LAJMI I FUNDIT:

​Ferizaj, shitja e kurbaneve vetëm në tregun e kafshëve

​Ferizaj, shitja e kurbaneve vetëm në tregun e kafshëve

Komuna e Ferizajt të enjten nuk ka lejuar shitjen e kurbanëve nëpër rrugë sikurse ka ndodhur herave tjera, por vetëm në tregun e kafshëve edhe atë nën mbikëqyrje të shërbimit veterinar. Zyrtarë nga Drejtoria për Bujqësi e Ferizajt, kanë thënë se kjo po bëhet me qëllim të parandalimit të sëmundjes së kafshëve e njohur si “gjuha blu”.

“Ne i kemi njoftuar të gjithë qytetarët e komunës se kurbanet e tyre duhet t’i shesin në vendin që ne e kemi caktuar në tregun e kafshëve. Aty ekziston shërbimi veterinar dhe të gjitha kafshët që shiten fillimisht i nënshtrohen një kontrolli mjekësor dhe më pastaj pajisen edhe me certifikatën e shitjes. Në teren i kemi katër veterinar, dy që i ka caktuar komuna dhe dy të tjerë nga AVUK-u, e cila edhe e mengjon këtë situatë”, ka thënë Xhemajl Reçica, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Ferizaj.

Bëhet e ditur se gjatë ditës është shënuar vetëm një rast i tentimi për ekspozimin e shitjes së kurbanëve jashtë vendit të paraparë .Drejtori Reçica, ka thënë se në këtë drejtim e kanë edhe përkrahjen e policisë e cila në çdo kohë po ju del në ndihmë dhe nuk po lejon që shitja të bëhet rrugëve, apo në hapësirat tjera.


Zyrtarët kanë apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes jo vetëm gjatë blerjes së kurbanëve por edhe gjatë therrjes së tyre, ngase kështu i kontribuohet ruajtjes së shëndetit të popullatës.”Ne jemi të interesuar që edhe therrja e kurbanëve të bëhet nëpër thertore ngase vetëm kështu jemi të sigurt se do të kemi situatën nën kontroll”, ka thënë Xhemajl Reçica.

Ndryshe, sipas zyrtarëve në komunën e Ferizajt deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me këtë sëmundje. /Telegrafi/