LAJMI I FUNDIT:

Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët…

Po e titulloj këtë shkrim duke aluduar në një prej shumë thënieve të Faik Konicës, sepse procesi i zgjedhor në Shqipëri është dëshmi se është ende aktuale në realitetin e sotëm shqiptar.

Është e diel. Sikurse çdo fundjavë zgjohem herët për të punuar. Por, kësaj radhe i ngarkuar më shumë me informata për zgjedhjet në Shqipëri, bashkë me miqtë e mi në rrjetin social Twitter.


Lajmet e para nuk ishin prej më të mirave. Ndaj, një gllënjkë e ftohtë uji në këtë vapë, s’ka se si të mos më mbeste në fyt: rë vrarë dhe të plagosur në Laç, i bënë të zeza orët e para të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Aq më shumë kur spekulohet se ky incident i rëndë ka ndodhur për motive politike.

Kjo është një goditje e rënd për demokracinë shqiptare, që synon integrimin evropian. Në të njëjtin vend janë sulmuar dhe janë fyer edhe gazetarët e televizionit Top Channel, gjë që përbën edhe cenim për gazetarinë – për fjalën e lirë.

Incidente u raportuan edhe në shumë vise tjera, me votime të shumëfishta, me prezencë të personave të armatosur në vendvotime… Të gjitha këto, e sidomos humbja e një jete gjatë një procesi zgjedhor, që duhet të jetë i lirë dhe demokratik, i aktualizojnë edhe një herë thëniet e Konicës. Sepse, mentaliteti bajraktar shqiptar duket se ende nuk ka ndryshuar.

Zgjedhjet janë proces ku banorët e një vendi do të duhej të votonin për një të ardhme më të qetë, më të sigurt e më të begatshme. Nëse kemi pretendime të tilla, atëherë edhe veprimet duhet të jenë më të matura, me një mentalitet më ndryshe, që “proverbat” e Konicës të analizohen vetëm në një kontekst të së kaluarës së hidhur.

Kudo ku ka shqiptarë, procesi zgjedhor përcillet me probleme. Ato nuk janë të rastësishme, por faji thonë se mbetet jetim. Kështu thonë, por e vërteta është se liderët politikë janë përgjegjësit më të mëdhenj se pse, si ne shqiptarët në Kosovë, si ata në Shqipëri, të jemi larg Evropës, larg objektivit që karakterizon një kulturë ndryshe, një prosperitet ekonomik, një mirëkuptim ndërnjerëzor, e mbi të gjitha një ambient ku sundon ligji.

Ambiciet e mbrapshta politike, për pushtetin që ofron mundësi për përfitime ekonomike, janë pasqyrë e anomalive që përcjellin proceset tona zgjedhore. Parregullsitë i patëm ne, i patën këtë vit shqiptarët në Maqedoni, e tash edhe ata në Shqipëri. Dhe, në fund këto i vuan populli.

Ndoshta është populli refleksion i liderëve, por liderët politikë duhet të jenë ajo pakica e zgjedhur që duhet të mendoj ndryshe, që ta ndryshojë këtë realitet e të kuptojë se gjithçka është një mandat, ndaj ky mandat duhet të shfrytëzohet për të mirën e përgjithshme, për të lënë respekt e kujtime të mira.

Liderët duhet të jenë njerëz të zakonshëm, me përkushtim të jashtëzakonshëm për zhvillim të vendit, të prirë për garë demokratike. Kjo nuk po ndodhë në Shqipëri, kjo nuk po ndodhë në Kosovë, e as në Maqedoni.

Në anën tjetër, demokracinë e karakterizojnë edhe mediat e pavarura. Mediat janë pushteti i katërt. Janë shtylla të ndërtimit të një shteti. Raportet ndërkombëtare thonë se gazetarët shqiptarë janë të kërcënuar, se nuk ka liri të plotë raportimi, por në rastin e Shqipërisë janë pikërisht mediat ato që hedhin vaj në zjarr, që bëhen argat të ambicieve të liga politike.

Mediat televizive raportojnë ndryshe njëra prej tjetrës, me versione të ndryshme të incidenteve dhe të mbarëvajtjes së votimeve. Gjithçka është bardh, gjithçka është zi, varësisht se si është elektorati i ndarë e i prirë për ta shikuar këtë proces.

Gazetat dhe portalet shqiptare në internet kanë thyer madje edhe heshtjen zgjedhore, duke u bërë thirrje lexuesve (vizitorëve) që të votojnë njërën apo tjetrën parti. Ky është një ofendim i madh për demokracinë, pasi demokracia janë vet mediat a pavarura, e jo të identifikuara sipas ngjyrave partiake.

Polemika të panevojshme janë ngritur sot – të nxitura po ashtu nga mediat – nga e majta e politikës shqiptare. Votimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi – i cili e shfrytëzoi nënshtetësinë shqiptare për të votuar në Shqipëri – i ka irrituar majtistët shqiptarë. Kjo, sipas tyre, do të thotë se një shqiptar i Kosovës me nënshtetësi të dyfishtë nuk duhet të votojë! A nënkupton kjo se e majta shqiptare ka informata apo aftësi telepatike se për këtë do të votojë ai? A nuk është votimi çështje personale? Pastaj, a garantohet me ligj e drejta e nënshtetasve të Shqipërisë për të votuar, pa marrë parasysh se a jeton ai person në Kosovë, Greqi, Itali…

Ligji është ligj, dhe nuk duhet të shkelet e as të interpretohet ndryshe nga askush. Tendenca e opozitës për të izoluar shqiptarët e Kosovës nga kjo e drejtë vote, nga ky proces zgjedhor, është i frikshëm, sepse është edhe kundër idealeve shqiptare, madje para Faik Konicës.

Raportimi i procesit të sotëm zgjedhor, mund të jetë sinjal i keq që Shqipërinë edhe për katër vite do ta përcjellin kontestimet e rezultatit final. Prandaj, kushdo që vjen në pushtet, do ta ketë të vështirë përmbushjen e agjendës evropiane. Ndërsa, ai që do të vuaj do të jetë qytetari, askush tjetër. Shqiptari i cili ka nevojë për ndryshim, zhvillim ekonomik dhe perspektivë evropiane. Por, meqë politika nuk ndryshon, është pikërisht ky qytetar ai që duhet të vetëdijesohet e ta bëj Shqipërinë, siç thoshte Konica, “për inati të shqiptarëve”, e të mos bëhet tifoz i verbër partiak.

Po e përmbylli këtë shkrim, edhe me një thënie të intelektualit dhe publicistit të shquar, Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.

Do të doja që Konicën, në kontekstin e së sotmes, më kurrë të mos e citoj.