LAJMI I FUNDIT:

Alarm i SHBA-ve për armatosjen e Serbisë, Ballkani hesht

Alarm i SHBA-ve për armatosjen e Serbisë, Ballkani hesht

Rrënjët folklorike me sa duket i pengojnë qeveritë dhe diplomacitë e vendeve ballkanike të ndjekin dhe të kuptojnë tendencat dhe prirjet negative të zhvillimeve rajonale. Të indoktrinuar nga lavazhet ideologjike të kozmopolitizmit dhe të internacionalizmit nuk vërejnë se poshtë dyshemesë së ahengjeve diplomatike ballkanike një kazan zien ngadalë. Është kazani i armatosjes së shpejtë dhe në rritje të Serbisë nga Rusia. Ngrohtësia e rrezikshme e këtij kazani ndezi llambat e alarmit në SHBA, por jo në “Ballkanin Perëndimor”, kur duhej të ishte e kundërta dhe ballkaniko-perëndimorët të jepnin të parët alarmin e rrezikut, që e kanë te dera.

Në 14 korrik Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi një rezolutë, në të cilën i kërkon Departamentit Amerikan të Mbrojtjes që të raportojë për bashkëpunimin ushtarak ruso-serb. Kongresisti i mirënjohur amerikan Eliot Engel deklaroi se rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve është pjesë e Aktit Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2018. Kongresisti paraqiti një tablo të shpejtë të armatosjes së ethshme të Serbisë nga Rusia dhe tha se Rusia kohët e fundit i ka dhuruar Serbisë armatime me vlerë 600 milionë dollarë, përfshirë 6 avionë gjuajtës MIG-29, 30 tanke T-72, 30 autoblinda, etj. si dhe po përgatitet të marrë sistemet e raketave ruse S-300.


Se sa i drejtë është shqetësimi i Kongresit amerikan e dëshmoi fakti që në datën 21 korrik agjencia ndërkombëtare ruse e informacionit “Sputnik” transmetoi deklaratën e drejtorit të Shërbimit Federal rus të bashkëpunimit ushtarako-shkencor, Dmitri Shugaev, që njoftoi se Rusia ka diskutuar me Serbinë furnizimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore me raketat ruse S-300. Furnizimi i Serbisë me sistemin e raketave ruse S-300 u diskutua konkretisht vitin e kaluar gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit rus Dmitri Rogozin, i cili i dhuroi presidentit të sotëm serb Aleksandër Vuçiç një model të raketave S-300.

Armatosja e ethshme e Serbisë nga Rusia është një zhvillim negativ, i cili mori hov sidomos pas krizës ukrainase dhe Moska nisi një strategji tensionesh në gadishullin e Ballkanit. Është një zhvillim negativ, i cili nuk është më i fshehtë dhe nuk ka nevojë për institucione të posaçme, që të dedektohet. Armatosja e Serbisë nga Rusia me armë të sofistikuara nuk është dhe nuk mund të jetë fakt vetëm i marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Serbi. Ai është një lloj dhe një cilësi bashkëpunimi i aleancës strategjike Rusi-Serbi, që cenon interesat strategjike të secilit shtet ballkanik dhe, gjithashtu, edhe stabilitetin e rajonit.

Armatosja e Serbisë nga Rusia ka dhe do të ketë më shumë në të ardhmen efektet e saj negative në ekuilibrat rajonalë të Ballkanit. Kongresisti amerikan Eliot Engel, një nga njohësit më të mirë të çështjeve ballkanike, deklaroi me rastin e miratimit të rezolutës së mësipërme: ”Unë kam një shqetësim në rritje për zgjedhjet që po bën Beogradi në çështjet ushtarake dhe të sigurisë. SHBA duhet të ndjekin më nga afër lidhjet ushtarake ruso-serbe dhe të gjykojnë implikimet e tyre për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe impaktin mbi fqinjët e saj”.

Nëse lidhjet ushtarake ruso-serbe dhe armatosja e Serbisë me raketat ruse kanë impakt në sigurinë kombëtare të Amerikës, si nuk paskan impakt në sigurinë kombëtare të shteteve të Ballkanit? Ndaj është e pakuptueshme dhe e papranueshme mungesa e reagimit të qeverive dhe të diplomacive ballkanike lidhur me këto zhvillime të rrezikshme. Shtetet e Ballkanit duhet të bëjnë pyetjen e thjeshtë se, përse po armatoset Serbia me kaq nxitim me raketa nga Rusia.

Është e qartë se Serbia nuk armatoset për të siguruar festivalet allasovjetike të rinisë, që propaganda kozmopolite ballkaniko-perëndimore po i paraqet si novacion i “mirëkuptimit ballkanik”. Serbia po armatoset që të bëhet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkan, që të jetë në gjendje jo vetëm të ushtrojë presion dhe shantazh ushtarak mbi shtetet ballkanike, por edhe që të marrë një rol gardiani ushtarak për të mundur ta mbajë Ballkanin nën kontroll. Serbia po armatoset nga Rusia si kundërpeshë dhe si kërcënim ndaj vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan. Është edhe një përpjekje ruse për të penguar anëtarësimin në NATO të atyre pak shteteve ballkanike, që janë ende jashtë NATO-s dhe që Moska kërkon t’i mbledhë rreth Serbisë, si Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Serbia po armatoset nga Rusia që të jetë në gjendje të bëhet një pol aktiv ushtarak në strategjinë ruse në Ballkan. Serbia është i vetmi shtet ballkanik që zyrtarisht është kundër NATO-s. Moska për të justifikuar dërgimin e raketave ruse në Serbi propagandon, siç deklaronte në 21 korrik drejtori i Akademisë Ruse të Çështjeve Gjeopolitike, Konstantin Sivkov, se Serbia po merr raketat që të mbrohet nga një agresion i mundshëm i NATO-s.

