LAJMI I FUNDIT:

Serbia nuk ka kompetenca për hapësirën ajrore të Kosovës

Serbia nuk ka kompetenca për hapësirën ajrore të Kosovës

Ka pasur përpjekje nga Serbia dhe ka kërkuar kontrollin ajror të Kosovës, por kjo temë asnjëherë nuk është trajtuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, sepse është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë.

Kështu ka deklaruar drejtori I Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, duke hequr çdo dilemë dhe shqetësim të deputetëve gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme.


Gjonbalaj tha se kërkesë e Serbisë ka qenë edhe për ndërtimin e një radari në Kopaonik, por kjo nuk është lejuar të ndodhë.

Ai ka treguar se hapësira ajrore e lartë është kompetencë e NATO-s e cila ka përzgjedhur kompaninë bullgare për monitorim prej vitit 2014 deri 2018.

Ai tha se mbetet sfidë kontrolli i kufizuar i hapësirës së ulët ajrore ku Kosova ka vetëm një korridor me Maqedoninë, dhe jo me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit nga Lista Serbe Bojan Mitiq, i cili tha se në Bruksel është arritur marrëveshje për fluturimin ajror Prishtinë-Beograd.

Por këtë e ka kundërshtuar Gjonabalaj i cili tha se nuk ka këso lloj marrëveshje as për fluturim as për korridor ajror. /Telegrafi/