datës 1 shtator 2009, i grumbulluar që prej vitit 2000. Shifrat të cilat janë bërë publike nga PTK përfshijnë edhe borxhet e UNMIK-ut ndaj po kësaj kompanie.

Bazuar në një njoftim zyrtar të kompanisë kjo gjendje, jo vetëm që rëndon buxhetin e PTK-së, por është tregues i gjendjes së mjerë juridike në Gjyqësorin e Kosovës dhe gjendjen alarmante në gjykatat kosovare me një numër tepër të madh të lëndëve të pazgjidhura.

“PTK, përmes këtyre fakteve pasqyron qartazi. problemin e madh që ka me Gjyqësorin e Kosovës”.

Në po të njëjtin njoftim zyrtar thuhet se që nga paslufta e deri tash Departamenti Legal ka ngritur gjithsejtë 320 padi për kompensim dëmi, të cilin dëm PTK-së ia kanë shkaktuar personat e pandërgjegjshëm në vlerë të përgjithshme prej afër 94 mijë euro, ndërsa janë realizuar 22 lëndë dhe janë inkasuar gjithsejtë 9.956,10 euro.


"Kanë mbetur pa u kryer edhe 197 lëndë gjithsejtë. Gjithashtu, borxhet e këqija janë në rritje në krahasim me periudhën e vitit të kaluar për 66 për qind”.

Ndërkaq, për Vala-n, numri total i propozim përmbarimeve / padive nëpër gjykata është 1318. Vlera e përgjithshme e borxheve është mbi 2 milione euro.

“Vala tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe kanë filluar procedurat për inkasimin e borxheve të këqija. Në bazë të të dhënave nga njësia Vala deri më tani Departamenti Legal i saj ka dorëzuar rreth 20 mijë kërkesa për padi në gjykatë, përveq kësaj ka filluar negocimi me borxhlinjtë. /Telegrafi/