0Shares

Ferizaj ka kohë që e ka bërë një shesh me pllaka sikur ai në Prishtinë. Edhe fontanat i ka bërë sikur ato në sheshet e kryeqytetit. Ka edhe universitet siç e ka Prishtina.

Por, vetëm deri këtu ka arritur të zhvillohet ky qytet si rezultat i punës së politikanëve që kanë shërbyer si kryetarë komunash ose deputetë, në mandatet e pasluftës. Asgjë më shumë se kaq.

Qyteti vazhdon ta ketë ndërtesën më të vjetër të spitaleve në Kosovë. Qytetarët e tij rrezikohen çdo ditë nga një tren që ndan qytetin, derisa autostrada Prishtinë-Shkup do ta godas krenarinë më të madhe të Ferizajt, ekonominë. Një numër i madh i bizneseve që operojnë në rrugën aktuale për Prishtinë do të zbehen ose shuhen.

Qeverisja e fundit nuk i ka ikur idesë së asfaltit. Vetëm se është zgjeruar. Ka shtruar shumë rrugë në fshatra dhe ka rregulluar edhe hyrje daljet e qytetit. Ka bërë investime edhe në rrjetin e ujësjellësit por nuk i ka përmirësuar shërbimet. E as që ka mundur të bëjë diç më shumë për ekonominë.

Pa kryetar

Tre besoj që mund të kenë qenë arsyet që studentët e Universitetit të Ferizajt të mbushin sallën ku po organizohej një debat mes tyre dhe politikanëve të qytetit. Mllefi, dëshira për t`u dukur, ose humbja e kohës së mjaftueshme.

Edhe nëse këto nuk kanë qenë arsyet para se të hynin në debat, jam i bindur se me këtë shije kanë dalë nga debati studentët pjesëmarrës. Arsyet do të mundohem t`i tregoj në këtë shkrim.

Nën organizimin e Institutit Demokratik të Kosovës studentët do të bashkëbisedonin me katër përfaqësues politikë të tyre.

Erdhën tre deputetë por i ftuari i katërt mungoi. Kryetari i komunës nuk kishte qëlluar atë ditë në qytet.

Dhe derisa mungon kryetari që do të mund t`u përgjigjej se si asnjëherë nuk u rregullua transporti nga qendra e qytetit për tek universiteti që është më në periferi, apo se si mund të zgjidhen pakënaqësitë rreth mensës së studentëve, debati me apo pa dashje do të orientohej tek temat nacionale.

Sepse të ftuarit ishin nacionalë. Që të tre deputetët mysafirë ishin nga parti të ndryshme PDK, LDK dhe VV por në debat nuk dalluan nga njëri tjetri.

Agim Aliu i PDK-së e edhe Adem Salihaj i LDK-së nuk ia lëshuan rrugën Faton Topallit të VV-së sa i përket të qenit opozitar gjatë gjithë debatit.

Kritikuan qeverinë, ndërkombëtarët, shoqërinë dhe çdokënd tjetër sa herë që u pyetën për mungesën e perspektivës së të rinjve apo për nivelin e brishtë të edukimit e papunësinë.

Bile Adem Salihaj, njëri prej deputetëve me më së shumti mandate dhe më në moshë në Kuvendin e Kosovës, u kërkoi disa herë studentëve të Ferizajt që të mos i votojnë më politikanët e njëjtë.

Kësisoj ai pos që vazhdimisht fliste si opozitar ndonëse është deputet i LDK-së, e vendosi veten edhe në një pozicion të panatyrshëm të të riut.

Agim Aliu i PDK-së pati edhe momente kur shpërtheu ndaj ministrave të partisë së tij dhe asaj partnere ne koalicion. Tha se janë bërë aq të papërgjegjshëm saqë nuk u përgjigjen pyetjeve parlamentare.

Ambienti dukej perfekt për opozitën e vërtetë në parlament që të korrte gjithë simpatinë e studentëve të mbledhur në Ferizaj, por Faton Topallit i doli problem i madh qëndrimi kundër demarkacionit që po e bllokon liberalizimin e vizave.

“Ti nuk je qytetar i Kosovës, mundesh me udhëtu kur të duash, ju deputetët keni viza, nuk ju ndien për ne”, ithe refreni që i`u përsërit atij disa herë nga tre katër studentë.

Pa llogari

Ferizaj mund të ketë edhe metro para se ta ketë Prishtina. Mund të synojë të jetë qendra më e zhvilluar në Ballkan duke e tejkaluar Kosovën si koncept. Nuk është e çuditshme që këto ditë dikush t`u premtoj edhe aeroport për Ferizajn e ndoshta edhe ndonjë Qendër Botërore të Tregtisë. Sepse jemi në kohë fushate dhe këto refrene qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës do t`i dëgjojnë këto ditë.

Kalon fushata dhe sërish i kthehemi realitetit. Sërish qyteti do të rrezikohet nga treni që e ndan çdo ditë.
Derisa po mendoja për këtë debat më ra të dëgjoj ndoshta përshkrimin me të bukur dhe kontradiktorë për qytetin që i jep aq shumë ekonomisë së sëmurë kosovare.

Ferizajasit janë kapitalist duke qenë biznesmenët ndoshta më të zotë në Kosovë. Por në këtë qytet adhurohet Enver Hoxha e nderohet Ismail Kadare. Në këtë qytet digjen librat e Veton Surroit. Dhe për të vënë kupën kontradiktave, një këngëtarë i muzikës pop-folk mund të jetë kryetar i ardhshëm i qytetit, nëse arrin t`i bind qytetarët se nuk ka zgjidhje më të mirë se sa Labinot Tahiri.

*Editorial nga debati i organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe studentë të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ky editorial paraqet vëzhgimet e autorit, dhe jo domosdo përputhet me qëndrimet e organizatorëve të debatit publik, KDI dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)