LAJMI I FUNDIT:

Dr.Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog

Dr.Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr.Lirim Ukimeraj
otorinolaringolog
tel. 044 116 361



Përshëndetje doktor. Jam 33 vjeçe. Kam disa kohë që vuaj nga bajamet me bakteret Streptococ B-hemolitik dhe Stafilococaureus. Kam përdorur antibiotikë; tani në fund mora Ampicilin, por e ndërpreva, nuk di nëse bëra mirë apo jo, por pata probleme me dhimbje barku, në pjesën poshtë brinjëve. Në stomak kam dhimbje gjithnjë, por edhe në pjesën e shpinës dhe në veshka. Nuk di ku duhet të drejtohem. Çfarë analizash duhet të bëj?
Ju faleminderit doktor, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Më vjen keq që nuk mund te ju jap sqarime se çfarë analizash duhet të bëni nëpërmjet shkëmbimit të letrave. Nuk do të ishte korrekte e as profesionale, por në bazë të asaj se çfarë ju thoni, ju duhet të konsultoni ORL-logun që të shihet gjendja e bajameve tuaja dhe të vendoset për mënyrën e trajtimit. Te të rriturit zakonisht kur kanë dy angina në vit për tre vjet me radhë, merret qëndrim për operimin e bajameve. Për ankesat tjera duhet të konsultoni mjekët përkatës.


Përshëndetje. Jam 20 vjeçare, ka kohë që kam pengesa në frymëmarrje gjatë natës. Nuk bëj gjumë pa gojë të hapur, gjithashtu ana e majtë e hundës lart, ka një devijim i cili vërehet nga jashtë. Probleme me sinuse nuk kam pasur asnjëherë.
Doktor, a kam nevojë për ndërhyrje kirurgjike?
Pres përgjigjen tuaj. Me respekt.

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit tuaj për ankesat në frymëmarrje me gojë, gjithmonë dyshojmë në pengesa mekanike në hundë ose mbetje e adenoidit (bajamja e tretë) në epifaring.
Këto pengesa dëshmohen me ekzaminim, e tek atëherë merret vendim për trajtim kirurgjik.
Devijimi që vërehet nga jashtë, ka të bëj me anën estetike të hundës që gjithashtu mund të trajtohet kirurgjikisht.


Doktor, shpresoj të jeni mirë. Jam 21 vjeçare nga Prishtina. Jam e interesuar të bëj një intervenim të vogël në hundë. Hunda është në rregull, vetëm në fund të saj, maja është pak si rrumbullakët. Në profil dua të duket më e vogël.
Si bëhet ky intervenim, sa ditë zgjat rimarrja e vetes, kur largohet fasha?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Është problem të jap ndonjë koment të detajuar se çka duhet bërë pa e parë hundën, por në bazë të përshkrimit tuaj, kjo që ju kërkoni, nuk bëhet pa ndërhyrje kirurgjike.
Tamponët në hundë që vendosen pas operimit hiqen pas 3-5 ditësh, ndërsa maska hiqet ditën e 8-të pas operimit. Për punë të lehta, jeni aktive që nga momenti kur e heqim maskën.


Përshëndetje doktor. Jam 25 vjeçare. Ka një muaj e më tepër që kam dhimbje koke tërë kohën, të shoqëruara me dhimbje shumë të forta-sulme të kohëpaskohshme, në anën e djathtë të kokës. Me sugjerim të mjekut familjar, realizova një rrezatim të sinuseve dhe kjo është ajo që ka vërejtur radiologu: Hypoplasio sin.frontalis bill.pp.dex.
Sinusithis maxill.bill./formë e lehtë/
hyperthrophio conchae nasales inf.bill
Çka nënkupton kjo, a është diçka që duhet të shqetësohem dhe a ka kjo lidhje me dhimbjen e kokës?
Poashtu duke marrë shkas nga dhimbja e kokës, vizitova edhe oftalmologun. Edhepse unë e kam shikimin e mirë dhe kurrë nuk kam pasur probleme me sy, mjeku më diagnostikoi me dioptrinë +1.0. A ekziston mundësia që problemi me sinuset ka reflektuar në probleme me të pamurit?
Pres përgjigjen tuaj.

Respekt.

PËRGJIGJE:
Kokëdhimbja gjithmonë është shqetësuese, por në rastin tuaj, bazuar në të dhënat që ju jepni, kohëzgjatja dhe lloji i kokëdhimbjes, nuk është karakteristikë e diagnozave të lartshënuara.
Problemet që ju keni me shikimin, gjithashtu nuk lidhet me diagnozat e lartshënuara, por në anën tjetër problemet me shikimin dinë të japin kokëdhimbje.
Në këtë rast, ju këshilloj të konsultoni edhe neurologun.


Përshëndetje i nderuari Dr. Lirim. Jam 19 vjeçar dhe kam probleme me frymëmarrjen, hundë zakonisht më bllokohen, por jo të dy vrimat njëkohësisht- herë njëra anë, e herë tjetra. Pason një sekrecion shumë i madh me ngjyrë të gjelbër. Nuk mundem dot pa i fryrë hundëve, pothuajse 15 minuta nuk qëndroj dot. Nganjëherë kundërmojnë erë të keqe.
Dua të di se mos kam sinuset apo ndonjë infeksion. Nuk kam përdorur ndonjë ilaç apo antibiotik, përveç disa pikave për hundë (Nafozoline) dhe nganjëherë i pastroja hundët me ujë të ngrohtë të kripur.
Këtë problem nuk e kam qe një kohë të gjatë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Dukuria që ju e keni vërejtur se po ju bllokohet herë njëra e herë vrima tjetër e hundës është dukuri fiziologjike/normale dhe njihet si cikli ditor i hundës, ndërsa prezenca e sekretit të shtuar dhe me ngjyrë është shenjë e infeksionit të hundës.
Pavarësisht se këtë problem nuk e keni për një kohë të gjatë, gjithsesi duhet të konsultoni mjekun dhe të merrni terapinë adekuate. Fatkeqësisht nëpërmjet kësaj përgjigjeje nuk mund t’ju përshkruaj terapi, po mund t’ju këshilloj që mos të abuzoni me Nafazoline dhe preparate të ngjashme.


