LAJMI I FUNDIT:

15 vite nga gjenocidi në Srebrenicë

11 korrik 2010, ditë e diel, mbushën plot 15 vite nga gjenocidi i kryer në Srebrenicë nga forcat paramilitare, policore, ushtarake e barbare serbe ndaj zonës mbrojtëse të sigurisë së Srebrenicës të shpallur nga KS i OKB-së, me ç’rast vetëm për një javë, prej 11 korrik e gjer më 18 korrik 1995 janë vrarë dhe likuiduar mbi 8.000 boshnjakë myslimanë të dorëzuar, të zënë peng, dhe të zënë robër dhe atë që nga mosha 14 vjeçare e gjer në moshën 84 vjeçare. Ky gjenocid është kryer mu në Evropë, dhe si i tillë është i vetmi në Evropë, pas luftës së dytë botërore, edhe pse pas gjykimit në Nyrnberg, është thënë “kurrë më ”, kjo “kurrë më” është përsëritur pikërisht në Evropë, në Bosnjë dhe atë nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së).

Kjo është ditë të cilën boshnjakët e shënojnë për çdo vit, si ditë në të cilin ka ndodhur katrahura më e madhe në Evropë, gjenocidi mbi boshnjakët. Kjo është ditë, të cilën edhe neve shqiptarët duhet përkujtuar për çdo vit, dhe kurrë për të mos harruar, pasi që vetëm para ca ditësh serbët të tubuar me 28 qershor 2010 për Vidovdan, dhe atë në Gazimestan, mu në Kosovë, na përkujtuan prapë se çfarë mendojnë ata për neve me sloganin dhe klithjet “do të vrasim shqiptarët”. Kjo është ditë, të cilën do ta përkujtojnë çdo vit, edhe evropianët, pasi që Parlamenti Evropian tani më e ka shpallur si ditë përkujtimi në tërë Evropën, gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Kjo është ditë, të cilën duhet përkujtuar për çdo vit, pasi që gjenocidi është kryer si i tillë mu në Evropë, nga forcat barbare serbe. Këtu nuk mund e të mos e ceki thënien e përfaqësuesit australian gjatë ratifikimit të konventës për ndalimin dhe dënimin e gjenocidit me 9 dhjetor 1948 në sesionin plenar të Kuvendit të përgjithshëm të OKB-së: ”Gjenocidi është një vepër e tmerrshme, një gjë të tillë as njerëzit e egër e as shtazët nuk do të ishin të aftë ta kryejnë si të tillë”.


Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, si ditë gjenocidi ndaj boshnjakëve, ashtu si përkujtohet për çdo vit dita e holokaustit ndaj hebrenjve. Kjo ditë duhet përkujtuar, për çdo vit, për arsye se në përfundim të shekullit XX e në vigjilje të shekullit XXI, ka akoma popuj të tillë barbarë si serbët të cilët mund të kryejnë mizori të tillë para syve të Evropës dhe botës. Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, për të mos u harruar kurrë, sepse historia na mëson se një gjë që harrohet, mund të rikthehet apo përsëritet. Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, edhe si ditë në të cilën faktorët vendimmarrës botërorë, kanë dështuar “me apo pa dashje” dhe e kanë lënë në mëshirë të bishave serbe një popullatë të tërë, edhe pse duke u thirrur në kaptinën e shtatë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, me 16 prill 1993 Këshilli i Sigurimit e kishte miratuar Rezolutën nr. 819 duke e shpallur Srebrenicën zonë të mbrojtur dhe të sigurt nën përkujdesje të Kombeve të Bashkuara. Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, sepse batalioni holandez edhe pse ishte i mandatuar nga KS i OKB-së për të mbrojtur zonën e Srebrenicës, e tradhtoi dhe ua dorëzoi Srebrenicën forcave barbare serbe, pa shkrepur bile as edhe një plumb të vetëm në drejtim të forcave depërtuese serbe në Srebrenicë. Kjo ditë, duhet përkujtuar për çdo vit sepse forcat ajrore të NATO-së, edhe pse kishin mandat për të mbrojtur zonën e sigurisë së Srebrenicës, nga KS i OKB-së, “me apo pa qëllim” kanë hezituar të bombardojnë caqet serbe, me ç’rast do të kishin parandaluar një gjenocid të tillë të kryer në Srebrenicë. Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, si ditë në të cilin ka dështuar e tërë komanda zinxhirore “me apo pa dashje” nga ish-komandanti i UNPROFOR-it e gjer te ish-sekretari gjeneral i OKB-së.

Kjo ditë duhet përkujtuar për çdo vit, si nga boshnjakët ashtu edhe nga shqiptarët, sepse në këtë ditë një popull i cili kishte kryer gjenocid në Srebrenicë, është “shpërblyer “duke e kontrolluar gjysmën e territorit të Bosnjës e Hercegovinës dhe një çerek të territorit të Kosovës, dhe se i mban pezull të dyja këto shtete, por tani me mjete diplomatike dëshiron që ta përkufizojë edhe de jure gjendjen faktike në terren, dhe të realizojë projektin e Serbisë së zgjeruar në kufijtë e brendshëm të Bosnjës e Kosovës, pasi që projekti i tyre i ‘Serbisë së madhe’ dështoi. Edhe pse një thënie e urtë latine thotë “fiat iustitia, perat mundu”. që në shqip do të thotë: “të mbizotërojë drejtësia, edhe po të dështojë tërë bota”, kjo nuk ndodhi, pasi që jemi duke jetuar në një botë ku sundon real politika, e jo drejtësia, edhe pse Bosnja dhe Hercegovina ishte shteti në të cilin është kryer gjenocidi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vërtetoi gjenocidin e kryer në vitin 1995 vetëm për Srebrenicë, e jo edhe për BeH- në, sepse Gjykata Ndërkombëtare Drejtësisë me 26 shkurt 2007 shpalli vendimin lirues në padinë e ngritur të Bosnjës ndaj ish “RFJ-së” në vitin 1993 për agresionin dhe gjenocidin e kryer ndaj BeH, si shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe anëtar fuqiplotë i OKB-së, duke e vërtetuar vetëm kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë, dhe krimeve të kryera të luftës kundër njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë, dhe se ka shpallë që Serbia e Mali i Zi ( si trashëgues i ish “RFJ-së”) nuk janë ekzekutor dhe bashkautor në gjenocidin e kryer në Srebrenicë, porse vetëm Serbia është përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe mosdënimin e pjesëmarrësve të gjenocidit.

