LAJMI I FUNDIT:

Muzgu i Agimit fashist

Një parti greke me një emër simbolik nga pikëpamja politike, dhe artistik nga pikëpamja letrare-poetike, “Agimi i Artë”, sipas programit partiak që ka do të duhej ta kishte emrin “Agimi i muzgët”! Kjo parti, ka në parlamentin aktual grek 18 deputetë. Është parti me ide të hapura nacionaliste dhe ultra shoviniste; është edhe parti me program tipik fashist. Evoluimi i brishtë i kësaj partie megjithatë ka rënë në sy: më shumë me vulgarizma dhe provokime idioteske majtas e djathtas, sesa me ndonjë vizion të përparuar.

Pse ky subjekt ringjallet me këso ide, sot? “Agimi i Artë” është produkt i krizës së përgjithshme të thellë politike dhe ekonomike që e ka përfshirë Greqinë e sotshme moderne. Në prag të dyshimeve të bazuara për falimentimin e Greqisë, ky shtet ka kohë që është përfshirë nga trazirat dhe ethet e rrënimit të brendshëm dhe nuk po gjen shërim pavarësisht miliardave që po i merr në Bruksel.


Trendët paradoksalë, dukuritë negative, sjelljet dhe konfliktet destruktive po përhapen me shpejtësi në shoqërinë dhe në skenën politike greke. “Agimi i Artë” është shenjë e dukshme e humnerës buzë së cilës gjendet Greqia. Ky subjekt politik ka dalë hapur me flamurin e fashizmit: kopje e degjeneruar e tij. Objektiv sulmues, si dikur hebrenjtë në Gjermani, janë emigrantët e të gjitha ngjyrave. Por, subjekti politik fashist “Agimi i Artë” (Hrsisi Avgi, i themeluar më 1985), shquhet edhe për reagimet dhe veprimet antishqiptare.

Themeluesi i kësaj partie Nikolaos Mihaliolakos, gjatë një debati televiziv të zhvilluar në televizionin grek "Ant 1" në vitin 1993, në lidhje me të ashtuquajturën çështje të "Vorio Epirit", kishte thënë se nëse do të kishte një kryengritje të armatosur në "Vorio Epir", ai do ta mbështeste atë. Një vit më vonë, në natën e 10 prill 1994, një komando greke prej tetë pjesëtarëve në uniforma të ushtrisë greke, kishte hyrë në territorin shqiptar, dhe në afërsi të fshatit në Peshkopi, pranë një reparti ushtarak, e kishin vrarë ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehun dhe kishin plagosur edhe tre persona të tjerë. Sipas gazetës së njohur "Elefterotipia", vrasja ishte marrë përsipër nga grupi terrorist “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Epirit). Kjo komando përbëhej nga njerëz të stërvitur në Qipro, dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe lideri i sotshëm nacionalist dhe nazist Mihaliolakos, të kishte qenë në një apo tjetër mënyrë, i ngatërruar në sulmin e vitit 1994.

Ueb-faqja zyrtare e nazifashistëve të “Agimit të Artë”, ka gdhirë më 1 janar 2013 me një shkrim fyes dhe kërcënues antishqiptar, si një paralajmërim për një rast tjetër si ai i vitit 1994, apo edhe më shumë! Shkrimi zyrtar i këtij subjekti me prirje nacional-fashiste, i cilëson shqiptarët si një komb kaçakësh të trembur e të leckosur që po kërcënojnë kryepeshkopin Anastas Jonullatosin, duke përfituar nga dobësitë dhe disfatizmi i qeverise së dordolecëve të Athinës, me kërkesa të pabaza dhe të egra për Çamërinë shqiptare. “Kombi shqiptar është krijuar nga italianët dhe mbështetet sot nga faktori sionist amerikan. Shqipëria është një mbeturinë e Perandorisë Osmane në tokën e lashtë greke të Ilirisë”, ndërsa pohohet se “lëvizja e nacionalistëve grekë do të vendosë rendin për sa u përket fqinjëve, që mburren me 100 vjet të historisë së tyre”. “Mjafton të teshtitet Greqia, që të heshtë dhe goja e shqiptarit të fundit në botë”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim fyes, përçmues dhe denigrues.

Nazistët e rinj grek, një kopje e fëlliqur e fashizmit të harruar dhe shkatërrues hitlerian e musolinian, po e synojnë një ambient kërcënues dhe përçmues jo vetëm duke e fyer popullin tonë, por edhe duke ndërhyrë në gjendjen e tij. Subjekti politik “Agimi i Artë” propagandon edhe kështu: “Do të vijë koha që me emocion dhe gëzim të veçantë, do të inagurohet krijimi i degëve të kësaj partie në Korçë, Himarë, Delvinë dhe Tepelenë, duke kënaqur, kërkesën e helenizmit luftarak për Vorioepirin”.