Përshëndetje doktor. Jam 23 vjeç, në moshën 7 vjeçare kam pësuar një incident në hundë i cili ka shkaktuar rënien e saj. Në spital më qepën dhe tani nga jashtë kam vetëm një shenjë të vogël në pjesën e kurrizit të hundës. Deri në moshën 15 vjeç nuk pata probleme, pastaj pata bllokim të hundës dhe nuk ndjeja asnjë lloj arome. U vizitova dhe më thanë që kam mish të huaj në hundë dhe jam operuar 3 herë deri, por më përsëritet dhe rritet vazhdimisht. Deri në një vit pas operimeve, i ndjeja aromat dhe nuk e kisha ndjesinë e bllokimit. Pas operacioneve kam marrë shumë lloje mjekimesh për 5 vjet me rradhë. Dhe, më duket sikur këto mjekime janë bërë shkak edhe për mbipeshën time. Operacionin e fundit e kam bërë para 3 vjetësh. Mishi në hundë vazhdon të më rritet përsëri.
Ju lutem më këshilloni ndonjë zgjidhje përfundimtare për këtë problem.
Ju falënderoj për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
Ajo që ju keni pasur lëndim të hundës në fëmijëri nuk është shkaktari i problemeve që keni tani. Mishi i huaj në hundë që përdoret si term në popullatë, ka të bëjë me polipet në hundë, që i përgjigjet edhe natyrës së problemeve që ju po i përshkruani.
Polipet (mishi i huaj, siç po i thoni ju) hyn në kuadër të inflamacioneve kronike të hundës, që edhe sot e kësaj dite nuk i dihet shkaktari i saktë dhe janë disa teori që permenden në literaturën mjekësore. Si rrjedhojë e kësaj edhe trajtimi medikamentoz është kryesisht simptomatik dhe kronik siç është edhe vetë sëmundja.
Në raste më të theksuara, trajtimi është edhe kirurgjik, në vendet e zhvilluara është shumë e avancuar kirurgjia endoskopike që njihet si FESS (Functional Endoskopik Sinus Surgery).
Ju këshilloj që të kontaktoni ndonjë qendër ku ky lloj operimi është rutinë.


I nderuari dr.Lirim. Kam devijim të hundës dhe tashmë e kam kuptuar se patjetër duhet t’i nënshtrohem operacionit për perden e hundës.
Tash e një vit kam probleme me lëkurën, kam kruarje, si dhe alergji. Testet e alergjisë i kam bërë, por nuk kanë dalë që kam alergji në diçka. Shqetësimi im është se a ka mundësi që e tërë kjo kruarje dhe siklet që kam mos po më shkaktohet nga hunda, sekreti që kam në të. Unë thuajse çdo herë kam kruarje të qiellzës së gojës, veshëve dhe më shkojnë hundët. Tash e thuajse një vit kam marrë barna nga më të ndryshmet, por asnjëra s’po ma largon këtë problem. Momentalisht jam duke marrë Cetiram – çdo ditë nga një. Kur e marr ndjehem mirë, më largohet sikleti dhe kruarja, por si të kalojnë 24 orë, fillon prapë me simptoma të njëjta. Kam frikë se kurrë nuk do të mundem të heq tabletat, sikur jam bërë e varura nga ato.
Pres përgjigje.
Faleminderit dhe respekt për juve!

PËRGJIGJE:
Devijimi i perdes së hundës është problem mekanik në kalueshmërinë e hundës që përcillet me pengesa në frymëmarrje dhe se nuk ka të bëjë me problemet që ju po i cekni. Ky problem zgjidhet vetëm me intervenim kirurgjik.
Pavarësisht se në teste alergjike nuk është dëshmuar alergjia, klinika/shenjat që ju keni, flet shumë për një ngacmim të natyrës alergjike për çka flet edhe reagimi pozitiv kur ju merrni Cetiram. Pasi që nuk kam informata të tjera mbi barnat e shumta që keni marrë, siç thoni ju, e kam të vështirë t’u jap ndonjë këshillë praktike në këtë formë.


Përshëndetje doktor. Kam një vajzë të vogël rreth 2 vjeç. Më duket se nuk dëgjon mirë, kam bërë një kontroll te mjeku dhe më ka shënuar diagnozën
Laessio sensoneuralis bil.sup, por nuk më dha sqarime që unë t’i kuptoja saktë, nëse ka dëmtime në dëgjim dhe a mund të shërohet.
Nëse mund të ma sqaroni këtë diagnozë, do të isha mirënjohës.

PËRGJIGJE:
Diagnostikimi i problemeve me dëgjim te fëmijët e vegjël siç është edhe fëmija juaj, është mjaft specifik dhe kërkon aparaturë specifike, si dhe otorinolaringolog të trajnuar.
Unë nuk merrem më këtë lëmi, por të paktën më kontaktoni që t’ju informoj më saktësisht se ku te orientoheni.


Përshëndetje doktor i nderuar. Jam 26 vjeçare. Ka një kohë të gjatë, gati pothuajse 10 vite që unë vuaj nga pështyma e tepërt në gojë, në veçanti gjatë natës, kur më duhet patjetër të pështyj dy ose tri herë. Përveç pështymës, unë pështyj edhe gjak, me ngjyre jo të kuqe, por të zbehur me erë të rëndë. Kam qenë te endokrinologu dhe kam bërë analizat, më është shfaqur problemi me gjëndrën tiroide, për të cilën jam në terapi, por pështyma është në gjendjen e njëjtë. Doktori më ka sugjeruar të konsultohem te ORL-ogu, ngaqë simptomat mund të jenë si pasojë e ndonjë bakteri apo sëmundjeje që vjen prej fytit. Unë kam bërë edhe një strisho të fytit e cila ka dalë krejt në rregull.
Çfarë do të duhej që unë të bëj?
Ju falemnderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të të dhënave që jepni, unë më shumë po dyshoj në problemin e inflamimit kronik të mishit të dhëmbëve për çka është karakteristike era nga goja dhe pështyma me përmbajtje gjaku me ngjyrë të zbehtë, që gjithashtu përcillet me dhimbje, gjakderdhje gjatë pastrimit të dhëmbëve.
Prandaj ju rekomandoj një konsultë tek stomatologu para se të vizitoni specialistin e ORL-së.


I nderuar doktor. Ju përgëzoj juve dhe redaksinë për ndihmën që na jepni. Jam rreth të 45-ave, kam pasur kokëdhimbje që përsëriten çdo vit, pothuaj në sezonin vjeshtor. Këtë vit këto kokëdhimbje ishin shumë të mëdha. Pas dhimbjeve kam përdorur Avamingran. Kur i kam përdorur, dhimbjet e kokës e sidomos ato rreth vetullave dhe syrit, më pushonin. Kam bërë edhe fotografime të lukthit, por nuk është vërejt diçka. Sivjet pas kokëdhimbjeve të shumta, një mjek otorinolaringolog, më ka bërë operacion për devijim të hundës (ashtu supozoj ai se është problemi), por dhimbjeve të mëdha, tani iu shtuan edhe vjellja e mundime. Dhimbjet janë shtuar, nuk janë ndalur, dmth operacion ka dështuar. Para disa ditësh fillova me Avamigran.
Doktor, të lutem, më jep një shpjegim.

