LAJMI I FUNDIT:

Besnik Hamiti, përtej paqes së mrekullueshme të Vendenisit

Besnik Hamiti, përtej paqes së mrekullueshme të Vendenisit

Nuk është e thjeshtë t’i kuptosh artistët. Ata shpeshherë hyjnë në botën e tyre dhe mbyllen brenda kangjellave të frymëzimit. Por, me Besnik Hamitin ndodh ndryshe. Ai mirëpret secilin në botën e tij të artit, në tablotë plot copëza historie e detaje të veçanta.


Është inxhinier, me gradë master në Makineri; mbijeton si gazetar në mediumin prestigjioz gjerman ARD; ndërsa, shpirtin e ushqen me art. Por, në artin e tij ai nuk imponohet. Madje, kudo, në faqet e mëdha e prestigjioze të botës njihet si Vendenis.

Veprat e tij përçojnë bukuri, qetësi dhe paqe. Por, në to ka edhe si një magji që të bën të prehesh, të futesh në botë meditimi.

Për Telegrafin, Besnik Hamiti hap sirtarët e botës së tij, të paqes së mrekullueshme të Vendenisit…

Thuhet se fotografia nuk dashurohet, por ajo përjetohet. Si e ndjeni momentin kur i jepni “shpirt” fotos suaj?

Patjetër duhet të kalohet nëpër të dy fazat. Fotografia së pari duhet të dashurohet, madje të adhurohet, pastaj ajo përjetohet në tërë intensitetin e saj. Ngrirja e një momenti në kohë në aparatin fotografik lind fotografinë, e cila është e jotja për aq kohë sa nuk publikohet dhe e shohin të tjerët, pastaj bën jetën e vet.

Çfarë ka trazuar mendjen tuaj në çastin e parë kur keni marrë fotoaparatin në dorë?

Diku në vitin 1973 kam marrë për herë të parë në dorë një aparat filmik, ka qenë i tipit “Smena”. Që atëherë e kam të regjistruar në mendje aromën e këllëfit të lëkurtë të tij. Një dekadë më vonë, me një aparat fotografik “Zenit”, kam shkrepur foton e parë dhe me dridhërimë kam pritur të shoh në letër momentin që kam ngrirë. Ndjenjë e papërshkrueshme, kjo e pritjes!

Si e vlerësoni veten: si fotograf artistik, fotograf dokumentar, fotoreporter… Ka shumë përcaktime të tilla, a ekziston ndonjëra ndër to e cila në tërësi do t’ju “përshkruajë” juve?

Veten e konsideroj amator të fotografisë; amator në kuptimin e hershëm të fjalës “me dashtë” diçka. Me punën që bëj, jam ngushtë i lidhur me fotot dokumentare, gazetareske dhe përveç që e realizoj me dëshirë këtë lloj fotografie, thjesht e kam punë, pra profesion për të cilin paguhem. Përtej obligimeve profesionale përpiqem të realizoj fotografi në fusha të tjera: peizazhi, natyra e qetë, fotografia e rrugës e më pak portreti, gjithnjë me përpjekjen që fotot e realizuara të ofrojnë kënaqësi estetike.

Si keni depërtuar në një medium të fuqishëm, siç është ARD-ja gjermane?

Në vitin 1999, menjëherë pas luftës, isha angazhuar nga ekipi i televizionit publik të Gjermanisë – ARD, për disa ditë si zëvendësim i përkohshëm, pasi unë nuk flisja gjermanisht. Unë vazhdova më gjatë, dhe kryeredaktori i ARD-së për Evropën Juglindore, duke vlerësuar lartë punën që bëja, më ofroi kontratë pune e cila vazhdon edhe sot, 18 vjet më vonë. ARD-ja është televizioni i dytë më i madh në Evropë, menjëherë pas BBC-së, dhe për mua është nderë i madh të jem pjesë e tij si gazetar/producent që raporton nga Kosova. Kam pasur fatin të punoj me më të mëdhenjtë e këtij televizioni: Gerd Ruge, Peter Scholl-Latour, Franz Stark, Peter Miroschnikoff prej të cilëve kam mësuar edhe më shumë zejen e gazetarisë.

A keni ndonjë fotografi e cila ju ka sjell ndonjë përvojë që do ta mbani në mend gjithë jetën?

Çdo fotografi, qoftë edhe më e thjeshta në momentin e shkrepjes, kur shikohet pas një distance kohore risjell në mendje momentin kur është realizuar, madje vërehen më shumë detale se në kohën kur është bërë. Fatkeqësisht, më gjatë mbahen në mend momentet e ngushticave jetësore, tragjeditë, fatkeqësitë, ekzodusi… lufta. Këto nuk është lehtë të fotografohen dhe gërryejnë vragë të përjetshme. Fotot e këtyre momenteve nuk i publikoj me dëshirë.

Çfarë ju inspiron?

E bukura në kuptimin estetik, e ç’rëndomta, e çuditshmja, lulet e, mbi të gjitha, natyra që i ka të gjitha këto.

