0Shares

Të sëmurit nga diabeti kanë tendencë të kenë raste më të shpeshta të sëmundjeve parodontale, shkallë më të lartë të humbjes së kockës dhe të infeksionit; shpesh përjetojnë episode akute me aktivitet agresiv të sëmundjeve parodontale, që përfundimisht rezultojnë me humbjen e dhëmbëve.

Prof. Ass. Dr. Agim B. Begzati, DDS, PhD
Klinika e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive
Prishtinë
Tel. 044 124 092

Diabeti është sëmundje serioze gjatë së cilës organizmi nuk prodhon apo nuk e përdor si duhet insulinën. Insulina është një hormon që i duhet organizmit për ta zbërthyer sheqerin duke e shndërruar atë në energji për nevojat ditore jetësore.

Të sëmurit nga diabeti duhet ta kenë posaçërisht parasysh rëndësinë e mbajtjes në kontroll gjendjen e sëmundjes së tyre me anë të të ushqyerit të drejtë. Megjithatë, shëndeti i mirë oral, jo vetëm që e ruan gojën me strukturat e saj nga sëmundjet, por gjithashtu mund të ketë ndikim të rëndësishëm në kontrollin e diabetit.

Rëndësia e shëndetit oral e të sëmurëve nga diabeti

Sëmundjet parodontale të njohura si sëmundjet e mishit të dhëmbëve dhe aparatit mbështetës të tij janë infeksione bakteriale që, nëse nuk mjekohen, shkaktojnë shkatërrimin e kockës rreth dhëmbit dhe humbjen e tij.

Të sëmurit nga diabeti kanë tri deri në katër herë gjasa më të mëdha të kenë sëmundje të parodonciumit se ata që nuk vuajnë nga diabeti. Infeksionet ndërkohë mund ta bëjnë diabetin më të vështirë për ta kontrolluar dhe ky infeksion mund të jetë më i rëndë se te pacientët që nuk vuajnë nga diabeti.

Të sëmurit kanë tendencë të kenë raste më të shpeshta të sëmundjeve parodontale, shkallë më të lartë të humbjes së kockës dhe të infeksionit, dhe shpesh përjetojnë episode akute me aktivitet agresiv të sëmundjeve parodontale, që përfundimisht rezultojnë me humbjen e dhëmbëve. Humbja e dhëmbëve e bën më të vështirë përtypjen dhe tretjen e ushqimit që për të sëmurit nga diabeti mund të ketë ndikim të dëmshëm në aftësinë e të ushqyerit të drejtë dhe mbajtjes nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak.

Marrëdhënia e dyanshme

Ashtu siç diabeti mund t’i rrisë gjasat që i sëmuri të ketë sëmundje parodontale, hulumtimet kanë sugjeruar që sëmundjet e parodonciumit mund ta bëjnë më të vështirë për të pacientin diabetik që të mbajnë në kufij normalë nivelin e sheqerit në gjak.

Sëmundjet parodontale i ndihmojnë proceset inflamatore të organizmit që ndikojnë në rritjen e sheqerit në gjak. Për këtë arsye është me rëndësi për të sëmurit nga diabeti që t’ i kushtojnë vëmendje trajtimit të sëmundjeve të parodonciumit me qëllim të eliminimit të infeksionit dhe kontrollit më të mirë të metabolizmit.

block-bone-graft-ramsey-amin-dds-front-tooth-8

Sëmundjet parodontale

Sëmundjet parodontale janë infeksione bakteriale të mishit të dhëmbëve (gingivës) dhe aparatit mbështetës të dhëmbit (parodonciumit). Shkaktari kryesor sëmundjes është pllaku bakterial, një shtresë mikrobiale, e ngjitshme dhe e pangjyrë që sajohet në dhëmbë.

Nëse ky pllak nuk largohet çdo ditë me brushë dhe me penj, ai ngjitet fortë për dhëmbë dhe shndërrohet në një substancë të vrazhdë dhe poroze që quhet gur i dhëmbit (kalkulus). Toksinet (produktet helmuese) që prodhohen nga bakteret e pllakut e irritojnë mishin e dhëmbëve (gingivën) duke shkaktuar infeksion.