PËRGJIGJE:
Para se të jap ndonjë sqarim po të them se operacioni në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se ka dështuar. Arsyeja pse po ta them këtë nuk është mbrojtja e kolegut që ju ka operuar, por për t’ju informuar se deviacionet e perdes së hundës shumë shpesh japin kokëdhimbje, mirëpo në këto raste pacientit duhet t’i tregohet qartë se operimi duhet bërë edhe pse nuk e dimë me saktësi se a është faji aty. Rasti juaj edhe një herë e vërteton këtë. Operimi në këto raste është eliminimi i një problemi/dyshimi e jo detyrimisht zgjidhja. Kur operimi i perdes së hundës nuk ka bërë zgjidhje, atëherë mundësia që kokëdhimjet tuaja të jenë të karakterit migrenoz janë edhe më të mëdha, këtë fakt po e dëshmon edhe qetësimi i kokëdhimbjeve pas marrjes së Avamigranit.
Në këto raste preferohet të bëhet gjithsesi edhe CT e kokës dhe hapësirave paranasale që do të na ndihmonte shumë si otorinolaringologun ashtu edhe neurologun, në arritjen e diagnozës, edhe pse shpesh gjetja e shkaktarit të kokedhimbjes është shumë e vështirë.


I nderuari dr. Lirim. Kam devijim të hundës dhe tashmë e kam kuptuar se patjteter duhet t’i nënshtrohem operacionit për perden e hundës.
Tash e një vit kam probleme me lëkurën, kam kruarje, skuqje si alergji. Testet e alergjisë kanë dalë negative. Shqetësimi im është se a ka mundësi që e tërë kjo kruarje dhe siklet që kam shkaktohet nga hunda. Unë çdo herë kam kruarje të qiellzës së gojës, veshëve dhe më shkojnë hundët. Ka një vit që marr barna nga më të ndryshmet, por asnjëra nuk më ndihmon. Momentalisht jam duke marrë Cetiram, çdo ditë nga një. Kur e marr, ndjehem mirë, më largohet sikleti dhe kruarja, por si të kalojë 24 orë, fillon prapë me simptoma të njëjta. Kam frikë se kurrë nuk do të mundem ta heq tabletën, sikur jam bërë e varur nga ajo.
Pres përgjigje.
Faleminderit dhe respekt për juve.

PËRGJIGJE:
Simptomat që ju i pershkruani flasin shumë në drejtim të problemeve alergjike, por që në anën tjetër nuk është dëshmuar me testet përkatëse. Problemet me lëkurën nuk janë pasojë e hundës siç mendoni ju, prandaj ato duhet trajtuar nga ana e dermatologut, ndërsa për problemet e hundës fillimisht duhet bërë një ekzaminim e pastaj të vendoset për mënyrën e trajtimit.


Përshëndetje doktor i nderuar. Jam 26 vjeçare. Ka një kohë të gjatë, gati 10 vite që vuaj nga pështyma e tepërt, sidomos natën, kur më duhet patjetër të pështyjë 2 ose tri herë. Unë pështyj edhe gjak, me ngjyrë jo të kuqe, por të zbehtë, me erë të rëndë. Kam qenë te endokrinologu dhe kam bërë analizat, më është shfaqur problemi me gjëndrën tiroide, për të cilën jam në terapi, por pështyma është në gjendjen e njëjtë. Doktori më ka sugjeruar të konsultohem te ORL-ogu, ngaqë simptomat mund të jenë si pasojë e ndonjë bakteri apo sëmundjeje që vjen prej fytit. Unë kam bërë edhe një strisho të fytit e cila ka dalë krejt në rregull.
Çfarë do të duhej që unë të bëj?
Ju falemnderit.

PËRGJIGJE:
Shkaqet për një problem të tillë çfarë e keni ju janë të ndryshme, qendrore, psikogjene, medikamentet e ndryshme apo edhe inflamacionet. Për të pasur një pasqyrë sa më reale të gjendjes, gjithsesi duhet një ekzaminim paraprak dhe analiza të nevojshme.
Sa i përket pështymës me gjak dhe erë të rëndë, në radhë të parë mendja më shkon për infeksion të mishit të dhëmbëve, për çka duhet të konsultohet stomatologu.


Përshëndetje doktor Lirim. Desha t’ju pyes për një shqetësim të cilin e kam, thuaja qe dy muaj e kam një problem ne fyt. Më duket se gjatë tërë kohës më ka mbet në fyt diçka sikur bërthama e thanës. Nuk më pengon as në frymëmarrje, as gjatë ngrënies. Jam vizituar para një muaji te otorinolaringologu dhe më ka thënë që nuk më ka mbetë asgjë në fyt. Kam përdorë tableta panthenol, por nuk më kanë ndihmuar. Prapë e kam të njëjtën ndjesi që po më nervozon, nuk po di se ku të shkoj, apo ku të drejtohem.
Mbes me shpresë se nuk ju kam penguar apo shqetësuar dhe se do të më këshilloni.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Problemet dhe shqetësimet e fytit/grykës përpos që vijnë si pasojë e sëmundjeve të vet këtij organi, në raste të konsiderueshme janë pasojë e mosfunksionimit apo problemeve që kemi me hundë apo lukth.
Në bazë të të dhënave që ju ofroni, nuk përmenden probleme të kësaj natyre, prandaj ju sugjeroj që nëse keni ndonjë shqetësim me frymëmarrjen me hundë apo probleme me lukthin, konsultoni ju lutem specialistet e lëmive përkatëse.


I nderuar dr.Lirim. Jam 44 vjeçe, kam një shqetësim jo të vogël në lidhje me dëgjimin. Them problem, sepse vet natyra e punës sime në një administratë me një staf vërtet intelektual dhe të përgatitur më bën të ndjehem keq. E ndiej se nivelin e dëgjimit e kam të ulët dhe më duhet që t’i shoh në gojë kolegët kur flasin.
Veshët nuk më kanë dhembur ndonjëherë. Duke vënë re këtë mungesë, unë vetëm se kam bërë larje të tyre rrallë ndonjëherë dhe më është dukur se ka ndryshim, por pas pak kohësh, përsëritet e njëjta situatë.
Çfarë mund të bëj dhe a mund të riparohet sado pak ky problem se vërtet ndihem keq.
Me respekt për këshillat tuaja.

PËRGJIGJE:
Fatmirësisht sot janë mundësitë e mëdha për t’u ndihmuar personave me probleme të tilla çfarë ju i përshkruani. Prandaj duhet ta vizitoni audiologun dhe besoj se do të bëni zgjidhjen e duhur.


