LAJMI I FUNDIT:

1 Euro arrinë vlerën e 130.8 lekëve

1 Euro arrinë vlerën e 130.8 lekëve

Monedha kombëtare, leku, është zhvlerësuar ndjeshëm në tregun tonë të këmbimit kundrejt valutave të forta. Euro është forcuar me mbi 2 lekë gjatë ditëve të fundit, krejt ndryshe nga eksperienca e deritanishme, ku gjatë periudhës së verës, valutat dobësoheshin dhe leku shqiptar fitonte pikë, për shkak të ardhjes së turistëve dhe emigrantëve që ktheheshin në atdhe për pushime.

Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro blihet me 130.3 lekë dhe shitet me 130.8 lekë, ndërsa dollari këmbehet me 90.8 lekë në blerje dhe me 91.3 lekë në shitje. Monedha europiane po shkëmbehet këtë verë rreth 5 lekë më shtrenjtë se gjatë të njëjtës periudhë të viteve të mëparshme.

Ekspertët e sistemit bankar shpjegojnë se forcimi jo i zakontë i euros në këtë periudhë të vitit ka ardhur si pasojë e mungesës së valutës në treg.

Kjo për shkak të krizës ekonomike botërore, e cila ka rënduar së pari te emigrantët. "Në treg nuk ka valutë, dhe kryesisht euro. Emigrantët kanë sjellë sasi të vogla, pasi kanë pasur probleme financiare nga kriza.


Nga ana tjetër, edhe turistët janë gjendur në të njëjtën situatë. Për pasojë, euro është forcuar dhe leku është zhvlerësuar",- argumentojnë ekspertët. Ata shtojnë se pritet një forcim i mëtejshëm i monedhës së përbashkët europiane kundrejt lekut shqiptar gjatë muajve të ardhshëm.

Zhvlerësimi i ndjeshëm i lekut pritet të ngjallë reagimin e Bankës së Shqipërisë, e cila mund të ndërhyjë në treg për të vendosur ekuilibrat. "Banka qendrore mund të ndërhyjë për të frenuar një forcim të mëtejshëm të euros.

Gjithsesi, objektivi kryesor i saj nuk është ruajtja e stabilitetit të kursit të këmbimit, por ruajtja e stabilitetit të çmimeve",- shprehen ekspertët.