LAJMI I FUNDIT:

28 Nëntori në Kosovën shtet dhe bashkimi kombëtar

…apo: pse festimet e 28 Nëntorit ishin protestë ndaj karakterit të shtetit nga i cili është fshirë çdo gjë shqiptare dhe nuk ishin manifestim kundër shtetit dhe pavarësisë së tij, përkundrazi…

1.
Sivjet 28 Nëntori Dita e Flamurit u festua në Kosovë më shumë dhe madje edhe tonet zyrtare ishin më festive se viteve të kaluara. A ka ndodhur ndonjë ndërrim emocionesh në masë të madhe ndaj kësaj date nga ana e shqiptarëve të Kosovës? Sigurisht që jo. Deri më tani, 28 Nëntori, Dita e Flamurit ka qenë festa kombëtare më e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, duke e pasur parasysh se kjo festë ka qenë dhe e është lidhur drejtpërdrejt me idenë e lirisë, e flamurit dhe bashkimit. Shumë e shumë dëshmorë kanë rënë në emër të mesazhit të kësaj dite e shumë të tjerë janë dergjur burgjeve e janë keqtrajtuar në forma të ndryshme. Sidoqoftë, me promovimin e Kosovës në fillim si shoqëri, e më pas si shtet multietnik (edhe pse shqiptarët përbëjnë mbi 90% të qytetarëve të saj), kjo festë, së bashku me flamurin kombëtar dhe çdo gjë shqiptare filloi fillimisht të injorohej, e më pas edhe të anatemohej (si demode, vlerë antievropiane etj.) deri sa me ligj u shndërrua kjo festë në një festë ceremoniale, me emër nënçmues Dita e Shqiptarëve.


Në Kosovë ka kuptim të ketë Ditë të Serbëve, Boshnjakëve, Turqve, Romëve, Ashkalive e Egjiptianëve, duke qenë pakica të vogla (të gjitha bashkarisht vështirë e kalojnë 7-8%) në mënyrë që të promovohen vlerat kombëtare të këtyre pakicave, por jo edhe Ditë të Shqiptarëve që janë komb shumicë në Kosovë. Që në krye të herës, është pritur, se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq. Me vite të tëra, festimet nuk janë bërë nga institucionet, e një gjë e tillë nuk ndodhi as kësaj radhe. Sidoqoftë ndonëse nuk pati festime zyrtare, zyrtarët më të lartë shtetërorë ishin më të kujdesshëm se kurdoherë, që të deklarohen dhe të urojnë qytetarët për 28 Nëntor. Nuk ka dyshim se shumë faktorë e midis tyre më kryesori presioni qytetar, kanë bërë që edhe zyrtarët shtetërorë kësaj radhe t’i japin nota më zyrtare kësaj date megjithëse nuk është festë zyrtare. Për më tepër shumica e përfaqësuesve të partive politike, por edhe zyrtarë të lartë qeveritarë, u deklaruan për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Festat Zyrtare, për ta futur 28 Nëntorin në radhën e festave zyrtare.

2.
Pati në ditët e pasfestës shkrime e analiza, të cilat duke mos e ulur rëndësinë e 28 Nëntorit shprehnin edhe njëfarë frike se mos mënyra e festimit, ndonjëherë me elemente “agresive”, sidomos ndaj simboleve të shtetit të Kosovës, po e vë këtë datë në opozitë me shtetin e Kosovës, duke argumentuar në disa prej këtyre shkrimeve me të drejtë se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me idenë e bashkimit kombëtar. Në të vërtetë, ky festim “agresiv” apo edhe “folklorik” është vetëm reaksion sesi është trajtuar çdo gjë shqiptare në këtë shtet, në të cilin shqiptarët janë mbi 90%. Dhe nuk ka dyshim, se prej fillimit është dashur të pritet se reagimi ndaj një trajtimi të tillë do të rritet. Kësaj radhe siç tha një mik i imi, festa për 28 Nëntorin, u shndërrua në një protestë. Pra mesazhi i festimeve, në të vërtet ishte protestues. Por nuk ishte protestues ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe pavarësisë e saj, por ishte protestues ndaj karakterit të këtij shteti, ndaj simboleve të tij të imponuara, dhe ndaj përmbajtjes dhe maskës që i kanë vënë këtij shteti.

U protestua kundër mishmashit të krijuar me Kushtetutën e Kosovës, ku shqiptarët trajtohen si një ndër komunitetet në Kosovë, dhe sipas së cilës Kosova nuk është as shtet qytetar (nga i cili përkrahësit e identitetit kosovar do të mund të thoshin se po krijohet një komb i ri këtu) e as shtet kombëtar i shqiptarëve por njëfarë modeli sui generis i shtetit multi-etnik, i pashembullt edhe për shtetet që vërtet kanë nevojë të jenë multietnike. Ishte protestues edhe ndaj ndalimit që me nenin 1.3 i bëhet deklarimit sovran të qytetarëve të Kosovës për bashkim me ndonjë shtet tjetër, në këtë rast me Republikën e Shqipërisë. Ishte edhe protestë ndaj simboleve, të imponuara në një proces jo transparent e me mungesa të mëdha demokratike. Andaj, protesta ishte drejtuar ndaj këtyre proceseve, por jo ndaj shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ishte në fund të fundit protestë ndaj faktit që shqiptarët nuk janë sovran në shtetin e vetë, që vetë Kosova nuk është sovrane me këtë përmbajtje politiko-juridike dhe kushtetuese dhe kjo tregon se në të vërtetë festimet (apo protesta) për 28 Nëntor ishin në funksion të bërjes së Kosovës shtet me sovranitet të plotë.

3.
Unë së paku nuk njoh njeri i cili është për bashkimin kombëtar, e që është kundër shtetit të Kosovës. Në rrugëtimin e gjatë të shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi e bashkim kombëtar, në varësi të rrethanave kanë ndërruar edhe kërkesat. Të gjithë e dimë mirë se një ndër kërkesat themelore gjatë viteve 70-të dhe 80-të të shekullit të kaluar ishte Kosova-Republikë nën federatën Jugosllave. As ajo kërkesë, njësoj si kërkesa për pavarësi e shtet më vonë, nuk janë parë asnjëherë në kundërshtim me idenë e bashkimit kombëtar; përkundrazi, janë parë si kërkesa në funksion të atij qëllimi. Ajo që në të vërtetë ka ndodhur në diskursin tonë publik deri në shpalljen e pavarësisë ka qenë anatemimi i idesë së bashkimit si një ide anakronike, romantike, që i takuaka shekullit të 19-të dhe që bartës të saj domosdo qenkëshin vetëm njerëzit që dëshirojnë ta destabilizojnë rajonin e që nuk e paskëshin të qartë se çka është politika bashkëkohore, e mbi të gjitha nuk e paskëshin të qartë se çka është integrimi evropian, i cili shihet edhe sot si një fund i lumtur politik për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, paçka se edhe ky projekti evropian po i ka sot goxha shumë telashet e veta, e besa edhe dilemat e veta. Një kohë të gjatë këtij debati i janë mbullur dyert.

Sidoqoftë, viteve të fundit si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, më shlirshëm është hapur debati për bashkimin kombëtar, për integrimet kombëtare apo për marrëdhëniet e Prishtinës me Tiranën. Dhe vërtet jeta e ka bërë të veten, sepse përderisa integrimet politike kanë ngecur, jeta ka ecur para, dhe shqiptarët sot po shtrojnë kërkesa të reja bashkëpunimi për shkak të nevojave të reja. Edhe një pjesë e kundërshtarëve të bashkimit nuk e mohojnë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë raporte speciale, madje ata nuk janë kundër integrimeve kombëtare ta zëmë në ekonomi, arsim, kulturë etj., megjithëse mendojnë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur. Pjesa më ekstreme e atyre që janë kundër bashkimit e që janë për krijimin e kombit kosovar, për dallim prej përkrahësve të bashkimit që nuk e anatemojnë idenë e pavarësisë së Kosovës, e shohin idenë e bashkimit si kundërshtim të konceptit të Kosovës së pavarur dhe dinë të jenë jashtëzakonisht përjashtues në diskursin e tyre kundër bashkimit kombëtar. Sidoqoftë, nga debati nuk ka dëme, por veç dobi, pa marrë parasysh se a i takojmë taborit që jemi për bashkim, apo kundër.

4.
Ajo që duhet të nënvizohet me forcë është se bashkimi kombëtar, apo në këtë fazë bashkimi i Kosovës me Republikën e Shqipërisë, nuk mund të ndodhë pa u përmbyllur deri në fund procesi i sovranitetit të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj deri në atë masë sa populli i saj ta fitojë të drejtën e vetëvendosjes së jashtme. E për të ndodhur kjo, duhet ndërruar Kushtetuta. Por për t’u ndërruar Kushtetuta, duhet që Kosova të kalojë nëpër një proces dialogu politik me Serbinë me të cilën i kanë mbetur pa zgjidhur dy probleme të mprehta: çështja e tri komunave serbe në veriun e Kosovës dhe çështja e tri komunave shqiptare në Kosovën Lindore. Me zgjidhjen e këtyre problemeve, përmes zbatimit të parimit të reciprocitetit në të drejta, që mund të përfundojë edhe me ridefinim të kufijve të Kosovës me Serbinë, mund të krijohen kushtet për rënien Pakos së Ahtisaarit, për ndryshimin e Kushtetutës, si dhe për krijimin e kushteve për hapjen e debatit për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa sa për ata që brengosen se pisllëku i qyteteve tona po del i vrazhdë pas përfundimit të festave, më duhet t’iu them se të tilla do të mbesin qytetet tona si në Kosovën e pavarur, si në Shqipërinë e bashkuar, si në Bashkimin Evropian, përderisa letargjia do t’ia zërë vendin aksionit qytetar, përderisa korrupsioni do të jetë më i nderuar se ndershmëria dhe përderisa zotësisë dhe profesionalizmit do t’ia zënë frymën pazotësia dhe diplomomania. E mira e zgjidhjeve të problemeve të rënda politike është se pastaj me tërë forcën mund të mobilizohemi si shoqëri për t’i luftuar këto dukuri. Ndërsa sa për festat, ne kemi festuar edhe nën robëri, edhe në burgje e në luftë, andaj një festim më tepër, sado që punët nuk i kemi vij në Kosovën tonë, nuk duhet të shkaktojë iritim të panevojshëm. Apo mos problemi qëndron tek ngjyrat e festës.

(Autori është Sekretar Organizativ i Lëvizjes për Bashkim)