I nderuar. Pasi jam lexuese e rregullt e telegrafit dëshiroj të bëj një pyetje. Ka shumë vite më parë që më kanë thënë se kam një devijim të hundës. Problemi im është sidomos gjatë gjumit, kam problem me frymëmarrje, ndoshta pse më bllokohen vrimat e hundës. Gjumin e bëjë në dy jastëkë. Kam frikë nga operacioni. Shpesh edhe gjatë pastrimit të dhëmbëve nëse pasta shkumon, më vjen të kthejë, sepse shumë gërditëm. Nuk kam përdorë dhe as nuk përdori asnjë terapi. Kërkoj ndihmën dhe këshillat tuaja. Ju faleminderit dhe gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Devijimi i perdes së hundës gjithsesi që të shkakton probleme në frymëmarrje me hundë dhe, në të njëjtën kohë, obligon frymëmarrje me gojë që nuk është normale. Ne shpesh e themi edhe si me shaka se të marrësh frymë me gojë është si të hash bukë me hundë. Në këtë rast preferohet operimi i perdes së hundës, që si procedurë operative zgjat përafërsisht gjysmë ore dhe bëhet me anestezi të kombinuar lokale dhe intravenoze me ç’rast nuk ndien dhimbje fare. Prandaj mos u frikësoni.


Jam 20 vjeç, por kam problem me hundë, e kam të shtrembër, por më pengon në frymëmarrje. Desha ta di, a operohen vetëm vrimat e hundës apo aty ku është e shtrembër? Sa ditë zgjatë mjekimi?
Ju faleminderit. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Pengesat në frymëmarrje me hundë shpesh janë si pasojë e shtrembërimit të perdes së hundës (septumit), e në këtë raste trajtimi është operativ. Ky lloj i intervenimit quhet septoplastica (lat.) dhe kryhet nëpërmjet të vrimave të hundës pa lënë shenjë nga jashtë dhe pa e prekur formën e jashtme të hundës.
Mjekimi zgjat 5 ditë.


Përshëndetje doktor. Jam Linda nga Prishtina, kam një vajzë dy vjeçe e cila i ka bajamet. Tash e një vit ka filluar të bëhet shumë e ndjeshme dhe shumë shpesh po fillon të kollitet dhe pediatrit e përgjithshëm më kanë thënë se i ka bajamet, strishoja ka dalë mirë, nuk ka ndonjë baktere në fyt apo hundë. Në gjumë ka një ngërhamë dhe hunda shumë shpesh po i zihet. Të gjitha analizat kanë rezultuar mirë. A mendoni se duhet patjetër të ketë intervenim kirurgjik apo ka mundësi në këtë moshë që përmes terapisë ta tejkaloj këtë fazë. Ju lutem, nëse ka mundësi të më përgjigjeni në këtë pyetje, sepse jam shumë e brengosur.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit të problemeve që ka vajza juaj edhe unë mund të konkludoj që vajza juaj ka probleme me bajame e posaçërisht me bajamen e tretë. Vendimi për operim apo jo, merret kryesisht nga shpeshtësia e paraqitjes së problemeve dhe përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve. Në këto rrethana ju preferoj të bëni edhe ekzaminimin e veshëve të vajzës suaj.


I nderuar doktor. Kam probleme me hundë, në anën e majtë kam të zhvilluar sinusin, gjithashtu kam devijim të perdes së hundës. Pjesa e sipërme e hundës (ashti i hundës) është më i ngritur. Kam probleme shëndetësore dhe estetike. Jam 17 vjeç dhe pyes se kur mund të bëj ndërhyrje kirurgjikale në hundë, dhe se a mundem njëkohësisht ta rregulloj ashtin e hundës si dhe ta largoj sinusin.

PËRGJIGJE:
Në shumicën e rasteve devijimi i perdes së hundës përcillet edhe me probleme me sinusin në anën në të cilën është devijimi, prandaj edhe preferohet operimi i perdes së hundës. Është me shumë rëndësi lloji dhe shkalla e pezmatimit të sinusit që të vendosim edhe për operimin estetik në të njëjtën kohë.


Përshëndetje. Jam 21 vjeçar edhe kam hunden me probleme, nuk është normale, është shumë e ënjtur, sidomos kur kam sekrecione. Një kohë e gjatë më përcjell ky problem dhe nuk e duroj dot më. Dhe do doja të di nëse bëni ulje çmimi për persona me status të veçantë, si për shembull me "aftësi të kufizuara"?
Pres pergjigje!
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Fillimisht ju ftoj për një vizitë që të shohim konkretisht se për çka bëhet fjalë dhe ti diskutojmë kërkesat tuaja dhe mundësitë e kirurgjisë. Konsultën do ta keni pa pagesë, ndërsa sa i përket çmimit për operim, sigurisht që në raste të caktuara bëjmë zbritje.


Përshëndetje, jam 23 vjeçe. Vitet e fundit kam patur ca eksperienca të pakëndshme me fytin. Nuk kam vuajtur kurrë as nga bajamet as nga ndonjë gjë tjetër, madje s’kam qenë kurrë në spital. Mirëpo, së fundmi kam patur ca probleme. Më saktë, më ngec çdo gjë që kaloj, po hëngra më ngec, po piva më shkon keq. Ka raste kur më bllokon frymëmarrjen plotësisht deri edhe në 10 sekonda. Kjo gjë më ndodh në çdo kohë….pak më parë gati vdiqa nga një gllënjkë çaj. Më kanë thënë që është emotive, por këtë version e hedh plotësisht poshtë. Do ju isha shumë mirënjohëse nëse dikush do të më tregonit ndonjë gjë rreth këtij problemi, pa shkuar tek doktori. Pse ndodh? Çfarë e shkakton? A mund të parandalohet, etj.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të të dhënave që lexova, nuk pashë askund që ju keni bërë deri tani ndonjë vizitë te mjeku. Në raste të caktuara edhe pas shumë vizitash dhe ekzaminimesh kemi vështirësi në dhënien e një mendimi të saktë apo diagnoze. Prandaj, filloni vizitat te mjeku që të shihen gjërat konkretisht që të mund t’u ndihmojmë.


Së pari ju falënderoj për temat që i trajtoni me shumë detaje të cilat na ndihmojnë të gjithëve. Mua më intereson a mund të bëhen dy operacione përnjëherë (ai i hundës dhe i veshëve, veshët i kam pak llaposh edhe hundën e kam pakëz të thyer).
Këtë pyetje po ua parashtroj për shkak se nuk mund të marr më shumë se 2 javë pushim nga puna.

