0Shares

Informimi jo i mjaftueshëm në lidhje me sëmundjen, shpesh shkakton merakosje të panevojshme të pacienti si dhe pengon përmbajtjen e udhëzimeve të mjekut. Për këto arsye në trajtimin e hipertensionit bashkëpunimi ndërmjet mjekut dhe pacientit është shumë i rëndësishëm.

Dr. Edis Demiri
Kardiolog
Spitali Amerikan, Kosovë
Rr. “Shkupi”, nr. 25, Prishtinë
+386 49 933 971
038 221 661; 038 400 661
info@spitaliamerikan.com
www.spitaliamerikan.com

Çka është hipertensioni dhe cilët janë pacientët me hipertension

Gjatë majtës së shtypjes së gjakut vlerësohen dy vlera të tensionit. Tensioni i madh (shtypja sistolike e gjakut) si dhe tensioni i vogël (shtypja diastolike e gjakut). Zakonisht këto dy vlera ngritën njëkohësisht. Për diagnostikim të hipertensionit mjafton që njëra nga këto të jetë më e lartë se vlerat normale.

Pacientët që e kanë tensionin e gjakut më të lartë se vlerat normale që do të thotë se e kanë shtypjen sistolike mbi 140 mmHg dhe/ose shtypjen diastolike mbi 90 mmHg janë pacientet me hipertension.

Hipertensioni është një sëmundje e shpeshtë. Është sëmundja më e shpeshtë kronike e të rriturve (personave mbi 18 vjeç). Përveç që është sëmundje e shpeshte, hipertensioni është sëmundje e rëndësishme sepse mund të shkaktojë pasoja të përhershme si dhe vdekje. Duhet të ceket së shumica e pacientëve nuk janë të vetëdijshëm për sëmundjen e tyre.

Hipertensioni mund të shkaktojë sëmundje të veshkave, kardiovaskulare, neurologjike si dhe problem me sytë. Në shoqëritë ku konsumimi i kripës është më i lartë edhe hipertensioni është sëmundje më e shpeshtë.

Cilat janë shkaqet e hipertensionit

Në 90-95 % të rasteve me hipertension shkaku i sëmundjes nuk dihet, ose mund të themi se hipertensioni nuk është si pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër. Ky lloj i hipertensionit quhet hipertension primar apo esencial. Ndërsa në 5-10 % të pacientëve hipertensioni është si pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër. Pjesa dërmuese e këtyre rasteve kanë të bëjnë më sëmundje të veshkave, ndërsa një pjesë tjetër e vogël kanë të bëjnë më çrregullime hormonale – sidomos më gjëndrat mbiveshkore. Në këto raste kemi të bëjmë më hipertension sekondar.

Simptomat e hipertensionit

Pjesa dërmuese e pacientëve me hipertension nuk kanë ankesa. Mund të themi se hipertensioni është sëmundje më natyrë tinëzare. Të këta pacientë diagnostikimi i hipertensionit është i mundshëm vetëm me matjet të tensionit. Për këtë arsye çdo person, çoftë me diagnoze të hipertensionit apo pa të, duhet që të paktën 1-2 herë në vit të bëjë matjet të tensionit. Nuk duhet harruar se hipertensionit i thuhet edhe “vrasës i heshtur”.

Simptomat kryesore të hipertensionit janë kokëdhimbja, marramendja, rrahjet më të shprehura të zemrës, frymëzënia, plogështia, lodhja, gjakderdhje nga hunda, ndonjëherë urinim i shpeshtë, si dhe ënjtje të këmbëve. Në rastet kur tensioni ngritët tej mase atëherë pacienti mund të këtë vizion të dyfishtë, mpirje të gjuhës ose ndjesi shpimi gjilpërash në trup. Të gjitha këto simptome nuk janë specifike për hipertension, mund të paraqiten edhe në rast të sëmundjeve të tjera.

Dëmet që shkakton hipertensioni

Të gjitha indet dhe organet në trupin e njeriut përmbajnë arterie. Hipertensioni mund të shkaktojë çarje apo mbyllje të arterieve në mënyrë të ngjashme si edhe shtypja e lartë e ujit që mund të shkaktoje mbyllje apo pëlcitje në gypat e ujit. Pasi që të gjitha indet dhe organet ushqehen përmes arterieve, hipertensioni mund të dëmtojë të gjitha organet e trupit. Organet që më së shumti prekën nga tensioni janë: zemra, truri, veshkat, arteriet e mëdha dhe sytë.

Si trajtohet sëmundja

Hipertensioni është një sëmundje që mund të trajtohet. Me terapi adekuate dëmet potenciale të hipertensionit mund të parandalohen apo të minimizohen. Nëse diagnostikohet më kohë dhe trajtohet si duhet atëherë pasojat e hipertensionit mund të parandalohen.

Kripa ka rëndësi shumë të madhe në zhvillimin e hipertensionit. Kapaciteti i veshkave për largimin e sasisë së tepërt të kripës është i kufizuar, kështu që ushqimi me sasi më të madhe të kripës mund të shkaktojë hipertensionin si dhe të pengojë trajtimin e tij. Në shoqëritë ku kripa konsumohet në sasi më të vogël tensioni mesatar i popullsisë është më i ulët dhe personat më hipertension janë në numër më të vogël. Kufizimi i konsumimit të kripës në 5-6 g në ditë e ulë tensionin në sasi të konsiderueshëm të shumica e pacientëve.

