LAJMI I FUNDIT:

18 milionë euro për sektorin privat

18 milionë euro për sektorin privat

Ky projekt i USAID-it është iniciativë katërvjeçare, që ka filluar në tetor të vitit të kaluar dhe synon të stimulojë sektorin privat, përmes granteve në vlerë prej 17.8 milionë dollarë.

Përfaqësues të Programit të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), shpalosen në Gjakovë, programin për ndërmarrje private (KPEP), i cili ka për qëllim rritjen e aftësisë së ndërmarrjeve private për konkurrencën në treg.

“Qëllimi i këtij projekti është që të promovohet kualiteti i përmirësuar dhe efektshmëria e produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në Kosovë, rritja e numrit të të punësuarve dhe integrimi i mëtejmë i Kosovës në Ballkan dhe më gjerë”, tha John McKillop, shef i programit të konkurrencës në bujqësi.

Ndërkaq Programi i Fondit për Aktivitete Strategjike i KPEP-it, prej 3.7 milionë, do të japë fonde për nënkontraktorët dhe kompanitë tjera konsulente vendore, OJQ-të dhe shoqatat e biznesit për iniciativa të ndryshme.


“Shanset për një zhvillim ekonomik të Kosovës vlerësohet të jenë në sektorin privat, prandaj USAID-i është orientuar pikërisht në përkrahjen e këtij sektori, duke pasur edhe shembujt siç është Bullgaria”, tha McKillop, i cili potencoi se do të përkrahet bujqësia, e në veçanti ata sektorë ku ka nevojë dhe potenciale më të mëdha në Kosovë./telegrafi/