PËRGJIGJE:
Jo, nuk bëhen që të dyja në të njëjtën kohë, ose të paktën unë nuk i bëj në të njëjtën kohë.
Por, po ju propozoj që fillimisht ta bëni njërin operim dhe nëse jeni të kënaqur me suksesin, atëherë bëjeni edhe operimin tjetër (kjo ishte pak për shaka).


Përshëndetje doktor. Unë jam 19 vjeçar, jam ne gjendje të mirë fizike, por kam disa shqetësime në lidhje me bajamet. Qysh para 3 vjetësh, disa herë kam pasur rritje të bajameve dhe qelbosjen të tyre. Mjeku më ka dhënë longacef dhe ilaçe përcjellëse. Analizat kanë treguar se kam streptokokus h beta, ndërsa tash për momentin kam bërë aso testin dhe më ka dalë 400. Kur koha është e ftohtë, kam humbje force, dhembje në pjesën e shpinës. Unë jam alergjik në penicilinë, nuk mund ta merr injeksionin e quajtur ekstracilin.
Çfarë më propozoni të bëj pasiqë jam në dilemë t’i heq bajamet apo të rri kështu sa të mundem. Respekt për ju, faleminderit!

PËRGJIGJE:
Kur kemi probleme të kësaj natyre me bajame, sidomos kur janë të shpeshta dhe që përcillen edhe me rritjen e ASO-s, atëherë propozojmë heqjen e bajameve.


Përshëndetje doktor Lirim. Kam një problem me hundët, pasi që hundët e mija sekretojnë shumë po thuajse qe një vit. Jam 18 vjeçar, kam vizituar mjekun otorinolaringolog, kam përdorur disa medikamente, mirëpo nuk kanë pasur efekt. Më intereson të di nëse kam nevojë për ndonjë ndërhyrje kirurgjike.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të informacionit që keni dhënë, në asnjë mënyrë nuk mund t’u rekomandoj trajtim kirurgjik për këtë problem që keni. Ju sugjeroj që fillimisht të konsultoni alergologun.


I nderuari Dr. Lirim. Kam djalin në moshën 7 vjeçe i cili ka problem të madh me bajamet. Kohët e fundit brenda 3 muajve ka pësuar 4 angina. Është trajtuar me penicillin 800.000, por herën e katërt reagimi i penicilines ka qenë shumë i dobët (siç ishte edhe rasti me Ospen). Gjendja e tij rendohet me temperaturë të lartë dhe molisje. Kam bërë të gjitha analizat të cilat çdo herë qe 5 vjet e deri tash, kanë dalë në suaza të normales (të fundit: strisho hundë, gojë, asto, crp, waler rosa, latex RF, fibrogjeni, pasqyra e gjakut).
Pas konsultave me pediatrin, referenca e tij ka qenë që të bëhet një operim për largimin e bajameve, ndërsa një doktor preferon që ta përcjellim gjendjen edhe për një kohë. Kam menduar që të bëj edhe testin e alergjisë, por nuk e di se sa do të gjej sukses në këtë veprim.
Jam në hall dhe nuk di se si të veproj, prandaj kërkoj këshillë edhe nga ju.

PËRGJIGJE:
Pezmatimet e shpeshta të bajameve e posaçërisht anginat, janë një prej arsyeve më të shpeshta kur ne preferojmë operimin. Në këto raste duhet të kemi kujdes edhe në ekzaminimin e veshëve, sidomos kur fëmija ka pengesa në frymëmarrje me hundë që kryesisht është pasojë e bajames së tretë të rritur.


I nderuari doktor Dr.Lirim. Pjesa e brendshme e qiellzës më teret (thahet), sidomos aty ku pihet duhani dhe ku ka nxehje. Ka disa vite që e kam këtë problem. Tani vazhdimisht kam probleme, pasiqë një pjesë, diku thellë në qiellzë, ku takohen vrimat e hundës lart – më thahet dhe nuk mundem të përpij mirë dhe më ngacmon deri në vjellje. Kam përdorë disa barna, por pa kurrfarë suksesi. Doktor, pres që të më ndihmosh.

PËRGJIGJE:
Të dhënat që ju dërgoni janë shumë të pakta për të dhënë ndonjë mendim që do t’u ndihmonte sadopak. Arsyet më të shpeshta për një gojë të thatë janë frymëmarrja me gojë e jo me hundë, si dhe problemet me sekrecionin e gjëndrave të pështymës që në të shumtën e rasteve janë probleme sistemike, prandaj ju preferoj të bëni një konsultë tek otorinolaringologu për të eliminuar ndonjë problem të kalueshmërisë së hundës si dhe një konsultë te reumatologu.


Kam devijim në s.nasi te majtë, gjithashtu në sinusin sfenoidal të majtë prezantohet formacion cistik mirë i kufizuar me dimensione 14.9 x21mm. Në T1 hipo, në T2 hiper në difuzion, pa veçori.Doktor, si të veproj, a ka mundësi që ky formacion cistik të mos ketë ndikim të madhe tek unë edhe pse kam kokëdhembje dhe a kam mundësi t’i iki operacionit në të dy rastet.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të të dhënave që i keni dërguar kuptohet se ju keni bërë një RM të kokës për shkak të kokëdhimbjeve, me ç’rast është zbuluar cista në sinusin sfenoidal si dhe deviacioni i perdes së hundës/septumit nazal/. Që të dy këto patologji e sidomos cista në sinusin sfenoidal mund të jenë shkaktarë të kokëdhimbjeve, prandaj në këto raste preferohet trajtimi kirurgjik.


Përshëndetje doktor Lirim. Kam devijim në septum nasi të majtë, e gjithashtu n sinusin sfenoidal të majtë prezantohet formacion cistik mirë i kufizuar me dimensione 14.9 x21 mm. Në T1 hipo, n T2 hiper me difuzion pa veçori. Kisha dëshirë të dijë si t veprojë; a ka mundësi që ky formacion cistik të mos ketë ndikim të madh tek unë edhe pse kam kokëdhembje; dhe a ka mundësi t’i iki operacionit në të dy rastet?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në baze të të dhënave që i keni dërguar kuptohet se ju keni bërë një RM të kokës për shkak të kokëdhimbjeve, me ç’rast është zbuluar cista në sinusin sfenoidal si dhe deviacioni i perdes s hundës/septumit nazal/. Që të dy këto patologji e sidomos cista në sinusin sfenoidal mund të jenë shkaktarë të kokëdhimbjeve, prandaj në këto raste preferohet trajtimi kirurgjik.