Pinjollët nacional-fashistë grekë e konsiderojnë Shqipërinë e Jugut si tokë greke, kurse ky pretendim i tyre lidhet me ilirët dhe Ilirinë, çka do të thotë se ata po përpiqen ta mohojnë përkatësinë e lashtë etnike shqiptare të Shqipërisë së jugut me përrallat helenike për “Greqinë e lashtë – antike” që, i tejkalon madje edhe kufijtë e Greqisë së sotme.

Por, si është forcuar dhe ngjitur në skenën politika greke e “Agimit të Artë”? Pse nuk po korrektohet nga Athina zyrtare programi i këtij subjekti?

Greqia qysh nga Lufta Botërore nuk e ka hequr edhe më tutje formalisht gjendjen e luftës me Shqipërinë. Subjekti politik “Agimi i Artë”, ka në radhët e veta edhe ish oficerë të lartë ushtarakë dhe policorë. “Agimi i Artë” s’ka dyshim që gëzon pak a shumë edhe një lloj mbrojtje institucionale. Sipas disa të dhënave, kryetari aktual i “Agimit të Artë” ka qenë (ende mund të jetë) bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete greke. Në mediat greke qarkullon një dokument sekret i Shërbimit Qendror Informativ grek "KYP", sipas të cilit dokument rezulton se Nikolaos Mihaliolakos është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete greke (Dokumenti mban datën: 29. 12.1981, nr. prot. 1009). Mihaliolakos kishte emrin e shifruar "Astiagaks 2649 K" dhe i cili merrte një shpërblim mujor prej 120.000 dhrahmi nga shërbimi sekret grek për angazhimin e tij lidhur me nacionalizmin grek dhe me çështjen qipriote si njësi komando dhe se ka qenë edhe veprimtar i organizatës ultranacinaliste greke "Eoka".

Subjekti politik nazifashist “Agimi i Artë” vazhdoi me provokime të reja. Më 4 janar (2013), në paralinjë të vazhdimit të denigrimit historik dhe kombëtar të popullit tonë, “Agimi i Artë” u kujtua të pretendojë se një ndër figurat kryesore shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është me prejardhje greke. “Shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, lufta e të cilit ishte luftë e ortodoksisë kundër turqve. Në mënyrë të padrejtë, shqiptarët përdorin flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar. Epiri ishte grek dhe paraardhësit tanë janë nga Epiri”.

Tendencat për retushimin grek të historisë, janë shenjë e harxhimit të kësaj historie, meqë dokumentet e shumta që dolën në dritë gjatë vitit 2012 dhe që po vazhdojnë të dalin, tregojnë për falsifikimin e madh gjatë shekujve XIX dhe XX-të të identitetit dhe të historisë së kohës së Antikitetit: gjoja si autentike greke!

Sipas dokumenteve të ndryshme, “lashtësia antike greke” dhe jo vetëm greke, pasqyrohet shumë më ndryshe: kushtimisht me prejardhje pellazgo-ilire! Sa për kohën e Skënderbeut, ka me mijëra fakte dhe dëshmi që e tregojnë kohën e tij. Dhe, dihet se cila ka qenë koha e tij, jeta dhe vepra e tij. Dihet pastaj se kush ishte Skënderbeu, i kujt ishte, nga vinte…? Në çdo aspekt, asgjë s’i ndihmon “Agimit të Artë”, madje as shkenca vagabonde që e pretendon Skënderbeun me prejardhje jo shqiptare.

Politikës së subjektit të fëlliqur nazist dhe shovinist “Agimi i Artë”, duhet treguar se nuk ka punë vetëm me shqiptarët e Shqipërisë dhe me Shqipërinë, por ka punë me të gjithë shqiptarët kudo që janë: në Kosovë, në Maqedoni etj. Kreut të kësaj tufe korbash, Mihaliolakos, duhet gjetur mënyrën për t’ia shpjeguar kuptimin e përrallave të La Fonetenit, ose syzheun e ditarit të Ana Frankut. S’ka fjalë: gërryesve dhe plaçkitësve të shtetit të tyre (Greqisë) dhe gërryesve dhe plaçkitësve të parave të Bashkimit Evropian (nacionalistëve të Zervas, apo të kalibrit si Mihaliolakos) duhet treguar po ashtu se trekëndëshi monstruoz i kohës së viteve 1912-13 “Athinë-Shkup-Beograd”, i cili trekëndësh këto ditë po riaktivizohet në forma të ndryshe të rafinuara dhe padyshim të rrezikshme, është tashmë i pa perspektivë. Ky trekëndësh s’ka tjetër shtrat, veçse në varrezat e muzgëta të historisë.