Më e pakta që mund të thuhet është se armatosja e Serbisë me raketat ruse tregon se Beogradi nuk i ka seriozisht as bashkëpunimin ballkanik, as mirëkuptimin ballkanik dhe as “ahengjet e gëzuara diplomatike ballkaniko-perëndimore”. Serbia nuk e ka seriozisht as integrimin në BE. Në botën e sotme të komplikuar të përplasjeve gjeopolitike në rritje, parametri ushtarak është ndër kryesorët. Është naive të mendohet se me tolerancën ndaj armatosjes ruse të Serbisë, Beogradi do të bëhet më shumë europeist dhe do të afrohet më shumë me BE. Serbinë do ta fitojë, dhe, në fakt, e ka fituar, shteti që çon raketat atje, dhe jo BE që përpiqet të çojë institucionet demokratike apo investimet. Diplomacia europiane duhet t’i rikthehet pak historisë së Jugosllavisë dhe të kujtojë se pas disa dekadave të politikës titiste me dy karrige, një këmbë në Perëndim e një këmbë në Moskë, pas vdekjes së Titos Serbia shkoi te Rusia dhe ky orientim pat pasojë guximin e Millosheviçit për të ndërmarrë katër luftëra kundër popujve jo serbë.
Gara serbe e armatimeve është një histeri luftënxitëse, e cila duhet të zgjojë ca nuhatje strategjike në zyrat shtetërore edhe diplomatike në Ballkanin Perëndimor. I ashtuquajturi neutralitet ushtarak i Serbisë është varrosur me kohë në kazermat me armatime ruse. Një shtet neutral nuk armatoset me raketa ruse dhe ngre makinën më të madhe ushtarake në rajon për “neutralitetin”. Një shtet neutral nuk bëhet shtet vëzhgues në organizatën ushtarake CSTO të krijuar nga Rusia. Serbia është i vetmi shtet ballkanik që lejon manovrat ushtarake të forcave ruse në territorin e saj. Serbia është i vetmi shtet ballkanik që i ka dhënë Rusisë një bazë ushtarake në Nish dhe po i jep edhe një bazë tjetër ajrore në Vojvodinë.

Shkalla e rrezikut po rritet dhe nuk duhet harruar se viktima e parë e agresivitetit serb planifikohet të jetë Kosova. Nuk duhet harruar se në doktrinën ushtarake serbe burimet kryesore të kërcënimit janë shpallur kombi shqiptar dhe kombi kroat. SHBA jo vetëm kanë dhënë alarmin, por edhe po marrin masat e nevojshme për çdo të papritur. Në datën 19 korrik nga SHBA u nis për në Kosovë për t’iu bashkuar forcave të NATO-s atje, kontingjenti ushtarak prej 500 ushtarësh amerikanë, që do të dislokohen në Kosovë. Siç deklaroi koloneli Michael Spraggins, komandant i brigadës 39 të infanterisë luftarake të Gardës Kombëtare të Arkanzasit, “misioni i NATO-s është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të paprekshëm në Kosovë”. Kjo lëvizje amerikane, duke dërguar 500 ushtarë që t’i bashkohen forcave të NATO-s në Kosovë, është një mesazh i qartë në adresë të Serbisë që të mos luajë me zjarrin në Kosovë dhe në rajon. Ai është edhe një mesazh në adresë të Rusisë për frenimin e ndërhyrjes së saj në rajon. Por ai është një mesazh edhe për shtetet ballkanike për të rritur gatishmërinë përballë bashkëpunimit ushtarak ruso-serb.

Kam theksuar shpesh herë në analizat e mia se zyrat qeveritare dhe diplomatike duhet të reagojnë dhe të shprehin qëndrim për çdo akt dhe lëvizje të Serbisë, që shkon kundër paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit real ballkanik. Heshtja ndaj garës së armatimeve të Serbisë nuk e ndihmon qetësimin e Ballkanit dhe as e bën Serbinë më europiane. Mungesa e reagimit ballkanik e ka inkurajuar Serbinë edhe të armatoset me armët ruse, edhe të pretendojë që ta drejtojë ajo familjen e vogël “ballkaniko-perëndimore”.

Ndaj liderët e Ballkanit Perëndimor duhet ta ngrenë me forcë çështjen e armatosjes së Serbisë në takimet e drejtpërdrejta dypalëshe me udhëheqjen serbe, duhet ta ngrenë në takimet dhe forumet e BE dhe të NATO-s, duhet ta ngrenë edhe në festivalet diplomatike ballkaniko-perëndimore, që organizojnë çdo tre apo gjashtë muaj. Duke reaguar e bëjnë realisht më paqësore dhe më mike Serbinë

Duhet falënderuar Amerika, që kujdeset për sigurinë e Ballkanit, por duhet të jenë vetë shtetet e Ballkanit në radhën e parë të kujdesit për veten e vet.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori