LAJMI I FUNDIT:

10 ambasadorë të ISG vizituan KEK-un

10 ambasadorë të ISG vizituan KEK-un

Dhjetë ambasadorë të International Steering Group nga vëndet evropiane kanë vizituar sot Mihjet dhe njësitë gjeneruese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ata janë pritur nga u.d.i Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj me bashkëpunëtorë, duke u njoftuar kështu në lidhje me të gjitha aktivitetet kryesore që po zhvillohen në korporatë.

“Po ecim me ritme të shpejta të përmirësimit. Furnizimi me qymyr është shumë stabil. Prodhimi i energjisë elektrike ka patur rritje prej 5 për qind vitin e fundit, inkasimi me 18.7 për qind, ndërsa humbjet janë zvogëluar me 6 për qind. Rritja e përformacës është edhe më e madhe këtë vit”, ka pohuar Gjukaj.

Ai ka shtuar se, në bazë të këtyre ritmeve, KEK-u do të përmbyllë këtë vit për herë të parë paslufte pa humbje afariste, të cilat në vitin 2007 ishin 90 milionë euro.

Ambasadorët janë interesuar në lidhje me rezervat e linjitit dhe përqindjet e energjisë elektrike që marrin amvisëria, ekonomia dhe veçanërisht konsumatorët industrial.


“Në total 25 për qind të energjisë elektrike e merr industria, ndërsa pjesën tjetër e konsumon amvisëria dhe konsumatorët tjerë industrial”, ka njoftuar ambasadorët drejtori Gjukaj duke u kërkuar atyre që të përdorin ndikimin e tyre në mënyrë që KOSTT-i të bëhet pjesë e strukturave rajonale energjetike, që do ta bënte shumë më të lehtë për KEK-un furnizimin me energji elektrike për konsumatorët.

“Aktualisht për shkak të pengesave që paraqet Elektromrezha e Serbisë, ne jemi vendi i vetëm në regjion që kemi këtë problem ne qasje ne strukturat dhe mekanizmat regjionale energjetik. Sikur KOSTT-i të ishte pjesë e strukturave rajonale operimi dhe kosto e operimit do te ishin dukshem me te ulta”.

Më pas ambasadorët kanë vizituar për së afërmi mihjet, ku u është shpjeuar gjendja e tyre, rezervat gjeologjike të qymyrit të cilat vetëm në Bazenin e Kosovës shkojnë në mbi 10 miliardë tonë, sikurse edhe ritmet e hapjes së mihjës së re Sibovci Jugpërendim dhe planet për të ardhmën. Ambasadorët kanë parë për së afërmi dhe janë njoftuar nga menaxherët përkatës edhe në TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”. /Telegrafi/