LAJMI I FUNDIT:

Kryetarja e Gjykatës Speciale: Personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë

Kryetarja e Gjykatës Speciale: Personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë

Gjyqtarja Ekatarina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka thënë për BIRN se gjykata e sapokrijuar me bazë në Hagë që do të gjykojë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të jetë etnikisht e njëanshme pasi do të gjykojë vetëm kriminelët e dyshuar, jo vetë organizatën guerilase.

Trendafilova ka premtuar gjithashtu se gjykata do t’i mbrojë si duhet dëshmitarët – një dështim në përpjekjet e mëparshme për të gjykuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dhe shprehu shpresë së puna e saj do të ndihmojë në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që Trendafilova ka vendosur në rastet e drejtësisë penale ndërkombëtare.

Para se t’i bashkohej Dhomave të Specializuara të Kosovës, ajo ishte gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, një eksperiencë që ajo e cila ajo beson se do të përfitojë në rolin e saj të ri.

BIRN: Gjykata të tjera hibride kanë funksionuar edhe më parë në Kosovë. Çfarë ndryshimi ka kjo gjykatë nga të tjerat dhe si do ta mundësoni ju si gjykatëse përmbushjen e mandatit prej gjykatës?

Trendafilova: Dhomat e Specializuara janë të ndryshme në shumë aspekte. Unë do të përmend disa prej tyre, mirëpo nuk do të përmend fjalë si ’hibrid’, ’ndërkombëtar’ apo ‘i ndërkombëtarizuar’. Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet një amendamenti kushtetues që u miratua nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë dy të tretash. Ky është një faktor fuqidhënës për ne. Kjo do të thotë se populli i Kosovës përmes përfaqësuesve të vet në Kuvend shprehu vullnetin se një institucion i tillë është i nevojshëm dhe i dëshirueshëm.

Së dyti, Dhomat e Specializuara mund të mbështeten në autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe policinë në lidhje me zbatimin e urdhrave, kontrolleve dhe sekuestrimeve dhe në lidhje me arrestimin e të dyshuarve. Në bazë të Ligjit, autoriteteve të Kosovës u kërkohet të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara për arritjen e objektivit madhor të nxjerrjes para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e rënda që pretendohet të jenë kryer.

Nga ana tjetër, ne jemi një institucion i zhvendosur në Holandë, që është shteti pranues e kjo do të thotë që ne mundësojmë sigurinë më të lartë për të gjithë atë që kanë punë me Dhomat e Specializuara, në veçanti viktimat dhe dëshmitarët.

Gjithashtu, në Dhomat e Specializuara mund të gjykojnë vetëm gjykatës ndërkombëtarë. Kjo zgjidhje tregon se Kuvendi i Kosovës i kushtoi respektin maksimal pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni, procedimeve penale që do të kryhen në këtë institucion dhe sigurisë së viktimave dhe dëshmitarëve.

Si gjykatëse dhe si Kryetare e Dhomave të Specializuara unë do të siguroj përmbushjen e mandatit prej Dhomave të Specializuara nëpërmjet zbatimit të Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Rregullores së miratuar nga gjykatësit. Më e rëndësishme që ia vlen të theksoj është se unë kam besim se gjykatësit e emëruar në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të cilët kanë një përvojë të madhe, do të kryejnë procedura gjyqësore shembullore dhe do të shqiptojnë vendime tejet cilësore.

BIRN: Si do ta trajtoni problemin e komunikimit dhe shpjegimit të misionit të Dhomave të Specializuara duke pasur parasysh namin jo të mirë të TPNJ-së në ish-Jugosllavi, por gjithashtu duke marrë parasysh edhe ngurrimin ndaj këtij institucioni të ri në Kosovë?

Trendafilova: Ndoshta, në Kosovë jo të gjithë janë përkrahës, apo kundërshtarë të Dhomave të Specializuara. Gjithsesi, vendimi për themelimin e Dhomave të Specializuara ishte vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës, i Kuvendit.

Ne jemi realitet, tashmë funksionojmë dhe mund të marrim parashtrime. Mandati ynë është i ndryshëm nga ai i TPNJ-së dhe ne duhet të gjykohemi për punën që do të bëjmë.

Krahas themelimit të institucionit tonë dhe gatishmërisë sonë për nisjen e procedurave gjyqësore, është po aq me rëndësi, që të vijojë informimi i publikut për mandatin tonë, për procedurat dhe për rezultatet e mundshme të pritshme prej punës së institucionit tonë. Kjo ka rëndësi për të parandaluar informacion të shtrembëruar apo keqkuptime.

Unë fuqimisht përkrah transparencën më të madhe të mundshme në lidhje me veprimtarinë tonë, sigurisht me përjashtim të informacionit të ndjeshëm dhe konfidencial që është i nevojshëm për mbrojtjen e dëshmitarëve që do të vijnë për të dëshmuar.

Që prej vitit të shkuar dhe përurimit të faqes sonë në Internet në tri gjuhë ku i gjithë informacioni mund të gjendet në anglisht, shqip dhe serbisht, krejt informacioni i rëndësishëm dhe parashtrimet publike të palëve dhe të gjykatësve u bëhen të njohura me saktësi publikut dhe kjo do të vazhdojë.

Komunikimi me median është një proces i vazhdueshëm. Gjithashtu, drejtuesit kryesorë të gjykatës si edhe ekipi i Dhomave të Specializuara për informimin e publikut kanë qenë rregullisht në ndërveprim me faktorë të rëndësishëm të ndryshëm nga shoqëria civile, fusha akademike dhe media në Kosovë, si edhe më gjerë në rajon dhe në botë.

Për shembull, në pranverë të këtij viti Administratorja, dr. Fidelma Donlon, pati një takim në Prishtinë me përfaqësues të shumtë të medias dhe shoqërisë civile në Forumin për Transparencë të Drejtësisë. Pres që në të ardhmen të vijojnë të organizohen veprimtari të ngjashme.

Gjithashtu, kohët e fundit unë mbajta një konferencë për shtypin në selinë tonë. Po ashtu ne presim vizitorë të shumtë dhe mbajmë ligjërata për grupe studentësh të interesuar. Të gjitha këto veprimtari janë pjesë e zbatimit të programit tonë për komunikim i cili do të intensifikohet. Ne do të organizojmë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore të ardhshme.

Dëshiroj të theksoj se unë mbështetem maksimalisht në komunikimin për t’i bindur njerëzit në rajon se Dhomat e Specializuara do të bëjnë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur për këdo që ka lidhje me to.

BIRN: Sa i vështirë është komunikimi në rast se ndodhesh shumë larg vendit të kryerjes së krimeve?

Trendafilova: Unë jam tërësisht e ndërgjegjshme për vështirësinë që krijon largësia në lidhje me komunikimin dhe ndërgjegjësimin e efektshëm. Sidoqoftë, fatmirësisht ne jetojmë në kohën e teknologjisë moderne që unë shpresoj se do të na ndihmojë të vendosim komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë interesuarit, dhe jo vetëm me mediat.

Një ndër përparësitë e afërta është që t’u drejtohemi viktimave dhe të shpjegojmë në tërësi të drejtat e tyre, si edhe procesin përkatës të kërkesës dhe të përmbushjes së kushteve për pranim si viktimë. Gjithashtu, dëshmitarëve do t’u jepen sigurime në lidhje me masat e forta mbrojtëse të ndërmarra prej Dhomave të Specializuara.

Për më tepër, sapo të fillojnë seancat gjyqësore, ne do t’i transmetojmë nëpërmjet faqes sonë në Internet në të gjitha gjuhët zyrtare që do t’u mundësojë publikut dhe mediave që t’i ndjekin ato.

Natyrisht, në bazë të nevojave për mbrojtjen e dëshmitarëve disa transmetime do të jenë të pjesshme, ose do të ketë transmetime me masa mbrojtëse si ndryshimi i pamjes dhe i zërit.

BIRN: Si bashkëpunojnë Dhomat e Specializuara me autoritetet e Kosovës? Sa i përket paraburgimit dhe arrestimeve, a do të përdorni polici të posaçme të gjykatës, policinë holandeze apo policinë e Kosovës?

Trendafilova: Ashtu siç parashihet në Ligj, ne mund të mbështetemi në policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij. Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e të dyshuarve në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se del e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar.

BIRN: Sa të ndjeshëm duhet të jeni kundrejt rrethanave të tanishme politike në Kosovë?

Trendafilova: Në të vërtetë nuk është fjala për ndjeshmëri. Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta dhe në përmbushjen e mandatit, në përputhje me Ligjin dhe dakorduar dhe miratuar prej një shumice absolute të Kuvendit të Kosovës.

Ne e kryejmë misionin tonë ashtu siç mishërohet në Ligj, në mënyrë të pavarur prej procesit politik në Kosovë. Ne i bindemi vetëm kushtetutës dhe ligjit.

Megjithatë, ne i përcjellim me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe jemi të ndërgjegjshëm për problem të ndjeshme, pa u ndikuar prej tyre.

BIRN: Çfarë përgjigje keni ndaj kritikave se Dhomat e Specializuara janë të njëanshme dhe merren vetëm me një grup etnik, shqiptarët e Kosovës?

Trendafilova: Dhomat e Specializuara nuk kryejnë ndjekje penale të asnjë grupi etnik, apo organizate. Dhomat e Specializuara do të procedojnë penalisht dhe do të shpallin fajtorë vetëm individë. Ligji përcakton qartësisht përgjegjësinë penale individuale, që do të thotë se individët do të shpallen fajtorë për vepra penale që kanë kryer si individë dhe jo si pjesëtarë të një grupi apo bashkësie etnike apo të çfarëdo grupi tjetër.

BIRN: Gjithashtu, gjykata ka një njësi për mbështetjen e viktimave dhe në Ligj parashihen programe për zhdëmtimin. Si do të funksionojë në praktikë?

Trendafilova: Së pari më lejoni t’ju them se jam mjaft e kënaqur se në ndryshim nga TPNJ-ja, Dhomat e Specializuara u japin viktimave mundësinë e pjesëmarrjes në procedura.

Viktimat e krimeve të përmendura në një aktakuzë mund t’i bëjnë kërkesë Zyrës për pjesëmarrje të viktimave në Zyrën Administrative, në rast se dëshirojnë të marrin pjesë. Në Ligj parashihet e drejta e viktimave për njoftim, njohje si viktimë dhe zhdëmtim. Praktikisht, kjo do të thotë se viktimat do të mund të kenë pjesëmarrje të njëmendtë në procedurat e Dhomave të Specializuara dhe do të mund të kërkojnë zhdëmtim.

Pas shpalljes së një të akuzuari fajtor, gjykatësit mund ta urdhërojnë atë të akuzuar që t’u paguajë dëmshpërblimin e përshtatshëm viktimave, kolektivisht, ose individualisht. Zyra për pjesëmarrje të viktimave gjithashtu do të administrojë një listë të mbrojtësve të viktimave për të mundësuar përfaqësim ligjor efikas dhe ndihmë për viktimat.

BIRN: A mund të shpjegoni gjithashtu rolin e Avokatit të Popullit?

Trendafilova: Përfshirja e Avokatit të Popullit që gjithashtu parashihet në Kushtetutën e Kosovës, është një garanci kushtetuese e rëndësishme, gjithashtu brenda kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara. Nëpërmjet Avokatit të Popullit synohet më shumë transparencë dhe hapje ndaj publikut nga ana jonë dhe që Avokati i Popullit të shërbejë si mbikëqyrës i pavarur i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit do të tregojë respektin e duhur ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe procedurave gjyqësore që do të thotë se Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në kryerjen e tyre, përveçse kur është fjala për vonesa të papërligjura.

Së fundi, funksionimi i Avokatit të Popullit supozohet që të fuqizojë kontrollet dhe balancat të cilat janë për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, sikurse mishërohen në Kushtetutën e Kosovës.

Pres me padurim funksionalizimin e këtij mekanizmi i cili veçse do të kontribuojë më shumë në besueshmërinë e dy institucioneve.

BIRN: Deri tani mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një nga problemet kyçe në gjykimet për krime lufte në Kosovë dhe Dhomat e Specializuara pretendojnë të kenë përgatitur një sistem të fortë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Si mendoni për qasjen e deritashme të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve që dëshmojnë për krime ndërkombëtare? A është kjo një ndër arsyet që shpesh gjykatat ndodhen shumë larg vendit të kryerjes së krimeve?