I nderuari doktor Dr. Lirim. Dëshiroj te ju pyes për një problem qe kam me pjesën e brendshme të qiellzës. Pjesa e brendshme e qiellzës me teret (thahet ) herë pas here, sidomos kur jam në ambient ku pihet duhani dhe ka nxehje të lëshuar; pra aty ku ajri ku është më i thatë.
Këtë problem e kam qe disa vite me radhë; fillimisht më ka ndodhur tri deri në katër herë brenda vitit, por viteve të fundit më është shpeshtuar, ndërsa tani gati çdo javë kam probleme të tilla, pasi që një pjesë diku thellë ne qiellzë ku takohen vrimat e hundës lartë më thahet dhe nuk mund të gëlltitem duke më ngacmuar deri në vjellje. E kam vizituar mjekun e ORL-së, e ai me ka thënë se këtë e ke si pasojë e nxehjeve që e ke lënë të lëshuar gjatë natës dhe për shkak të qëndrimit në ambiente ku pihet duhani . Vet nuk e pi duhanin fare. Kam përdor disa barna, por nuk kanë pasur sukses.
Kur pastrohem në banjë, me siguri për shkak të ajrit më të lagësht disi ndjehem më mirë dhe çlirohem, por pas një kohe të shkurtër prapë më paraqiten problemet.
Pyetja e ime është: A ka diçka që do të ma bëjë qiellzën më të lagësht në mënyrë që ta largoj tharjen. Sa i përket fytit nuk kam ndonjë problem, përpos problemit të lartcekur me qiellzë.
Shpresoj në përgjigjen tënde.

PËRGJIGJE:
Të dhënat që ju dërgoni janë shumë të pakta për të dhënë ndonjë mendim që do t’u ndihmonte sado pak. Arsyet më të shpeshta për një goje të thatë janë frymëmarrja me gojë e jo me hundë, si dhe problemet me sekrecionin e gjëndrave të pështymës që në të shumtën e rasteve janë probleme sistemike.
Prandaj, ju preferoj të bëni një konsultë tek otorinolaringologu për të eliminuar ndonjë problem të kalueshmërisë se hundës, si dhe një konsultë tek reumatologu.


I nderuar doktor. Jam 26 vjeçar, por jetoj dhe punoj në Itali. Para 4 vitesh jam operuar në hundë në Kosovë. Para operacionit mjeku që më ka vizituar më ka thënë që kjo gjë ka ardhur si pasojë e një të rrezuare kur kam qenë i vogël. Në fillim nuk e kam ndjerë problemin, por duku u rritur, arrita në një moment që nuk mund të merrja më frymë. Në fillim vrimat e hundëve më bllokoheshin, herë njëra e herë tjetra. Nuk mund të flija dhe kisha shumë dhimbje koke. Operacioni sipas mjekut doli me sukses. Një vit më pas, unë isha mirë, merrja frymë lirisht dhe nuk kisha probleme me gjumin. Por, pas një viti më janë kthyer sërish të njëjtat simptoma. Ka tre vjet që përdori (spray nasale) për të fjetur, sepse ndryshe nuk ia dal dot.
Ju do të thoni se përse nuk e përsëris ndërhyrjen, por ky është pikërisht shqetësimi im. Problemi im, a mund të zgjidhet njëherë e përgjithmonë? Po sikur të operohem në Kosovë apo në Shqipëri, a janë tani mundësitë që operacioni im të jetë i suksesshëm? Nuk e di sa ju kam ndihmuar me përshkrimin e problemit tim, por do t’ua dija shumë për nder sikur të merrja një përgjigje tuajën.
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Që në fillim po ju them se nga kjo distancë në asnjë mënyrë nuk mund t’u them se ju duhet të operoheni. Është e qartë se te problemet në frymëmarrje me hundë shkaktarë mund të jenë faktorët mekanik që gjithsesi duhet operuar dhe problemet në strukturat e buta me aktivitet dinamik në funksionin e hundës si organ, që fillimisht tentojmë t’i trajtojmë me medikamente.
Prandaj, ju sugjeroj të bëni një ekzaminim të detajuar, mundësisht ekzaminim endoskopik të hundës dhe të merret një vendim i drejtë për mjekim. Por edhe një gjë po ju them se, zakonisht problemet kronike kërkojnë trajtim afatgjatë.
Për sa i përket sprejit nazal që po e përdorni për 3 vjet për të rregulluar frymëmarrjen me hundë për të fjetur edhe pse nuk po e di saktë se për çfarë bari bëhet fjalë, mendoj se je duke vepruar gabim.
Përndryshe nëse vendos të operohesh, këtë mund ta bëjmë edhe në Kosovë.


Përshëndetje. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë rreth 30 vjeçe që sapo kam bërë një ndërhyrje në hundë. Pasi kam hequr maskën pas 8 ditësh, kisha një hundë normalisht të fryrë, por të drejtë. Mirëpo, 5 ditë pas heqjes së maskës një natë kam fjetur pa e kuptuar mbi krahun e djathtë dhe në mëngjes jam ngritur e ënjtur në anën e djathtë të fytyrës dhe hunda ime ishte bërë disi e shtrembër. Shkova tek doktori im që u operova dhe më tha që është krijuar hematomë, prandaj dhe je ënjtur, por çdo gjë do të rregullohet. Hematoma ka rënë disi, jo plotësisht, por hunda nuk po më pëlqen, sepse anon pak nga krahu tjetër.
Të lutem doktor, më tregoni, sa kohë duhen që të kalojë një hematomë dhe a ka rëndësi mënyra e të fjeturit pas operacionit, sepse unë të tregohem e sinqertë, kam fjetur në krahun e djathtë pasi mjeku nuk më dha ndonjë këshillë se si duhet të fle.
Ju lutem, më shkruani disa këshilla të rëndësishme që unë duhet t’i respektoj dhe hunda ime të mos deformohet. Por, më tregon edhe cilat janë shkaqet që e deformojnë hundën?
Në pritje të përgjigjes tuaj, me respekt, I.A.

PËRGJIGJE:
Gjithsesi se menyra e fjetjes ka rëndësinë e vet në fazën e pas operimit, të paktën 2 muajt e parë, çka nënkupton se në këtë fazë duhet të kemi kujdes që mos të mbështetet hunda për jastëku. Kjo nuk duhet të ndodhë posaçërisht në dy javët e para kur hunda është e brishtë dhe mund të vie deri te devijimi, çka edhe ka ndodhur tek ju. Përndryshe, tërheqja e hematomës shpesh kërkon edhe dy muaj kohë. Sikur po ato ditë t’i bëhej hundës një shtyrje me dorë në anën e kundërt, ndoshta do të arrije ta vendosje në qendër, të fillosh tani me një veprim të tillë nuk bën ndonjë të keqe, por nuk mund t’u them se do të arrini ndonjë rezultat të dëshiruar.
Për sa i përket këshillave postoperative, zakonisht dy muajt e parë duhet të keni kujdes në aktivitetet fizike, te mos barten syze dielli, të mos zhyteni me kokë në ujë, kujdes në lojë me fëmijët.