Shenjat më të shpeshta të sëmundjeve parodontale janë gjakderdhja, ënjtja dhe zhveshja e mishit të dhëmbëve, e më vonë mund të vijë deri te luhatja dhe rema e dhëmbit. Gjatë sëmundjes mund të paraqitet edhe abscesi (qelbi) që për dallim nga shenjat e mësipërme,
përcillen me dhembje të theksuara. Poashtu, nuk mungojnë as duhma dhe shija e keqe në gojë.

Përveç asaj që janë të rrezikuar nga sëmundjet parodontale, të sëmurit nga diabeti, posaçërisht ata me diabet të pakontrolluar, mund të vuajnë edhe nga disa çrregullime të tjera orale, si:

• ndjenja e djegies në gojë apo në gjuhë, tharja e gojës
• rrjedhja e zvogëluar apo e çrregulluar e pështymës që mund të shkaktojë dhembje, ulcera, infeksione (siç janë sëmundjet e parodonciumit) dhe kariesin, shërimi vonuar i plagëve.

Çfarëdo plage zakonisht te të sëmurit nga diabeti duhet një kohë më e gjatë për t’u shëruar se te ata që nuk e kanë diabetin.

Parandalimi i sëmundjeve parodontale

Pllaku dental duhet të largohet çdo ditë me brushë dhe penj. Poashtu janë të rëndësishme kontrollet e rregullta stomatologjike. Mbajtja e pastërtisë në baza ditore do ta mbajë në nivel minimal sasinë e pllakut dhe gurëzve, mirëpo jo edhe ta eliminojë atë plotësisht. Është e preferuar që së paku dy herë në vjet të bëhet pastrimi profesional për të larguar pllakun dhe gurëzit e grumbulluar nga vendet që brusha dhe peri nuk kanë mundur t’i largojnë. Por nëse u jeni nënshtruar mjekimit të sëmundjeve parodontale, atëherë pastrimi duhet të bëhet më shpesh. Mbajtja nën kontroll e sëmundjes së sheqerit do t’i zvogëlojë gjasat e të sëmurëve nga diabeti që të sëmuren nga parodontopatia.

Studimet kanë treguar që të sëmurit nga diabeti i pakontrolluar kanë përgjigje më të dobët mbrojtëse ndaj pllakut bakterial se sa të sëmurit nga diabeti i kontrolluar. Poashtu, të sëmurët nga diabeti i pakontrolluar kanë më tepër aktivitete inflamatore shkatërruese në gingivën e tyre duke shkaktuar shkatërrim të gingivës, të kockës dhe humbjen e dhëmbëve.

dentist_patient

Mundësitë e mjekimit

Sëmundjet parodontale janë komplikimi i gjashtë sipas radhës i diabetit. Për këtë arsye është me rëndësi që të sëmurit të jenë në dijeni për mundësitë e mjekimit të tyre. Nëse sëmundjet parodontale hetohen në fazat e hershme, parodontologu mund të ofrojë tretman që mund ta ndalë sëmundjen dhe ta kthejë në gjendje të shëndoshë, duke penguar kështu humbjen e mbështetjes kockore.

Në të vërtetë, tretmani parodontal i kombinuar me antibiotikë ka treguar që përmirëson nivelin e sheqerit në gjak, dhe duke sugjeruar në trajtimin e sëmundjes parodontale, mund të zvogëlohen edhe nevojat për insulinë.

Nëse diabeti është nën kontroll, tretmani parodontal do të jetë i ngjashëm me tretmanin e pacientëve jodiabetikë. Në fazat e hershme të sëmundjeve parodontale, tretmani përfshin një procedurë gjatë së cilës largohen pllaku dhe gurëzit përreth dhëmbit, si dhe lëmohet sipërfaqja e rrënjës.

Rastet më të rënda të sëmundjes mund të kenë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm. Megjithatë, pacientët që kanë probleme në mbajtjen në kontroll të sëmundjes së tyre të sheqerit, kane nevojë për një plan terapeutik mirë të përpiluar pasi që plagët e tyre shërohen më ngadalë.

Të sëmurit nga diabeti do të kërkojnë të caktojnë kohën e tretmanit herët në mëngjes, pasiqë kanë kryer mëngjesin e tyre të rregullt, me qëllim të t’ i iket rënies së papritur apo të rëndë të nivelit të sheqerit në gjak.

Gjatë hartimit të planit të mjekimit parodontologu dhe endokrinologu duhet të punojnë së bashku që të ndihmojnë pacientin ta mbajë nën kontroll si diabetin, ashtu edhe sëmundjet parodontale. /Telegafi/

Young woman biting lip, close-up

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)