Trendafilova: Bazuar në përvojën time në të kaluarën, por duke qenë gjithashtu e vetëdijshme për disa raste në të shkuarën, jam mjaft e ndërgjegjshme për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve. Ky është një faktor kyç i mandatit të Dhomave të Specializuara që dëshmohet nga fakti i zhvendosjes së procedurave në Holandë.

Për këtë arsye, në Rregulloren tonë të Procedurës dhe të Provave është krijuar një sistem i fortë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Krahas kësaj, Dhomat e Specializuara nuk do të tolerojnë asnjë lloj ndërhyrjeje ndaj sigurisë dhe mirëqenies së dëshmitarëve dhe do t’i procedojnë penalisht ndërhyrje të tilla.

Zhvendosja e procedurave përbën një instrument të fuqishëm që ofron mbrojtje më të mirë për dëshmitarët, viktimat dhe persona të tjerë që kanë punë me Dhomat e Specializuara.

Unë dhe të gjithë gjykatësit kemi besimin e patundur sikurse është shprehur në Rregullore, se drejtësia nuk do të bëhet në dëm të sigurisë dhe mirëqenies së cilitdo personi që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara. Me një fjalë mbrojtja është kyçe për ne.

BIRN: Çfarë shihni si pengesa të mundshme për veprimtarinë e suksesshme të Dhomave të Specializuara?

Trendafilova: Këtë pyetje do ta trajtoj në një këndvështrim tjetër, konkretisht cilët janë faktorët që shërbejnë si matës të përmbushjes së mandatit prej Dhomave të Specializuara.

Së pari, personat të cilët Prokurori i Specializuar do t’i ngarkojë me akuza për krime të rënda, do të duhet të arrestohen ose të dorëzohen vullnetarisht për t’u ballafaquar me akuzat kundër tyre. Shpresoj që Prokurori i Specializuar t’i përmbushë në mënyrë të shpejtë detyrat e tij hetimore dhe të dorëzojë aktakuza sa më shpejt që të jetë gati.

Së dyti, personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Së treti, të drejtat e viktimave do të mbrohen në mënyrë të efektshme.

Së katërti, Dhomat e Specializuara dhe gjykimet që do të kryhen atje do të jenë një rast për popullin e Kosovës që të përballet me të shkuarën.

Së fundi, nëpërmjet përmbushjes së mandatit, Dhomat e Specializuara do të fuqizojnë dhe çojnë më tej shtetin ligjor në Kosovë.

BIRN: Ju jeni një gjykatëse me përvojë që keni punuar më herët në gjykata ndërkombëtare. Sipas mendimit tuaj, sa e dobishme do të jetë përvoja juaj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për punën tuaj në Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Trendafilova: Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kam punuar në një sërë çështjesh ku jam përballur me problem ligjore dhe faktike të ndryshme, me sfida komplekse që kërkonin veprim të menjëhershëm dhe zgjidhje të përshtatshme e në kohë.

Nëntë vitet që kalova në Gjykatën Penale Ndërkombëtare si edhe përvoja ime e mëhershme përbëjnë një bazë të fortë për detyrat që më janë besuar të kryej në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Është e rëndësishme të bazohesh në mësimet e nxjerra dhe të përfitosh prej arritjeve të cilat jo vetëm duhen zbatuar, por duhen zhvilluar e përmirësuar edhe më tej në veprimtarinë e përditshme të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

E njëjta gjë është e vërtetë për të gjithë gjykatësit e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të cilët kanë përvojë të gjerë vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe përvojë në gjykata penale ndërkombëtare.

Si institucioni më i ri që procedojmë krime ndërkombëtare, ne kemi rastin e papërsëritshëm që të shmangim të metat që mund të jenë hasur në institucionet e tjera gjyqësore në juridiksionet e tyre përkatëse.

BIRN: Sipas jush, në cilat mënyra kjo gjykatë mund të ndihmojë në përparimin e drejtësisë penale? A ka kjo gjykatë diçka që gjykatat e tjera ta përdorin si element të ri?

Trendafilova: Struktura e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe korniza ligjore për veprimtarinë e kësaj gjykate përmbajnë disa risi që mund të ndihmojnë në përparimin e drejtësisë penale dhe gjithashtu mund të shërbejnë si modele për përmirësime institucionale në të ardhmen.

