LAJMI I FUNDIT:

Britmat e një gruaje shqetësojnë burrat

Britmat e një gruaje shqetësojnë burrat

Romani më i ri i Kaltrina Malokut, i botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”, titullohet “Britmat e shpirtit”.

Këto britma janë njerëzore dhe janë të një vajze që bëhet grua dhe që, e keqtrajtuar vazhdimisht nga një burrë xheloz, e rrahur dhe e dhunuar nga shokët, nuk bën përpjekje vetëm t’i japë fund jetës duke heshtur, por të luftojë, me forcën, me mendjen dhe këmbëngulësinë që ka, ndaj tyre, qoftë edhe duke u kapur me ta fizikisht, edhe humbur të gjithë pasurinë për ta ndarë drejtësinë në një shtet ku, po pate para, ke edhe pushtet, edhe forcë, edhe përkrahje. Paraja që ngre ujin përpjetë, edhe në këtë roman bën mrekulli dhe s’i lë kund dy gurë bashkë. E ky vend, në të cilin kush ka para ka edhe pushtet, na përngjet në Kosovën e mundësive të vogla e të fatkeqësive të mëdha.


“Britmat e shpirtit” janë britma të personazhes, të Tamarës, që edhe mund të jenë britma të shumë grave të Kosovës, të cilat vazhdojnë të paragjykohen për të kaluarën dhe të tashmen, edhe të ndrydhen, të shtrëngohen dhe të rrahën nga disa burra shkaku i asaj së kaluare, krejtësisht njerëzore dhe e panjollosur.

“Britmat e shpirtit” është një lloj ditari letrar, edhe pse nuk ka data të vëna në fund dhe as në krye të ngjarjeve. Ajo që i rrëfen e di kur kanë ndodhur ato ngjarje të këqija dhe kur ato të mira. Ajo rrëfen, njëkohësisht shkruan, një pjesë të jetëshkrimit të vet; çastet më të ndjeshme të jetës, ata që i gjendeshin sipër, nën, përbri dhe larg saj.

Së këndejmi, britmat e Tamarës duhet të flasin në të gjitha gjuhët e botës sepse janë britma të përgjithshme dhe të pranishme kudo ku ka njerëzim, kudo ku ka ndjenjë, kudo ku ka rrëfim. Janë sepse karakteret e njerëzve nuk janë të njëjtë kudo, por janë të ndryshëm kudo sepse gjithkund dikush i përshtatet dikujt në diçka.

Tamara sot, as më shumë dhe as më pak fat dhe fatkeqësi, ndodhet nëpër shumë shtëpi të familjeve shqiptare. Edhe personazhet e tjerë përkrah saj, ashtu të brishtë, të mirë dhe të fortë, të cilët nuk ka kush t’i inkurajojë për t’i nxjerrë jashtë shpirtit britmat po si Tamara, por jo kaq ashpër dhe kështu sikurse kjo – herë qetë, herë zhurmshëm.

Duke dëgjuar britmat e Tamarës e njihni një temë të re në letërsinë shqipe, një karakter të femrës së fortë që, së pari, mbron identitetin dhe dinjitetin e vet, pastaj të çdo vajze dhe të çdo gruaje dhe të çdo fryme njerëzore. Ajo, Tamara pra, edhe pse është personazhe, është porsi një shoqe e juaja e jetës reale, e cila ju tregon shumë sinqerisht për karakterin e disa burrave dhe të disa grave derisa pini kafe ose çaj, edhe kur ndien dikush për të dhe kur ajo ndien për dikë. Bashkëndieni me të në çaste gëzimi dhe mërzie. Lexojeni rrëfimin e saj për jetën e vet; për jetën e ankthshme dhe të pashpresë,.

Ky është një libër që duhet të blihet nga gratë që t’u dhurohet burrave. Dhe, po ashtu, është një libër që duhet të blihet nga burrat që të lexohet së bashku me gratë. /Berat Armagedoni/