Çka do të zgjidhnit: planin, skenarin për fotografi apo do të kërkonit, përkatësisht do të prisnit shansin për të bërë fotografi të mirë?

Fotografët që merren vetëm me fotografinë, pra e kanë profesion të vetëm, planifikojnë, bëjnë skenarë, presin me orë të tëra që drita apo hija të bie në pikën ku donë ata, presin lindjen apo perëndimin e diellit. Duhet durim i madh të presësh kur drita është më e përshtatshmja. Pa dritë të mirë nuk ka fotografi të mirë, këtë e dinë të gjithë, përndryshe kjo veprimtari nuk do të quhej fotografi – ‘dritëshkrim’. Duhet pranuar që fotografitë më të mira bëhen me planifikim paraprak, sidomos peizazhet. Fatkeqësisht, për shkak të angazhimeve në punë, më duket që rrallë kam kohë për planifikime të tilla për fotografim të peizazheve. Por, fotografitë e natyrës së qetë që i bëj në shtëpi, kryesisht i planifikoj mirë para se t’ia nis fotografimit.

Gjuha e fotografisë është gjuhë universale, të cilën e kuptojnë të gjithë. Madje thuhet se nuk është i civilizuar një popull i cili e kupton pikturën, por ai që e kupton fotografinë?

Dijetari i madh francez, Roland Barthes, duke kërkuar natyrën e fotografisë në librin e tij “Camera lucida”, e sheh atë më të afërt me teatrin sesa me pikturën e filmin. Në anën tjetër, mjeti ‘camera obscura’ që është përdorur së pari nga piktorët peizazhistë, është zhvilluar në aparat fotografik në mesin e shekullit 18. Piktura ka traditë shumë më të gjatë dhe është një nga format më të njohura të shprehjes artistike. Fotografia nuk ka mundur t’i ikë krahasimit me pikturën; ende thuhet “fotografi e bukur si pikturë”. Madje, deri vonë, fotografia nuk është konsideruar art i mirëfilltë. Edhe piktura edhe fotografia komunikojnë me gjuhën universale të artit, por mua më duket që njohja e mirë e artit të pikturës ndihmon shumë në kuptimin, krijimin dhe shijimin e artit fotografik.

Çfarë nuk shihet në fotografi? Cilat gjëra ndodhin pas fotoaparatit?

Fotografi zgjedh se çka do të fusë në kuadrin fotografik e çka do të shmangë; ai vendos a do të marrë vetëm një detal të subjektit/objektit që fotografon apo tërësinë e tij dhe ambientin rrethues. Shijuesi i fotografisë do të shohë vetëm ato që fotografi ka futur në kuadër, ato që ka kompozuar ai për të zgjuar emocion e për të dhënë kënaqësi estetike. Fotografinë nuk e bën aparati, po fotografi dhe pamja që ka përpara dhe vendimi çka dhe si të futet në kuadër. Fotografi i madh Ansel Adams thotë që në çdo fotografi ka dy njerëz: ai që e bën fotografinë dhe ai që e sheh (shijon) atë fotografi.

A mund të na tregoni ndonjë përvojë shumë të pakëndshme të cilën e keni pasur gjatë fotografimit?

Përveç rreziqeve të fotografimit gjatë punës si gazetar, në situata ekstreme ku rrezikohet edhe jeta e fotografit, ka ndodhur disa herë të ndalohem, arrestohem, të më konfiskohen fotografitë nga policia apo ushtria, pasi kam fotografuar diçka që sipas tyre nuk ka qenë e lejuar apo që nuk u ka pëlqyer atyre.

Çfarë mendoni për keqpërdorimin gjithnjë e më të madh të fotografisë?

Kur thoni keqpërdorim i fotografisë sigurisht mendoni për përdorimin e paautorizuar të fotografive në mediume e në rrjete sociale pa marrë pëlqimin e autorit. Kjo ka shkuar aq larg sa më, le që nuk paguhet autori për punën e tij, por as që kreditohet si autor i saj. Te ne në Kosovë gati që është e pamundur që të realizohet e drejta e autorit. Por, edhe në botë është bërë e vështirë të realizohet kjo e drejtë në shumë shtete, ku prijnë Rusia dhe Kina. Disa fotografi të miat shiten në Kinë me shumicë, pa kurrfarë autorizimi nga unë dhe pa marrë kurrfarë përfitimi nga to.

Njerëzit sot jetojnë kryesisht në një vrap të madh, ndërkaq fotografitë tuaja na kthejnë në qetësinë, rëndësinë e momentit dhe në bukurinë e individualitetit. Ku e gjeni ju qetësinë dhe bukurinë, të cilat aq saktë i transmetoni me fotografitë tuaja?

