LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe impulsi i agresionit seksual

Shqiptarët dhe impulsi i agresionit seksual
Ilustrim

Aurela Agalliu

Shqipëria si një vend në tranzicion, shumë larg zhvillimit të vendeve perëndimore, paraqet një kauzë të madhe sociale dhe shoqërore. Një vend i cili dallon për kontekstin e faktorit korrupsion dhe krimit të organizuar, rrjedhojë e një drejtuesie të padrejtë, lë pas një kosto shumë të madhe shoqërore dhe një rrezik tejet të theksuar në ekspozimin ndaj kriminalitetit – për arsye nga më të ndryshmet.


Nuk jemi të vetmit – referuar shifrave në Ballkan për kauza të tilla – të cilat lënë plagë të thella në shoqërinë tonë. E kaluara dhe e tashmja patriarkale ka induktuar te ne dëshira të ndrydhura me prirje për të kryer sjellje të dhunshme, siç është krimi seksual. Kjo sepse është brendësuar ideja se mënyra kryesore e seksit të ligjëruar është familja, ku dhe shumica e krimeve të këtij karakteri ndodhin. Krimi seksual brenda dhe jashtë familjes ndodh sepse ekziston baza biologjike për të: lidhja seks-dhunë. Viktimat në këto lloj veprash penale janë femrat dhe fëmijët.

Rasti i fundit i vajzës 30-vjeçare, e përdhunuar në kthesën e Kamzës, është dëshmi reale e mbylljes dhe moszhvillimit shoqëror në aspektin e kulturës seksuale, por jo vetëm. Nuk mund të harrohet rasti i Nazime Vishës, e cila ishte viktimë e dhunës seksuale dhe më pas e një lidhjeje të mbajtur nën presion, ku u mbyll me një krim të kryer nga vetë ajo.

Rastet janë të shumta dhe shumë pak prej tyre janë të ekspozuara apo të denoncuara. Në pamje të parë, duket si problem i cili është prezent edhe në vendet evropiane apo në shtetet ku ligji është më imponues, por në fakt dallimi i kësaj kauze është shumë i madh krahasuar me ne. Gjeneza e këtij fenomeni në shoqërinë tonë fillon nga kultura patriarkale dhe vazhdon deri në bërthamën familje, e cila rrit individ me deficienca sjellore, me të meta të mëdha në aspektin e socializimit, krijimit të sjelljeve të duhura dhe zhvillimit kulturor dhe intelektual. Por, rastet në fjalë nuk janë të vetmet.

Janë dhjetëra denoncime të tjera të këtij karakteri, duke filluar nga përdhunimi në familje ku babai abuzon seksualisht me vajzën apo dhe të afërm te tjerë brenda familjes. Sigurisht, në një analizë të thellë psikologjike kjo nuk fillon dhe mbaron këtu. Fillimi është më i hershëm, duke nisur nga periudha e fëmijërisë dhe modeleve të krijuara gjatë kësaj kohe.

Figura femërore për shumë vite ka qenë ajo e një kujdestareje të përkushtuar për familjen, e nënshtruar ndaj dëshirave mashkullore, dhe e detyruar për t’iu bindur çdo kërkese të paraqitur nga bashkëshorti në çdo aspekt, madje edhe në atë seksual. Tabutë ekzistuese, në lidhje me dëshirat seksuale, ku të flasësh për seksin vazhdon të trajtohet si turp në moralin shoqëror, i ndrydh individët ndaj dëshirave dhe instinkteve duke i kthyer në qenie shtazarake, të etur për të provuar sa më shumë.

Liberalizmi seksual i ka munguar kontekstit shqiptar për shumë kohë. Ndryshe nga çdo vend tjetër ku individët njohin liritë dhe zhvillojnë dëshirat, ne mbetemi shumë mbrapa në kohë. Madje, ky është edhe një faktor shumë i madh pse rastet e dhunës dhe vrasjeve janë në numër kaq të lartë.

Historitë e përdhunimeve të ndodhura në shoqërinë shqiptare, na paraqesin një sindromë skizofrenie dhe profile meshkujsh maniakë, të cilët kanë një tendencë të shfrenuar mashkullore në përmbushjen e dëshirave seksuale. Ne kemi njohur një impuls agresioni në mentalitetin shqiptar, i cili vjen nga shumë faktorë që kontribuojnë së bashku në këtë fenomen kaq të errët dhe të pafund. Një kulture e vjetër sa vetë njerëzimi, e cila nuk njeh ende një zhvillim krahasuar me vendet e tjera të renditura afër nesh.

Mungesa e liberalizmit seksual është një faktor tjetër që nxit dëshirat kafshërore deri në aktin final të përdhunimit, ku rrit gjasat e një shoqërie depresive dhe traumë vuajtëse. Faktorë të tjerë janë të shumtë, si mungesa e kulturës seksuale në familje, ku prindërit hezitojnë të zhvillojnë biseda me fëmijët e tyre rreth seksit. Pasojat më vonë sjellin mungesë njohurish dhe dëshira kafshërore për të provuar dhe eksperimentuar atë që për ta është e panjohur. Mosfunksionimi i programeve arsimore ku dhe ora e edukatës seksuale shpesh kthehet në orë pushimi për nxënësit me një informacion të paezauruar.

E, sigurisht, të ndodhur në këtë kontekst maskilist me mungesa të thella njohurish mbi këtë temë, do të përballemi edhe me ndodhi të cilat devijojnë në atë çka ne e quajmë abuzim seksual. Me individë që humbasin ekuilibrat humanë të seksualitetit dhe që me dhunë përpiqen të përmbushin veten duke na ofruar një shoqëri të çekuilibruar dhe deformacione psikologjike. Seksi është instinkt human dhe themelor në jetën e çdo individi. Mos harroni të vlerësoni veten dhe të doni dhe respektoni më shumë të tjerët. Të gjithë kanë të drejtë të dashurojnë.

Mos i thyeni ëndrrat e askujt. Ato parashtrojnë ndërtimin e një jete të ekuilibruar. Përmbushja e dëshirave seksuale është baza e të pasurit një jetë të përmbushur.