LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe Muri i Berlinit

Shqiptarët dhe Muri i Berlinit

Sot 27 vjet, më saktë më 9 nëntor të vitit 1989, bota drejtoi sytë kah Berlini i ndarë mespërmes. Mijëra gjermanë nisën të rrënonin murin famëkeq e bashkë me të edhe kampin komunist. Për habinë e të gjithëve, tre shqiptarë nga Kosova, aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, kundërshtonin fuqishëm rënien e tij. Zërat kundërshtues të majtistëve kosovarë humbnin midis atyre gjermanë, të cilët botës i shpërndanin kumtin: Ra Muri i Berlinit! Paradoksi qe i madh. Gazetarët gjermanë të habitur ua kujtonin majtistëve kosovarë një mur tjetër në Ballkan; kufirin shqiptaro-shqiptar i ndarë me bunkerë e tela gjemborë!

Dyzetekatër ditë pas rënies së Murit të Berlinit, në Kosovë u themelua partia e parë pluraliste, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe shef i saj u zgjodh dr. Ibrahim Rugova. Shqiptarët, sado i brohoritën rënies së Murit të Berlinit, harruan se një mur tjetër nisi të fortifikohej në trurin e tyre.


Ndryshe nga Kosova, e cila sapo hyri në okupim të ri më mizorin në Evropë, në Shqipëri pluralizmi vononte. Një vit më vonë, Shqipërinë komuniste e vizitoi shefi i OKB-së, Javier Perez De Cuellar. Shefi komunist, Ramiz Alia, në kryeqytetin shqiptar i mbajti leksion shefit të OKB-së plot njëzet minuta, duke i folur për “idealet socialiste!”. Kampi komunist po vdiste, por kufomës së tij Shqipëria e drobitur, pikërisht nga ky regjim pervers, vendosi t’i bënte pararojë!

Jemi në kohën kur pluralizmi politik nisi të konsolidohej në disa shtete të kampit komunist. Autoriteti i disidentit e shkrimtarit çek, Vaclav Havel, shkëlqente faqe botës, ai i disidentit polak Lech Walesa po ashtu, ndërsa diktatori rumun Ceausescu përfundoi me vdekje në ekzekutim.

Dy vjet më vonë, në Shqipërinë komuniste, Partia e Punës mori emër të ri Partia Socialiste, por rekuizitat e regjimit komunist ishin po aty. Në zgjedhjet e para të vitit 1991, trashëgimtarja e Partisë së Punës fitoi me rezultat të thellë!

Këndej kufirit, majtistët kosovarë të frikësuar se po humbisnin “atdheun enverist” dhe me instruksione të Partisë Socialiste u rreshtuan në lëvizjen më të madhe politike; Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pesë vjet më vonë, në Kuvendin e Dytë zgjedhor të saj, më 14 korrik të vitit 1994, nacionalkomunistët enveristë pushtuan “kalanë përbrenda”. Praktikisht nga kjo datë, fraksioni majtist u fuqizua shumë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e mori veten për t’iu rikthyer gjenezës së saj. Njëra nga gazetat më prestigjioze amerikane, këtë ngjarje e shënoi me titull sportiv: Rugova humbi me rezultat 8:6!

Sot, 27 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, shqiptarët kudo që janë qeverisen nga parti e fraksione majtiste! Shqipëria qeveriset nga pasardhësja e partisë së diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe satelitja e saj LSI, ndërsa Kosova nga koalicioni i madh; Partia Demokratike e Kosovës, e përbërë nga nacionalkomunistët enveristë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kapur nga autonomistët jugosllavë.

Asnjëherë e djathta shqiptare në historinë e saj nuk ka qenë më e rrezikuar se sot. Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, shkruan jo rrallë për “strehsat”, biografitë e të cilëve ende kullojnë gjak. Strehsat, të cilët kryesisht janë ish-udhëheqës dhe sigurimsa të regjimit komunist, jo vetëm u strehuan në partitë politike, por edhe i pushtuan majat e tyre!

Majtistët shqiptarë jo rrallë keqpërdorin auditoriumin duke justifikuar rrejshëm se disa shtete të Evropës udhëhiqen nga parti të majta, duke “harruar” se partitë e majta evropiane, nuk janë pasardhëse diktatorësh, por janë ndërtuar mbi kauzat e socialdemokracisë evropiane.

Në kaosin e krijuar politik nga majtistët shqiptarë, 27 vjet mbas Rënies së Murit të Berlinit, dy republikat; Shqipëria e themeluar nga Perandoria Austro-Hungareze dhe Kosova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë, sot janë shtetet më të izoluara në Evropë. Çdo ditë janë duke humbur përkrahjen e miqve ndërkombëtarë dhe janë zhytur në krim të organizuar, kaos e izolim. Shqiptarët janë duke vuajtur periudhën më depresive në historinë e ekzistencës së tyre në Gadishull.

Problemi më i madh i shqiptarëve janë liderët politikë, karriera politike e të cilëve është dashur të merr fund me Luftën e Ftohtë. Ata mbijetuan më gjatë se diktatorët më të frikshëm të botës. Diktatori rus Iosif Stalin sundoi Bashkimin Sovjetik 29 vjet, kinezi Mao Zedong sundoi 27 vjet sa edhe kiliani Augusto Pinochet. Josip Broz Tito sundoi Jugosllavinë 35 vjet, rumuni Causesku – 24, ndërsa shqiptari Enver Hoxha – 40 vjet. Në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, ekzistojnë individë të cilët i kanë mbushur gati gjysmë shekulli në politikë duke i kalëruar të gjitha regjimet!

Shqiptarëve u rëndon një gur i madh në qafë dhe nuk duan t’i japin zgjidhje, pasi liderët e tyre kanë një mal mëkate nga e kaluara.

Kur u shemb Muri i Berlinit, Qeveria gjermane vlerësoi: Secili gjermanolindor mund t’i ketë në duar dosjet e STAS-it, shërbimit më të frikshëm sekret në kampin komunist. Ishte mënyra më e mirë që kombi gjerman të lirohej nga e kaluara e errët. Sigurimsat e STAS-it as u ndoqën penalisht, por edhe iu ndalua me ligj që të ngjiten sërish në krye të shtetit. Sikur të ndodhte kjo në shtetet shqiptare, do të prosperonim më shpejtë dhe mbrapa krahëve do të mbetej e kaluara e hidhur.

Shqiptarëve, si asnjë kombi tjetër në Gadishull u duhet lustrimi i dosjeve. Derisa mungon kjo kurajo, atëherë mbetemi kombi më ndërgjegjevrarë në Gadishull dhe larg integrimeve euroatlantike. Denoncimet dhe të fshehtat shqiptarët në Shqipëri i mbajnë peng për gjysmë shekulli të regjimit komunist, ndërsa shqiptarët e Kosovës plot një shekull gjatë sundimit serb. Pa lustrim të dosjeve, shqiptarët nuk mund të prosperojnë të ardhmen. Liderët shqiptarë do ta përdorin Brukselin vetëm si rekuizitë për të mbijetuar në pushtet, derisa Kosova dhe Shqipëria as do të kenë stabilitet politik, as zhvillim ekonomik.

Ish-komunistët andej e këndej kufirit i rëndon një fakt; policia shqiptare ishte më antikombëtarja në kampin komunist. Nuk mund të ishin antikombëtarë, pa qenë antikombëtare udhëheqjet e tyre, prandaj Muri i Berlinit edhe njëzeteshtatë vjet më vonë ende nuk është shembur nga truri i tyre.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori