0Shares

Shkruan: Faton Mehmeti

Opozita është jetike në një shoqëri të evoluar, ndërsa në shoqëritë ende në proces të pjekurisë politike dhe shoqërore roli i opozitës mbetet ende për t’u dëshiruar.

Në shoqërinë politike shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, opozita asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e saj.

Mbase nuk e kuptojnë rolin e tyre në opozitë, duke lukuni njerëzit nëpër bulevardet e kryeqyteteve për të shkaktuar kaos që pastaj ta përdorin si atu për vota, pa qenë në gjendje të japin alternativa bindëse se s’i shoqëria shqiptare duhet ecur tutje, se si shqiptarët të kenë paga më të mëdha, taksa më të ulëta, mjedis më të pastër, perspektive evropiane etj.

Ndërkohë në një vend demokratik, opozita është jetike për mbarëvajtjen e demokracisë.

Është jetike sepse ajo paraqet alternativat e saj, mendimin ndryshe nga ajo e mazhorancës qeverisëse. Si dhe metodat për të demonstruar alternativat e saj për mendimet ndryshe janë krejtësisht brenda suazave normale të demokracisë, si dhe respektimit të bindjeve të tjetrit, kurse tek ne mendimi ndryshe konceptohet si armiqësi , duke u shndërruar pastaj në urrejtje ndaj njëri tjetrit.

Mendimi ndryshe është bazamenti i demokracisë, ndërkohë që urrejtja s’duhet të bëhet pjesë e opozitarizmit ndaj qeverisë dhe anasjelltas.

Tek ne urrejtja ndaj njëri tjetrit është skajshmërisht e dëmshme dhe e rrezikshme, duke përçarë pastaj edhe popullin.

Jo vetëm për demokracinë, por edhe për shoqërinë do të ishte mjaft e dobishme opozita të jetë e fortë, më e përgatitur se qeveria dhe më alternuese.

Kjo është shenjë se e ardhmja e atij populli është me e ndritur, më premtuese dhe më e sigurt.

Kurse tek ne ku opozitarizmi i vërtetë mungon, duke u kamufluar me të shara, me akuza nga më të rëndat dhe ngritjes së krimineleve dhe njerëzve që kanë probleme me ligjin, kjo vërtet është e dhimbshme për atë shoqëri dhe mjaft dëshpëruese për të ardhmen e saj.

Në çdo vend të botës, qëllimi i opozitës është që të jetë kundërshtar i qeverisjes, natyrisht duke paraqitur alternativat e saj, si dhe duke bërë përpjekje që atë ta rrëzoj nga froni i udhëheqjes.

Në Kosovë ndodh ajo që askund nuk ndodh, ku opozita shndërrohet në patericë të pozitës.

As sot Kosova nuk ka opozitë të mirëfilltë, përveç sharjeve dhe mllefeve personale, pa paraqitur argumente se si do te vepronin ata.

Kjo edhe nuk po ndodh, pasi ka mungesë vizioni të tyre, por edhe mungesë besimi tek publiku, duke ditur se edhe ata dikur ishin në pushtet ose janë në ndonjë mënyrë, qoftë në nivelin lokal etj.

Edhe ata nuk kanë dëshmuar se qeverisin më mirë, dhe këtu zbërthehet syzheu i tragjedisë, ku qytetarët votojnë për alternativën më pak të keqe të mundshme, sepse e mira nuk ekziston.

Edhe në Shqipëri rivalët politikë e shohin njëri tjetrin si armik dhe jo si kundërshtar politik, deri aty ka arritur urrejtja sa më parë e duan njëri tjetrin “të vdekur” se sa te suksesshëm.

Opozita nuk ka prodhuar opozitarizëm por konflikt në vend të ideve, mungesë shkurtimi të “jetës“ qeverisë duke ia zgjatur asaj, mungesë dëshmimi se janë më të mirë se ata në pushtet, si dhe duke u bërë palë me qeverisjen në shndërrimin e shtetit në plantacion privat të tyre.

Nëse për qeverinë mungesa e opozitës reale është lehtësuese, për qytetarët është fatkeqësi.

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)