Tani, do të përshkruaj një kronologji të shkurtët të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Agresori serbomadh në dhe përreth Srebrenicës për vetëm një javë likuidoi dhe i mbuloi në varrezat masive me mijëra boshnjak të zënë rob, me qindra të gjallë i mbuloi në dhe, ka vrarë meshkuj, gra dhe fëmijë, duke i gjymtuar pjesët e trupit dhe duke i ther, bile ka vrarë edhe fëmijë para syve të nënave të tyre, ka detyruar gjyshin të hajë mëlçinë e nipit të vet, ka dhunuar gra dhe vajza të reja, ka deportuar rreth 30.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe se ka ekzekutuar mbi 8.000 burra, pleq edhe të rinj. Ky ishte rezultati i gjenocidit të kryer në Srebrenicë për më pak se një javë, para syve të mbarë opinionit evropian dhe botëror. Ofensiva e forcave serbe të “Republikës Serbe”me angazhim të përbashkët të njësive të armatës nga Serbia, si dhe vullnetarëve nga Rusia e Greqia, kundër zonës mbrojtëse të Srebrenicës të Kombeve të Bashkuara, ka filluar me 6 korrik dhe me 9 korrik forcat serbe ishin vetëm në një kilometër larg nga Srebrenica. Radovan Karaxhiqi me 9 korrik të vitit 1995 në bashkëbisedim me Miroslav Deronjiqin i thotë se “pas hyrjes në Srebrenicë, Mirosllave, të gjithë duhet vrarë… të gjithë çfarë mund të arrini”. Forcat serbe me 11 korrik 1995 hyjnë në Srebrenicë, zonën e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, pothuajse pa kurrfarë rezistence. Pas hyrjes në qendër të qytetit të Srebrenicës gjakpirësi gjenerali Ratko Mlladiq deklaroi: “Jemi me 11 korrik 1995 në Srebrenicën serbe, me rastin edhe të një feste serbe, ia dhurojmë popullit serb këtë qytet, Ka ardhur më në fund çasti, që pas ‘Bunës’ rebelimit kundër dahijve, turqve t’u hakmerremi në këtë sipërfaqe”. Natën e 11 korrikut 1995 sipas urdhrit të prerë me qindra meshkujt u likuiduan aty për aty, në mëngjesin e 13 korrikut vetëm afër një përroi, sipas dëshmitarëve, ka qenë një grumbull prej 300 trupash të therura, në mesin e të cilëve ka pasur edhe gra, dhe se të gjithë trupat ishin pa kokat e tyre. Në kampin ushtarak të Potoqares ku ishte i stacionuar batalioni holandez, prej popullatës së vërshuar prej 30.000 njerëzve, me datë 12 e 13 korrik u krye ndarja e meshkujve prej grave dhe fëmijëve, të mbi 1.000 meshkujve, të cilët i çuan në fushën pran Orahovcit, dhe se të gjithë u ekzekutuan në prani të gjeneralit famëkeq Mlladiq. Deportimi i grave dhe fëmijëve përfundoi me 15 korrik 1995 drejt Klladanjit dhe Tuzllës, pas së cilës pasoi ekzekutimi masiv i meshkujve të zënë rob dhe të dorëzuar. Në “operimin e vrasjes” e cila zgjati 4 ditë janë vrarë dhe ekzekutuar mbi 8.000 burra, që më pas janë groposur nëpër varrezat masive. Pushtimi i Srebrenicës, deportimi i civilëve nga Potoqari dhe operacioni i rrëmbimit, robërimit dhe të zënëve peng dhe likuidimi i tyre i mëtejmë, ishte akti gjenocidial, i cili ishte më parë i detajuar dhe i organizuar në mënyrë sistematike nga pozitat e larta politike dhe ushtarake serbomadhe. Numri i të vrarëve dhe koha e shkurtër e likuidimit flet se në përgatitjen dhe planifikimin e gjenocidit në Srebrenicë ka marrë pjesë i tërë potenciali politik, drejtues, policor dhe ushtarak serb. Udhëheqësi politik dhe ideologjik i gjenocidit ishte regjimi serbomadh i Millosheviqit, ndërsa ekzekutor i gjenocidit ishte elita politike dhe ushtarake e serbëve të “Republikës Serbe” në krye me Radovan Karaxhiqin e Ratko Mlladiqin.

Do të përmbylli këtë përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës, me një rrëfim të tmerrshëm, pas leximit të të cilit, “edhe po të kishte pasur njeriu zemrën prej gurit, ajo do të copëtohej nga një rrëfim i tillë”, të boshnjakes Xhemile Zekiqit dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë: “Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,… Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne…, u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimitë e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,…çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,…zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët…”