Për një trajtim të suksesshëm të hipertensionit është e nevojshme një marrëdhënie e shëndoshë ndërmjet mjekut dhe pacientit. Së pari pacienti duhet të pranojë që është i sëmurë. Edukimi ka rendësi shumë të madhe në suksesin e trajtimit. Qëllimi kryesor në trajtimin e hipertensionit është ulja e rrezikut për pasojat që mund të i shkaktojë hipertensioni si dhe rregullimi i ankesave të pacientit.

Bashkë me hipertensionin duhet të trajtohen edhe faktorët e tjerë të rrezikut, si diabeti dhe hiperlipidemia që shpesh herë e shoqërojnë hipertensionin.

Mosarritja e suksesit në trajtimin e hipertensionit është një dukuri e shpeshtë. Shkaqet kryesore për numrin kaq të madh të rasteve që nuk arrihet sukses janë se sëmundja nuk bënë ankesa si dhe fakti që pacientët nuk i kushtojnë rëndësi të mjaftueshme. Përgjegjësia e pacientit për suksesin e trajtimit është më e madhe se e doktorit.

Çfarë lidhje ka hipertensioni me veshkat?

Veshkat janë të rëndësishme në zhvillimin e hipertensionit. Të pacientët më hipertension, mundësia për të pasur një sëmundje të veshkave është rreth 5 %. Për këtë arsye të gjithë pacientet më hipertension duhet të vlerësohen nga aspekti i sëmundjeve të veshkave. Në shumicën e rasteve një analize e thjeshtë e urinës do të jetë e mjaftueshme.

Në anën tjetër edhe hipertensioni mund të shkaktojë dëmtim të veshkave. Në shumicën e rasteve është e pamundshme të dallohet se a është hipertensioni që i ka dëmtuar veshkat apo është sëmundja e veshkave ajo që e ka shkaktuar hipertensionin.

Cilët janë efektet kardiovaskulare të hipertensionit?

Gjendjet dhe sëmundjet që e risin mundësinë e sëmundjeve kardiovaskulare quhen faktorë të rrezikut. Pacientët me hipertension shpeshherë mund të kenë edhe faktorë të tjerë të rrezikut si: diabetin dhe çrregullimet me yndyrat në gjak për këtë arsye të gjithë këta faktorë të rrezikut duhet trajtohen bashkë për të ulë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare në nivel minimal.

A mund të trajtohet hipertensioni pa ilaçe

Trajtimi i hipertensionit pa ilaçe, pra ndërrimi i stilit të jetës është shumë i rëndësishëm si për trajtimin ashtu edhe për parandalimin e sëmundjes. Shumica e udhëzimeve që i jepen pacientëve me hipertension janë të dobishme edhe për personat e shëndoshë pa hipotension. Terapia pa ilaç nuk duhet të neglizhohet assesi. Ndryshimi i stilit të jetës është sidomos i rëndësishëm të personat që kanë probleme si diabeti, obeziteti dhe çrregullimet me yndyrat në gjak. Ndryshimi i stilit të jetës jo vetëm që mundëson trajtimin e hipertensionit pa ilaçe, po ashtu edhe të pacientet tek të cilët është e domosdoshme terapia me ilaçe mundëson uljen e dozave.

Pikat themelore të ndryshimit të stilit të jetës janë:

– Ulja e sasisë së konsumimit të kripës
– Ulja në peshë
– Aktiviteti fizik
– Ndërprerja e duhanit
– Të mos teprohet me pijet alkoolike
– Të kufizohet konsumimi i yndyrave të ngopura dhe kolesterolit

Qëllimet e trajtimit të pacientit me hipertension

Të hipertensioni me uljen e shtypjes së gjakut arrihet ulja e rrezikut të sëmundjeve kardiovasulare. Qëllimi themelor është që shtypja e gjakut të ulet nën 130/85 mmHg dhe të mbahet në këto nivele. Mos arritja e këtij qëllimi është një problem i shpeshtë dhe fatkeqësisht nuk i kushtohet rëndësi e mjaftueshme as nga pacientet as nga mjeket. Qoftë edhe një rënie prej 5-10 mmHg është një përfitim i rëndësishëm për pacientin.

Këshillat për pacientet me tension të lartë:

Pacientet duhet të mësojnë si të masin tensionin dhe nëse kanë mundësi të blejnë një parat për matje të tensionit.
Pacientet duhet të bëjnë zakon të shënojnë vlerat e matura të tensionit
Letra/fletorja ku shënohen vlerat e tensionit nuk duhet harruar në shtëpi kur të bëjë vizitën të mjeku.
Ditën e terminit të pihen ilaçet e përshkruara.
Kur të shkohet për kontroll duhet marrë më vete i tërë dokumentacioni mjekësor që e posedon pacienti (rëntgen, rezultatet e analizave, dosja e spitalit, kutitë e ilaçeve, etj). /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)