LAJMI I FUNDIT:

Po modernizohen fermat e lopëve

Po modernizohen fermat e lopëve

Rritja e investimeve nëpër ferma blegtorale dhe modernizimi i tyre ka bërë, që përveç rritjes se prodhimtarisë, të rritet edhe cilësia e këtyre prodhimeve. Përmes investimeve të organizatave që përkrahin zhvillimin e bujqësisë, deri më tash janë ngritur disa ferma model të lopëve, të cilat po u krijojnë mundësi fermerëve vendorë, për aplikimin e praktikave më të mira të prodhimit sipas standardeve të Bashkimit Europian (BE). Njëra nga këto model ferma të lopëve qumështore, është edhe ajo në fshatin Dolak të Vushtrrisë, e cila qe një vit po shërben edhe si qendër trajnimi për blegtorët e kësaj ane.

Pronari i fermës, Nazmi Osmani, tregon për portalin “Ferma ime”, se aktualisht në model fermën e tij ka 17 lopë qumështore. Me modernizimin e fermës, ai ka arritur që të rrisë cilësinë e qumështit. “Prodhimtaria ditore e qumështit arrin në mbi 100 litra, ku këtë sasi të qumështit që e prodhojmë e marrin qumështoret në fermën tonë. Por deri ka fundi i vitit do të arrij prodhimi ditor i qumështit deri në 300 litra”, thotë Osmani.

Krahas blegtorisë, ai kultivon shumë kultura të tjera bujqësore, të cilat janë të domosdoshme për ushqimin e lopëve. Sipas tij, kultivimi i këtyre kulturave mundëson që sektori i blegtorisë të jetë edhe më i leverdishëm. E kësaj model ferme, hairin po ia shohin edhe shumë blegtorë tjerë, që sipas Osmanit po marrin këshilla dhe po trajnohen për zhvillimin e mëtejshëm të tyre, e tëra kjo duke u bazuar në standardet më të larta evropiane. Osmani tregon se për implementimin e projektit të model fermës, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila ka financuar në pajisjet për ngritjen e fermës, e që sipas tij tash po tregohet shumë e suksesshme. Ky blegtorë, tregon se përveç përkrahjes që ka marrë nga BE-ja dhe IADK-ja kanë pasur mbështetje nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila përmes subvencioneve për lopët qumështore dhe për kulturën bujqësore të misrit tash e sa vjet po e mbështet edhe këtë fermer.


Ndërkaq, përveç mbështetjes që ka dhënë Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), nëpërmjet përkrahjes financiare për blerjen e pajisjeve të ndryshme, ajo ka përkrahur fermerët edhe me këshilla dhe trajnime me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar. “Model Ferma për lopë Qumështore, investimi nga IADK-ja ka qenë 53.300.00 euro, ku ndërtimi i objektit të vrazhdë dhe pjesëmarrja prej 5.200.00 euro kanë qenë nga fermeri Nazmi Osmani. Përveç fermës model si pjesë shtesë fermeri është ndihmuar edhe me projektin për ndërtimin e gropës septike për pleh, silosit për silazh dhe hangarit për ushqime vuliminoze ku investimi nga IADK-ja ka qenë 9.300.00 euro kurse pjesëmarrja fermerit 3,000.00 euro”, ka treguar Zenel Bunjaku, drejtor i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës.

Progresi i modernizimit të fermave, sipas tij, është relativisht i mirë, ku fermerët janë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës në ferma. Bunjaku tregon se fermerët janë përkrahur edhe në pajisje, si ndërtimi i model fermave dhe përmes këshillave praktike dhe teorike me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar.

“Përveç tjerash edhe fermerët kanë filluar të kuptojë rëndësinë e modernizimit të fermave duke qenë se përveç sasisë edhe kualiteti luan një rol të rëndësishëm në treg. Fermat në Kosovë duhet ti plotësojnë kriteret sipas standardeve evropiane dhe kështu pritet të ketë një rritje të shkallës së modernizimit të fermave në Kosovë dhe përmirësimin e kualitetit dhe ngritjen e sasisë së produkteve të qumështit dhe mishit”, thotë Zenel Bunjaku nga IADK-ja.

Kurse, në Ministrinë e Bujqësisë, tregojnë se përmes investimeve në sektorin e blegtorisë kanë arritur të përkrahin një numër të madh të blegtorëve. Arsim Memaj, shef i Divizionit të Blegtorisë në këtë ministri, thotë se po e mbështesin në mënyrë të drejtë për drejtë sektorin e qumështit dhe mishit.

“Deri më tani këta sektorë janë mbështetur përmes granteve për investimet në fermë, si në përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimin e kushteve të mbarështimit, teknologjive për përgatitjen e bazës ushqyese. Ndërsa përmes subvencionimit të krerëve për prodhimtarinë e qumështit janë përmirësuar të hyrat në fermë”, thotë Memaj.

Ai shton se përmes masave për mbështetjen e investimeve në fermë për pajisje dhe mekanizëm përpos përmirësimit të cilësisë së prodhimeve është arritur edhe ulja e shkallës së punës fizike dhe intensifikimi i shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në fermë.

Aktualisht në këtë sektor janë mbi 5500 ferma blegtorale me mbi 472 mijë krerë gjedhe dhe 19 qumështore të licencuara. /FermaIme/Telegrafi/