Jam shumë i lidhur me vendlindjen time, Dumnicën e Podujevës, ku kam jetuar krejt pak vite të jetës sime. Sa herë kam mundësi shkoj në fshatin tim, ku gjej qetësinë nga jeta e zhurmshme urbane e Prishtinës. Një pjesë shumë të madhe të peizazheve të natyrës i kam realizuar në vendlindje. Vetë akti i fotografimit është qetësues, ikje nga përditshmëria e jeta mondane. Kosova ka natyrë tejet të bukur, ku spikasin Rugova, Sharri, Shala, Batllava, Radoniqi… Kudo të shkosh, e në cilëndo stinë, do të kthehesh me foto shumë të bukura. Patjetër që kjo bukuri e kjo qetësi ndikon në gjendjen shpirtërore të fotografit dhe kjo do të reflektohet edhe në fotografitë e realizuara. Kudo që shkoj mbledh lule, një subjekt i preferuar imi, të cilat pastaj i fotografoj në shtëpi, por gjithnjë vetëm në dritë natyrale, pa përdorim të burimeve artificiale të dritës.

Kjo pyetje është vërtet rutinë, mirëpo thjesht është e pashmangshme: çfarë ndodh kur inspirimi mungon? Dhe a mungon, vërtet?

Po. Inspirimi mungon. Kur kjo ndodh, prapë për qetësim të vetes, e për të qenë aktiv mund të bëhen eksperimentime me teknika të reja të fotografimit. Fotografia digjitale ofron mundësi të pafundme. Pra, është një proces i vetedukimit që do të hyjë në punë në të ardhmen kur gjendet ndonjë subjekt i mirë e inspirimi nuk mungon.

A ka ndikuar zhvillimi i teknologjisë në pozitën e fotografisë në mediume? A është fotografia sot më e rëndësishme se që ka qenë dikur?

Nga përvoja ime në televizionin gjerman ARD, mund të them që fotografia vetëm ka avancuar statusin e saj. Jeta dinamike ka bërë që shikuesit të mos kurdisen më para ekraneve televizive për të marrë informata. Ngadalë çdo gjë po shkon kah teknologjia digjitale e internetit. Lexuesit e lajmeve në internet kërkojnë shpejtësi e saktësi të lajmit, por kërkojnë që lajmi të jetë i shkurtë dhe të jetë patjetër i ilustruar me fotografi. Kjo ka bërë që fotografia të rikthejë rolin e saj, gati të barasvlershëm me videon në mediumet online, por edhe të shpeshtohet keqpërdorimi pa autorizim i saj.

Duke marrë parasysh që jeni fotograf profesionist, ndërkaq telefonat mobil sot janë gjithnjë e më të mirë, a i përdor shpesh për të fotografuar?

Përpiqem që aparatin tim fotografik ta kem gjithmonë me vete, sepse kurrë nuk dihet kur do të shfaqet rasti për të realizuar një foto të mirë. Telefonat e mençur tani fotografojnë shumë mirë, madje me një rezolucion të lakmueshëm, shumëfish më të madh se aparati im i parë digjital. Nuk e përdor shpesh, por është gjithmonë siguria që në rast ‘emergjence’ të shkrepet ndonjë foto. Mund të bëhen foto shumë të mira me kamerat e këtyre telefonave, sepse, siç u tha, fotografinë e bën njeriu e jo aparati të cilin e përdor.

Si të veçohet nga shumica dhe të luftohet me dështimet në këtë treg të stërmbushur me “konkurrencë”?

Unë nuk e kam profesion të parë fotografimin, madje kam kryer studime për inxhinieri. Përpiqem të mos imponohem e të jem konkurrencë për ata që e kanë profesion të parë fotografimin. Fotografitë i botoj në disa faqe të specializuara ndërkombëtare për fotografinë, të cilat i nënshtrohen kritikës së publikut nga mbarë bota. Është e vështirë nganjëherë të dallohet fotografia jote, kur brenda një dite në një faqe të tillë ngarkohen deri në 20 mijë foto. S’mund ta fsheh që është kënaqësi shumë e veçantë kur fotoja ime depërton në mesin e fotove që paraqiten në faqen e parë, apo zgjidhet fotografi e ditës në kategorinë e vet. Ndjenja është e posaçme, pasi mirënjohja vjen nga fotografët nga mbarë bota, të cilët as që më njohin personalisht. Fotot e mia janë shikuar gati 2.5 milionë herë dhe kjo është e vetmja shifër që më intereson në ‘tregun’ e fotografisë.

Së fundmi, “në kërkim të stilit tuaj”, a keni pasur si pikë referimi ndonjë artist të veçantë?

Do të ishte pretendim i madh të them që kam një ‘stil timin’, por them që kam mësuar shumë dhe jam ndikuar duke lexuar dhjetëra libra për fotografinë. E adhuroj veprën artistike fotografike të Ansel Adams-it, mjeshtërinë e Henri Cartier-Bresson-it dhe ‘momentin vendimtar’ të tij, Mapplethorpe-in e lulet, Gjon Milin e pikturimin e tij me dritë, Marubët dhe veprën e tyre monumentale, Annie Leibovitz-in dhe portretet e saja, Alfred Stieglitz-in dhe karrocën e tij me kuaj, Kertesz-in dhe violinistin e tij bredhës… lista është e gjatë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Ekonomi
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

Premier League
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Botë
Kalo në kategori