Në lidhje me këtë, dëshiroj të përmend Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo dhomë është pjesë e strukturës së institucionit tonë me detyrë për të shqyrtuar nëse Rregullorja e Procedurës dhe e Provave përputhet me Kushtetutën e Kosovës dhe nëse pasqyron standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Një përgjegjësi tjetër e kësaj dhome është të garantojë mbrojtjen e të drejtave të individëve të mishëruara në Kushtetutë, para Dhomave të Specializuara dhe prej çfarëdo veprimi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Institucione të tjera të drejtësisë penale që procedojnë krime të njëjta ose të ngjashme nuk e kanë këtë mekanizëm themelor garantues të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, Avokati i Popullit është një risi e institucionit tonë krahasuar me gjykatat penale ndërkombëtare. Detyra e Avokatit të Popullit është monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të mishëruara në Kapitullin II të Kushtetutës, të personave që kanë punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren.

Së treti, Dhomat e Specializuara të Kosovës synojnë të funksionojnë në mënyrë efikase dhe të efektshme. Për shembull, në Ligj nuk parashikohet prania e përhershme e gjykatësve në selinë e Dhomave të Specializuara, përveçse për nevoja konkrete të punës.

Ligji gjithashtu ka përcaktuar një Regjistër të Gjykatësve Ndërkombëtare dhe një sistem funksionimi në të cilin Kryetari ka kompetencë të caktojë gjykatës në panele të ndryshme, sipas nevojave.

Gjithashtu, ne kemi siguruar administrim të përpiktë të çështjeve dhe afate të rrepta për veprimtarinë gjyqësore. Këto dhe shumë metoda të tjera të dakorduara dhe të miratuara prej gjykatësve do ta bëjnë institucionin tonë efikas.

Disa prej këtyre veçorive burojnë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, kurse të tjerat janë paraqitur prej gjykatësve të Plenares. Këto risi mund të studiohen dhe të mbahen parasysh si duhet në modelet e ardhshme të drejtësisë penale ndërkombëtare.

BIRN: Duke pasur parasysh krizën aktuale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe krijimin e gjykatave hibride si kjo për Kosovën, ose gjykata për Republikën Afrikane Qendrore, a mendoni se kjo është e ardhmja e drejtësisë ndërkombëtare, apo është një kompromis i përkohshëm?

Trendafilova: Fillimisht, unë nuk pajtohem se Gjykata Penale Ndërkombëtare është në krizë. Përkundrazi, gjykata e parë penale ndërkombëtare e përhershme funksionon thuajse prej 15 vjetësh dhe është konsoliduar fort në arenën ndërkombëtare.

Problemet që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka me disa shtete anëtare mund të konsiderohen si një provë se ky institucion është në rrugën e duhur në luftën kundër krimeve të llahtarshme që lëndojnë ndërgjegjen e njerëzimit.

Kundërshtimi më i ashpër vjen nga ata të cilët kanë frikë nga momenti kur do të dalin para kësaj gjykate.

Sidoqoftë, ekzistenca e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk pengon daljen e institucioneve të një natyre të ndryshme si Dhomat e Specializuara dhe gjykata hibride për Republikën Afrikane Qendrore ku veçantia e krimeve e problemet që duhen zgjidhur anon në ndjekjen e një rruge të ndryshme.

Në trend Lajme

Më shumë
Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit, reagon Sanduloviq: Kam paralajmëruar se kjo do të ndodh, por BE-ja dhe ShBA-të nuk më dëgjuan

Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit, reagon Sanduloviq: Kam paralajmëruar se kjo do të ndodh, por BE-ja dhe ShBA-të nuk më dëgjuan

Lajme
Ndërron jetë ish-shefi i sigurimit të Thaçit, Xhavit Ferizi - Raketa

Ndërron jetë ish-shefi i sigurimit të Thaçit, Xhavit Ferizi - Raketa

Lajme
QKSS: Çfarë është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?

QKSS: Çfarë është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?

Lajme
Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Politikë
Pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Lekaj e Statovci japin qëndrimet e tyre

Pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Lekaj e Statovci japin qëndrimet e tyre

Elfije Boletini
Policia në kërkim të Shkelzen Ahmetit nga Gjakova, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij

Policia në kërkim të Shkelzen Ahmetit nga Gjakova, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij

Lajme
Kalo në kategori