Kam të dëmtuar të dëgjuarit në njërin vesh më shumë. Mirëpo, ajo që po më brengos është se kam ushtimë në vesh që më shkakton depresion. Ju lutem më tregoni se a ka farë terapie për këtë dhe nëse po, cila është ajo? Ju faleminderit për mirëkuptim.
Zamiri, Prishtinë.

PËRGJIGJE:
Në mjaft raste dobësimi i të dëgjuarit përcillet edhe me ushtimë në veshë, që gjenerohet nga vet organi i dëgjimit. Në mungesë të të dhënave të nevojshme si audiogramit dhe timpanogramit, të vetmen këshillë që mund të japë e që është e lehtë të thuhet, por e vështirë të zbatohet është që ju duhet në maksimum t’i shmangeni dëgjimit të zhurmës suaj në vesh, që kryesisht ndodhë kur jeni vetëm në ambient të qetë, në këto rrethana duhet të dëgjoni radio apo TV me aq zë sa mbulohet zhurma.


Doktor. Unë hundën e kam pasur normal, ama me kalimin e kohës ka formuar tul në maje edhe tash po duket shumë e fryrë. Unë dua ta heq, por desha t’ju pyes se a mund të rregullohet kjo me ‘injeksion’. Meqë unë jetoj jashtë Kosove, ju lutem më tregoni se kur mund të vijë për ndërhyrje? Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Do të ishte mirë sikur të më dërgoje ndonjë foto për t’u dhënë një sqarim sa më adekuat, ndërsa për termin mund të më kontaktoni në tel.


Jam 21 vjeçar, i kam veshët pak të kthyer (vetëm në pjesën e sipërme të laprës së veshit). Nuk kam problem shëndetësor, por m’u kanë bërë shumë kompleks. Desha të di a është problem mosha ime për ta bërë një intervenim të tillë dhe sa përqind mund të jetë i suksesshme ky operim, se kam frikë nëse do të mund ta bëj formën ashtu si duhet. Unë e kam edhe kohën pak a shumë të kufizuar, për sa kohë mund t’i heq fashat?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Mosha juaj nuk është problem për operim, ndërsa sa i përket rezultatit të koreksionit mendoj se nuk mund të matet me përqindje, sepse është çështje e vlerësimit subjektiv.
Ndërsa sa i përket mundësive të rimodelimit të laprës së veshit, është çështje për të cilën nuk mund të bisedohet pa qenë prezent.


Jam 20 vjeç, por kam problem me hundë, e kam të shtrembër, por më pengon në frymëmarrje. Desha ta dijë a operohen vetëm vrimat e hundës apo aty ku është e shtrembër? Sa ditë zgjatë mjekimi?
Ju faleminderit. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Pengesat në frymëmarrje me hundë shpesh janë si pasojë e shtrembërimit të perdes së hundës (septumit), e në këtë raste trajtimi është operativ. Ky lloj i intervenimit quhet septoplastica (lat.) dhe kryhet nëpërmjet të vrimave të hundës pa lënë shenjë nga jashtë dhe pa e prekur formën e jashtme të hundës.
Mjekimi zgjat 5 ditë.


Unë djalin timin e kam të operuar për herë të parë kur ka qenë vetëm 4 vjeç nga bajamet 3 dhe pas operacionit djali përsëri e ka pasur gjendjen e njëjtë, me gërhimë të madhe dhe ka fjetur me gojë të hapur. Pas disa kontrolleve, përsëri më është dashure që ta operoj, po nga e njëjta bajame. Operacioni është bërë katër vjet pas operimit të parë. Ama, djali përsëri flenë me gojë të hapur, por pa gërhimë. Të lutem, doktor, më udhëzoni se si të veprojmë?
PËRGJIGJE:
Bajamja e tretë (vegjetacionet adenoide) është një prej shkaqeve më të shpeshta të frymëmarrjes me gojë, kuptohet kur ajo është e rritur. Duke pas parasysh se në rastin e fëmiut tuaj ajo është eliminuar, atëherë duhet parë ndonjë problem të mundshëm në hundë.


Përshëndetje doktor, të lutem më shpjegoni këtë diagnozë: "Tu laryngis plicae vocalist lat sin" dhe si të mjekohet?
PËRGJIGJE:
Në këtë rast bëhet fjale për problem në ”tela” të zërit që janë 2, ju keni ndryshime në telin e zërit të majtë. Çdo ndryshim i tillë duhet të dërgohet ne ekzaminim histopatologjik që të përcaktohet lloji i sëmundjes,e pastaj caktohet terapia e duhur.


Përshëndetje i nderuari doktor Lirim. Jam infermier nga Prizreni, më konkretisht një pacient i juaji që jam operuar tek ju nga conca bulosa para 4-5 viteve, përndryshe para operimit kam pasur edhe dy intervenime tjera në hundë, septoplastica dhe rinoseptoplastica. Përsëri pas operimit të lartcekur, unë kam pasur edhe një operim të njëjtë septoplastica në Tiranë. Problemet që i kam pasur me frymëmarrje më janë lehtësuar, por problemet me nervin e hundës, Trigeminusin, i kam ende po jo aq të shprehura si më herët, por tani kohën e fundit e kam edhe një problem tjetër që më është shfaqur. Në përfundim të kanaleve të hundës kam një ndjenjë sikurse kam diçka në fyt, mjeku spec.i ORL-së që më ka vizituar thotë që nuk ke asgjë dhe më trajton me dg.rinopharyngitis ac. por unë kam edhe ndjenjën e tharjes së asaj pjese në përfundim të kanaleve të hundës me fyt.
Ju lus për këshillën tuaj.

PËRGJIGJE:
Për të eliminuar këto dyshime, duhet bërë endoskopinë e hapësirës së hundës dhe epifaringut. Me këtë lloj ekzaminimi, objektivizohet gjendja lokale.


Jam 21 vjeçare, në hundë kam qelb që më mblidhet në fyt. Mjeku më tha se kam infeksion të rëndë në hundë, më rekomandoi terapi me gentamicin, sinopen, degazon dhe bisolvon, një javë inhalim, klarimed dhe pika për hundë, sinomarin. Unë e përdora këtë terapi, por problemet nuk më janë zvogëluar pothuajse fare.
Pres ndihmën tënde, doktor.

