LAJMI I FUNDIT:

E vetmja gjë që kanë para shpirtit, janë ndihmat sociale prej 115 euro

E vetmja gjë që kanë para shpirtit, janë ndihmat sociale prej 115 euro

Të nëntë anëtarët e familjes Arifi nga Obiliqi jetojnë në një barakë që dritareve në vend të xhamave u është vënë najloni. Familja po heq të zitë e ullirit edhe për gjërat më elementare për jetë. Të rritur në skamje të shtatë fëmijëve u është ngrirë buzëqeshja

Korniza të dritareve të mbuluara me najlon, një derë e hyrjes e thyer, mure të mykura dhe lagështia e imponuar nga koha, përbëjnë pamjen fillestare që na ofrohet në barakën gati para rrënimit në Obiliq.


Një pamje pa dyshim rrëqethëse kjo që mund të shohë çdokush që e viziton barakën e ashtuquajtur te barakat e Zagrebit, ku jeton familja 9-anëtarëshe Arifi në Obiliq.
Por, ajo që trondit edhe më shumë është kur sheh shtatë fëmijë të cilët po rriten në një ambient që nuk do të duhej të ndodhte, pa kushte elementare, e pa asnjërin prind të punësuar.

E vetmja gjë që kanë para shpirtit, siç thuhet në popull, janë ndihmat sociale prej 115 euro, me të cilat duhet të përballojnë muajin me të gjitha shpenzimet. E harruar, familja Arifi çdo ditë po ballafaqohet me sfida të shumta dhe kushte të dobëta të jetesës.

Një dhomë për të gjithë u ofron vetëm sëmundje

Nëna e shtatë fëmijëve, Ajshja, edhe pse në moshë të re, thotë për gazetën se po kalon një jetë të vështirë, atë të ballafaqimit me varfërinë e skajshme, duke u sfiduar çdo ditë me kërkesat e shtatë fëmijëve, më të madhit tash 18 vjet, e më të voglës, vajzës Liridonës, gjashtë muajsh. Fëmijëve të saj u mungon gjithçka. Ajo shpjegon se jeta në një barakë nuk i plotëson as kushtet minimale. Shprehet se një dhomë në barakë për anëtarët e familjes nuk ka se çka u ofron tjetër pos sëmundje.

”Baraka vërshohet nga uji kur ka të reshura. Jeta na është mërzitur nga skamja. Kushtet janë siç po i shihni. Përveçqë kemi mungesë të dhomave, punët keq janë edhe me banjë, me shtrojë e mbulojë. Fëmijët po heqin. Tani janë të gjithë shëndosh, por kam frikën se në të ardhmen ata mund të marrin ndonjë sëmundje nga kushtet mizore në këtë barakë. Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë. Baraka është kalbur dhe është gati para rrënimit. Kemi frikën se do të na zërë dhe do të na i mbys fëmijët”, ankohej ajo me lot në sy.

Ajshja thotë se burri i saj është i paftë për të punuar punë të rënda dhe se tashmë i ka humbur të gjitha shpresat për ditë më të mira, as kur është në pyetje sigurimi i bollshëm i ushqimit, e të mos flasim për kulm mbi kokë.

“Burri nuk mund të punojë punë të rënda dhe po më dhimbsen fëmijët. Nuk kemi se ku të shkojmë, ngase nuk kemi as truall e as shtëpi, asgjë nuk kemi. Ajo që na mban të gjallë është vetëm një ndihmë sociale, e cila as për së afërmi nuk po i plotëson nevojat”, shprehet ajo.

Ajshja e ka hallin e fëmijëve, sepse gati të gjithë janë të vegjël.

“Edhe më të vegjëlve nganjëherë po detyrohemi t’u themi se nuk kemi. Nuk po arrij të paktën as një kërkesë t’ua plotësoj. Po u mohohet e drejta për t’u rritur sikurse fëmijët e tjerë. Shpesh më thonë se u kanë lakmi bashkëmoshatarëve dhe vijnë në shtëpi e qajnë. Lakmojnë në rroba, lakmojnë në para, e çka jo tjetër”, shprehet Ajshja.