PËRGJIGJE:
Për fat të keq nuk kam informacione për atë se sa kohë i keni këto probleme, sepse kohëzgjatje e problemeve na imponon edhe metoda të caktuara ekzaminimi, e pastaj në bazë të këtyre gjetjeve vendoset edhe për terapinë.
Ajo çka mund t’u ofroj me këtë formë komunikimi është shpëlarja e hapësirave të hundës me sasi të mjaftueshme të tretjes fiziologjike.


I nderuar dr. Kam vajzën 6 vjeçe. Që nga mosha 2 vjeç e gjysmë kishte shumë kollitje, ka bërë disa herë inhalim pas moshës 3 vjeçare. Testi i alergjisë ka dalë pozitiv në polen dhe pluhur të shtëpisë. Pas përdorimit të flonidanit, 6 muaj ka qenë shumë mirë, pas një viti problemet filluan prapë dhe frymëmarrja i shpejtohet edhe pse jam munduar që t’ia plotësoj të gjitha kushtet në shtëpi. Më ndihmoni. Flm për mirëkuptim
PËRGJIGJE:
Nga të dhënat që ofroni mund të konkludoj se keni konsultuar alergo-imunologun përsa i përket problemeve të alergjisë. Mirëpo, në anën tjetër kam pak informacione për ndonjë problem tjetër të mundshëm që mund të lidhet me frymëmarrjen e rregullt me hundë e jo me gojë, që mund të jenë të lidhura me problemin e vetë hundës apo adenoidit (bajames së tretë). Kjo e dhënë është e rëndësishme sepse frymëmarrja me gojë te personat alergjik e vështirëson edhe më shumë situatën. Prandaj sinqerisht nuk mund të jap ndonjë mendim-propozim konkret për trajtim pa e njohur statusin lokal të fëmijës suaj.


Përshëndetje e nderuara redaksi. I nderuari dr. Lirim. Vajzës sime 9 vjeçe ka filluar t’i devijojë perdja, ka gjumë me frymëmarrje të rëndë dhe gojëhapur. Unë jam e shqetësuar për këtë, por edhe ana estetike po vërehet se ka devijim. Desha ta di, a ka mundësi kurimi pa intervenim kirurgjik? A është më mirë dhe më lehtë të trajtohet tani sa është më e vogël apo të presim sa të rritet edhe pak duke pas parasysh frikën e saj.
Faleminderit për kohën e kushtuar.

PËRGJIGJE:
E nderuar, frymëmarrja me gojë hapur gjithsesi është pasojë e devijimit të perdes së hundës, por gjithashtu edhe bajamja e tretë e rritur mund të japë një problem të tillë. Përndryshe, pse vjen deri te devijimi i perdes së hundës përpos lëndimeve që ndodhin prej momentit të lindjes dhe gjatë zhvillimit të fëmijës si dhe elementit trashëgues, arsyet tjera nuk dihen.
Trajtimi nuk mund të bëhet me medikamente, por vetëm me intervenim kirurgjik. Kur devijimi i perdes së hundës është shkaktari kryesor i frymëmarrjes me gojë, atëherë mosha nuk është pengesë për intervenim. Arsyeja se pse duhet bërë intervenimi, është zhvillimi jo normal i nofullës së sipërme dhe problemet e shpeshta të grykës si pasojë e frymëmarrjes me gojë.


Përshëndetje, i nderuar doktor. Ju përgëzoj për këtë faqe shumë efektive dhe të favorshme për fëmijët tanë. Vajza ime tani mbushë 2 vite. Para pak kohësh i kam bërë strishon e hundës dhe fytit. Strisho e hundës ka treguar se është izoluar bakteri moraxella catarhalis. E kam mjekuar me Eritromicin për dhjetë ditë rresht. Më duhet t’ia përsëris sërish të shikoj se a është përmirësuar. Mirëpo më brengos fakti, nga dhe si vjen deri te izolimi i këtij bakteri. Dhe nëse tani mjekohet a përsëritet sërish, a është për t’u shqetësuar edhe në të ardhmen?
Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
E nderuar, bakteri i izoluar është një prej tre shkaktarëve më të shpeshtë të izoluar te infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe trajtohet me shumë sukses nga një spektër i gjerë i antibiotikëve që janë në treg. Infeksionet zakonisht vjen nga ambienti që na rrethon, prandaj nuk duhet të brengoseni për këtë.


Doktor, kam devijim të hundës; kjo traumë ka ndryshuar paksa pamjen në anën e majtë të syrit ose qepalla e njërit sy, të themi më saktësisht, është më e tërhequr më shumë se ana tjetër e syrit të qepallës (djathtas).
Nëse e bëj korrigjimin e hundës, a do t’i kthehej një pjesë e lëkurës qepallës apo mos është kjo procedurë tjetër e operimit?

PËRGJIGJE:
Nuk besoj se korigjimi i hundes do te rregulloj problemin e syrit.


Para dy viteve më është paraqitur ushtima në njërin vesh e pas pak kohe edhe në tjetrin. Jam 55 vjeqar dhe punoj në KEK. Mjekët më thonë se nga mosha ka filluar plakja e nervit të veshit e poashtu edhe nga zhurma që është e pranishme në vend pune.
Kam bërë analizat e duhura,matjen e kohëpaskohshme të shtypjes së gjakut dhe të gjithë parametrat janë normal për moshën e cekur, thonë mjeket e Disp.med.punës në KEK.
Ju lutem, më ndihmoni me këshilla apo udhëzimet tuaja.
Përshëndetje, Shabani.

PËRGJIGJE:
I nderuar z.Shaban, është e vërtetë se puna për një kohë të gjatë në zhurmë sjell probleme në dëgjim e gjithashtu edhe zhurmë në veshë, ndërsa sa i përket moshës është shumë individuale në disa raste edhe trashëguese. Nuk e di nëse keni bërë testet e nevojshme që objektivizojnë problemet e dëgjimit, e nëse jo, atëherë duhet bërë një gjë e tillë dhe të konsultohet audiologu në rast nevoje.


Jam 20 vjeç, por kam problem me hundë, e kam të shtrembër, por më pengon në frymëmarrje. Desha ta dijë a operohen vetëm vrimat e hundës apo aty ku është e shtrembër? Sa ditë zgjatë mjekimi?
Ju faleminderit. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Pengesat në frymëmarrje me hundë shpesh janë si pasojë e shtrembërimit të perdes së hundës (septumit), e në këtë raste trajtimi është operativ. Ky lloj i intervenimit quhet septoplastica (lat.) dhe kryhet nëpërmjet të vrimave të hundës pa lënë shenjë nga jashtë dhe pa e prekur formën e jashtme të hundës.
Mjekimi zgjat 5 ditë.